Mazhoranca kërkon të fshehë Gërdecin pas ligjit të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit

Valentina Leskaj deklaroi dje, se insistimi i mazhorancës për projektligjin e spiunëve është thjesht një çështje e zgjedhur për qëllime politike. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së u shpreh se mazhoranca që e ka mbajtur në sirtar për 3 vjet, e sjell atë për ta bërë në dyjavëshin e fundit vetëm për të tërhequr vëmendjen. “Tregon edhe motivet e sjelljes me urgjencë të kësaj nisme, që janë motive që lidhen me çështjen e Gërdecit, pra për ta spostuar vëmendjen nga tragjedia. Ne besojmë që procesi i hetimeve dhe problemet që po dalin për sa i përket Gërdecit, e vështirësojnë mazhorancën. Së dyti, ka të bëjë me spostimin e vëmendjes nga çështjet e varfërisë, që çdo ditë e më shumë po rriten, dhe natyrisht është edhe pjesë e luftës së brendshme apo klaneve brenda PD-së”, - tha Leskaj. Numri një i socialistëve në Kuvend nënvizoi se socialistët janë për një proces që mbështet instrumentet ndërkombëtarë në të drejtat e njeriut dhe Konventën e Këshillit të Evropës dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Valentina Leskaj sqaroi se socialistët nuk kanë tërhequr projektet, por tre ligjet e depozituar tashmë nuk mund të ekzistojnë, pasi kanë kaluar afatet kohore të shqyrtimit të tyre. Ndërkaq, lidhur me çështjen e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, ajo vuri në dukje faktin, se socialistët arritën të realizonin dy kërkesat e tyre. “Kushtet tona kanë qenë që rregullorja të mos ndryshohet me procedurë të përshpejtuar. Rregullorja e Kuvendit të mos bëhet vetëm për dekretet e presidentit dhe vetëm për dy pikat e saj, por të kishte një ndryshim integral, që do të thotë se synimi për të përmirësuar rregulloren të jetë pjesë e reformës, dhe jo e tendencës së grupeve të veçanta brenda PD-së për të larë hesapet me presidentin”, - u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Leskaj vlerësoi se në propozimin e ri janë integruar të gjitha kërkesat e PS-së dhe të gjitha nevojat që burojnë nga ndryshimet kushtetuese.