Vejusha e zezë pickon gruan mes fasuleve

FIER- Viktima e radhës së pickimit të “vejushës së zezë” është një 43-vjeçare nga fshati Pojan, e cila u pickua nga merimanga famëkeqe mëngjesin e djeshëm, teksa mblidhte fasule. Sipas policisë dhe mjekëve të spitalit të Fierit, Luljeta Gashi, banuese në fshatin Pojan, rreth 13 km larg qytetit të Fierit, shkoi herët në mëngjes, së bashku me dy fëmijët e saj, për të shkulur fasule në arën e familjes. Gjatë punës, 43-vjeçarja është pickuar nga një merimangë e zezë, të cilën nuk e ka parë. Gruaja e veshur me shapka të hapura verore sapo ndjeu pickimin e dhimbshëm ia dha ulërimës, ndërsa menjëherë pranë saj mbërritën dy fëmijët. Të afërmit e transportuan gruan me urgjencë në spitalin rajonal, ku mësohet se ajo iu nënshtrua terapisë përkatëse. Burimet spitalore nga reparti i patologjisë pohuan për gazetën, se 43-vjeçarja Luljeta Gashi, e cila mbërriti në spital rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, pas konsultës së kryer nga një grup specialistësh është sërish në gjendje të rëndë për jetën. Megjithatë, mjeku toksikolog i këtij spitali, Kilo Stoja, tha se, edhe pse gjendja shëndetësore e Gashit është e rëndë, besohet se ajo do ta kaloja situatën kritike, pasi është paraqitur në spital menjëherë pas pickimit. Në fakt, sipas bluzave të bardha, këto dy vite viktimat nga merimangat e zeza, veçanërisht nëpër zona rurale, falë ndërgjegjësimit për rrezikun e jetës, janë paraqitur me urgjencë në spital, duke dalë nga gjendja kritike. Çdo vit, në të gjithë vendin shënohen disa viktima, si pasojë e pickimit të “vejushës së zezë”.