E Diel, 1 Nëntor 2026

Toni Bler: Jeta ime e re pas "Downing Street"

Të intervistosh Toni Blerin është
shumë e lodhshme. Nisesh me
një opinion tashmë të formuar
për këtë personazh të politikës
dhe kryesisht ai ka të bëjë jo vetëm me
Irakun dhe gjithë kundërshtinë rreth
luftës në këtë vend, por edhe për politikën
financiare të ish-kryeministrit
"shpenzo, shpenzo, shpenzo" që, sipas
mendimit të shumë britanikëve, është
një nga shkaktarët e recesionit të rëndë
që po përjeton vendi. Por duke lënë pas
të kaluarën kryeministrore, njerëzit kur
flasin sot për të e konsiderojnë si një
dështak në rolin e mediatorit të paqes në
Lindjen e Mesme. Për ta Bler nuk ka arritur
asnjë lloj rezultati, ndërkohë që ka
shpenzuar një thes me para. Ish-kryeministri
vazhdon të fitojë shumë, ka shumë
shtëpi në emër të tij, shëtit në mbarë
botën, duke dhënë konsulenca e fjalime
për të cilat merr shuma të mëdha të hollash.
Ka një staf prej 70 personash në të
gjithë botën: të gjithë të rinj e dinamikë.
Vetë Bler, si gjithmonë, shquhet për një
energji jashtë të zakonshmes. Është gjithmonë
në lëvizje e në nxitim dhe shpesh
duket sikur është në garë me veten. Kur
e pyesin nëse me gjithë këtë energji mos
vallë kërkon që të shpëtojë botën, ai
përgjigjet: "Po të mos mendoja se kam një
rol të caktuar për të luajtur, nuk do t‘i isha
futur kurrë politikës". Në pozicionin e të
dërguarit të posaçëm të Perëndimit në
Lindjen e Mesme, a është i befasuar nga
ajo që ndodhi në Gaza? "Jo, dhe që prej
disa kohësh u kisha thënë të gjitha palëve
se duhet të operonin me një strategji
ndryshe. Ajo që ndodhi ishte shumë tronditëse
dhe e dhimbshme, sidomos ajo që
u ndodhi fëmijëve, por kështu e ka lufta
dhe ajo është e tmerrshme. Edhe pse
mund të tingëllojë absurde të flitet për
një mundësi paqeje, mund të them se
këtë proces kemi shanse që ta rifillojmë".
Lindja e Mesme dhe zgjidhja e problemit
të saj të madh është vetëm një nga angazhimet
e ish-kryeministrit. Pas kësaj
detyre primare, ai është shumë i zënë
edhe me problemet e Afrikës, ndryshimeve
klimatike, me fondacionin për
problemet e sportit, me fondacionin për
çështjet e besimit; për të mbajtur në
këmbë gjithë këtë strukturë, si dhe për
të jetuar si duhet të grumbullojë shumë
para. Që kur ka lënë detyrën, ka arritur të
mbledh 24 milionë dollarë nga fjalimet,
(thuhet se është lektori më i paguar në
botë dhe për një fjalim prej 90 minutash
merr 250 mijë dollarë), nga mësimdhënia
në Yale, në lidhje me besimin dhe globalizmin,
si dhe veprimtari të tjera shumë të
paguara. Po si ia del ky 55-vjeçar i mbytur
në punë, që të qëndrojë edhe pranë
familjes? "Për momentin nuk jam pranë
tyre aq shumë sa do të dëshiroja. Jam
duke rindërtuar jetën time profesionale.
Kanë qenë muaj të një pune frenetike
për të gjetur stafin e përshtatshëm, financimet
dhe për të çuar përpara projektet.
Kam nisur një ndërmarrje krejtësisht të
re. Jam lodhur, por jam i lumtur". E mes
gjithë këtyre angazhimeve, ai kujdeset
edhe për paraqitjen e jashtme. Tani vishet
më sportiv dhe ka paraqitjen e një ylli
kinemaje. Në shtëpinë ku u zhvendos,
pasi la detyrën e Kryeministrit, ka instaluar
një palestër të vogël, në të cilën stërvitet
sa herë që ka kohë dhe është i lumtur
kur sheh se mundimi ka dhënë rezultat.
Forma e mirë trupore bën që të jetë
shumë i përqendruar edhe në detyrat e
tij, ndër të cilat e para renditet sigurisht
pozicioni i ndërmjetësit në Lindjen e
Mesme. "Izraelitët kanë një problem
shumë të madh me çështjen e sigurisë,
ndërsa palestinezët e kanë problemin
me pushtimin hebre dhe këto dy gjëra
janë të lidhura njëra me tjetrën. Nëse
nuk i bën bashkë, nuk mund të arrish
sukses në asnjë negocim". Bler bën
paralelizëm edhe me rastin e IRA-s dhe
paqes së vështirë të arritur aty. "Pas
shumë negocimesh me palët irlandeze
arritëm më në fund një marrëveshje minimale
dhe ajo kishte të bënte me pranimin
që një Irlandë e bashkuar mund të
krijohej vetëm në mënyrë paqësore". Për
sa i përket konfliktit në Lindjen e Mesme,
ai është i mendimit që në situata të vështira
duhet të dialogohet me të gjitha
palët, vetëm se me Hamasin bëhet gjithçka
e vështirë, ngaqë ata nuk e njohin
Izraelin dhe nuk mund të konsiderojnë
kësisoj një zgjidhje paqësore me krijimin
e dy shteteve". Për sa i përket në
përgjithësi situatës në botë, ish-kryeministri
duket se ka një optikë shumë
bardhë e zi për sa ndodh. "Mendoj se i
kemi ende sytë mbyllur në lidhje me
natyrën e asaj çka po ndodh dhe për sa
më takon, shoh një lidhje shumë të
ngushtë mes situatës në Palestinë, Liban,
Iran, Pakistan, Somali. Për mua terrorizmi
është tashmë një armë shumë e
sofistikuar konflikti dhe lufte. Ajo që
mendoj se po ndodh është një konflikt që
ka të bëjë me modernizmin dhe globalizmin.
Reagimi i terroristëve është
kundër botës moderne". Po a bie vallë
ndonjëherë në depresion një njeri me një
energji të madhe pozitive si Bler? "Kam
edhe unë momentet e mia të errëta". Po
a depresionohet kur përballet me pasojat
e gjenocideve, luftërave e gjakderdhjeve?
"Po, sigurisht. Të bën përshtypje
aftësia e jashtëzakonshme e njerëzve për
të bërë keq, por pastaj dëgjon edhe për
anët pozitive, për njerëz që sakrifikojnë
në emër të të tjerëve, që veprojnë në
emër të së mirës së përgjithshme. Në
këtë mënyrë përballem me shpresën
dhe jam i bindur që njerëzit, në rrethanat
ideale, do të donin që të jetonin në
paqe". Ata që nuk mund ta falin Blerin
për qëndrimin që mbajti në rastin e luftës
në Irak (dhe këta janë të shumtë), thonë
se ai është përgjegjës personalisht për
krimet dhe se çfarëdo që të thotë për të
justifikuar veprimet e tij, humbjet e
jetëve njerëzore, do të mbeten gjithmonë
të pajustifikuara. Po a mendon se historia
do ta gjykojë për Irakun? Para se të
përgjigjet, Bler bën një pauzë të shkurtër:
"Nuk e di. Askush nuk mund ta dijë, pra
nuk ka një përgjigje për një pyetje të tillë".
A ndihet ai vetë fajtor? "Jo, nuk ndihem
fajtor, por sigurisht që reflektoj në lidhje
me sa ka ndodhur dhe jam i shqetësuar e
sigurisht që kam një ndjenjë shumë të
madhe përgjegjësie". Bler, në pozicionin
e Kryeministrit, ka përjetuar ekstreme për
sa u përket vlerësimeve të njerëzve ndaj
tij. Në fillim ishte politikani më i dashur i
Britanisë së Madhe dhe Kryeministri më
popullor i laburistëve që pas Luftës II
Botërore. Më pas u gjykua nga shumë prej
bashkatdhetarëve të tij. Si e ka përjetuar
ai këtë ndryshueshmëri? "Nuk është
ndonjë gjë e këndshme kur ka njerëz që
nuk të besojnë dhe mendojnë se ke gënjyer
për çështje të caktuara, por ajo çka
është më e vështirë, është ndjenja e
përgjegjësisë për njerëzit që nuk janë
më, për ata që kanë rënë në fushën e
betejës, civilë, apo ushtarakë qofshin.
Nëse nuk do të ndihesha kështu,
atëherë po që do të kishte diçka që nuk
shkonte me mua dhe nuk ka ditë të jetës
sime që të mos reflektoj për sa ka
ndodhur. Nga ana tjetër duhet të marrësh
një vendim. Shoh Lindjen e Mesme
tani dhe them se nëse Sadami dhe të
bijtë do të ishin në krye të Irakut, do të
kishin vdekur më shumë njerëz dhe i
gjithë rajoni do të kishte qenë shumë më
i destabilizuar". Një nga karakteristikat
e Blerit është besimi i patundur që ka në
drejtësinë e pikëpamjeve të veta. A vuan
ndonjëherë ky njeri nga dyshimi? "E kush
nuk vuan nga dyshimi? Sigurisht që kjo
më ndodh edhe mua". Nga ana tjetër
Bler është edhe një njeri plot humor. Pyetjes
se çfarë e tërhoqi më shumë tek e
shoqja, kur e pa për herë të parë, ai i
përgjigjet "Çeri", pastaj, pasi vë buzën në
gaz, vazhdon: "Te Çeri ishin bërë bashkë
zgjuarsia, serioziteti, si dhe profesionalizmi.
Në atë kohë dinte shumë më tepër
se unë për ligjet dhe kishte një aspekt
femëror mjaft interesant. Pra ishte një
kombinim vetish të një njeriu të zgjuar
dhe me humor. Nuk mendoj se do të isha
martuar me dikë nëse nuk do t‘ia respektoja
mendjen dhe shpirtin". Mendja e
ndritur është një nga vetitë që Bler
pëlqen më shumë te njerëzit dhe për sa
i takon së shoqes, ai nuk heziton ta pranojë
se ajo është më e zgjuar se ai. "Çeri
është shumë e zgjuar. Ka dalë e para në
shkollë dhe në të gjitha testet ma ka
kaluar, por edhe pse intelektualisht është
më konfidente se unë, ga ana tjetër
jam shumë më me besim në aspekte të
tjera". Për sa i përket ish-presidentit
Klinton, me të cilin Bler ka bashkëpunuar
shumë në vitet e para si Kryeministër,
ai përmend një aspekt të tij, që mendon
se të tjerët e anashkalojnë: "Klinton ka
shumë cilësi me vlerë, por mbi të gjitha
shquhet për intelektin e rrallë. Cilësia e
intelektit të tij është e jashtëzakonshme.
Kjo vihet re në mënyrën se si i sheh
gjërat, apo se si i trajton çështje të veçanta.
Veç kësaj, ai është një politikan i jashtëzakonshëm
dhe ka një mënyrë të
përkryer e njëherazi të thjeshtë të të
shprehurit. Mendoj se edhe Obama e ka
një veti të tillë, pra ka një intelekt të shkallës
së lartë". Po Bushin si e konsideron
Bler, të mefshtë, apo të zgjuar?
"Epo mirë, njerëzit thonë se duan një
politikan që është origjinal dhe kur ai
është origjinal, ata thonë se nuk u
pëlqen dhe se duan një politikan që të
flasë si një politikan. Ky është problemi
për Bushin, mendoj unë". Për sa i përket
Presidentit të ri amerikan, Bler është i
bindur se do të ketë me të marrëdhënie
shumë të mira. Ata janë takuar tashmë
disa herë. "Kur e takova Obamën për herë
të parë ma prezantuan si një person mjaft
të mençur dhe me një të ardhme të shkëlqyer
përpara". Për sa i përket besimit,
ai thotë: "Te besimi gjej më shumë forcë
se te çdo gjë tjetër, por pikëpamja ime për
besimin nuk është as ekskluzive, as e
ngushtë". Bler u konvertua në katolik,
para se të linte postin e Kryeministrit dhe
thotë se së pari këtë e bëri që të kishte një
fe me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe më
pas, për shkak të besimit të tij. Në jetën e
re që ka nisur shpresoj që pikërisht ky
besim të mos i mungojë kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›