E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e Plazhit të Gjeneralit, pas projektit 520 milionë euro

Nga Armand Maho

Investimi i një kompanie zvicerane ka qenë shkaku i falsifikimit të dokumenteve në Plazhin e Gjeneralit, pjesë e komunës Synej, Kavajë. Plazhi, i cili deri më tani ka qenë i harruar nga pazarllinjtë e tokave për shkak të infrastrukturës, menjëherë duket se ka ngjallur interesin e tyre, sapo kanë parë që në lojë kanë hyrë 520 milionë euro, të ofruara nga një kompani turizmi zvicerane. Deri më tani pjesa e plazhit dhe zona rreth tij ka qenë repart ushtarak dhe më pas pronë e komunës Synej. Por interesimi i investitorëve zviceranë ka bërë që të ngjallen interesa për këtë copë bregdet të braktisur dhe menjëherë kanë hyrë në punë falsifikatorët, të cilët, kur bëhet fjalë për shumë të tilla, janë përherë njerëz të afërt me pushtetin.

Projekti

Projekti i ofruar nga kompania zvicerane është akoma në fazën e idesë, dhe kërkesa është dorëzuar në zyrën e Urbanistikës së komunës Synej. Kryetari i kësaj komune, në një prononcim për medien, ka pranuar se projekti është miratuar në KRRT e kësaj komune, por më pas nuk pranoi të prononcohej më për këtë çështje duke refuzuar të thotë dhe emrin e kompanisë në fjalë. Gjithsesi, nga burime të tjera mësuam se projekti përmbante ndërtimin e një fshati turistik, komplekseve turistike në këtë zonë, ndërtimin e infrastrukturës etj. Të gjitha përfitimet më tej do i shkonin komunës së Synejit, e cila ishte dhe pronarja e tokës. Ka qenë pikërisht ky fakt, si dhe sinjalet që në këtë zonë priteshin investime të mëdha, ajo që ka vënë në lëvizje grabitësit e tokave, dhe që me anë të një avokati, i lidhur ngushtë me fijet e pushtetit, kanë bërë të mundur falsifikimin e dokumentacionit. Kanë falsifikuar hartat, duke bërë të mundur që toka arë të lëna djerrë me kilometra larg bregdetit një ditë papritur të shfaqen në buzë të tij. Dhe nuk kanë qenë pak, por 48 hektarë, pra i gjithë plazhi i kësaj zone i planifikuar të shndërrohej në një resurs turistik nga kompania zvicerane.

Falsifikimi

Mekanizimi që përdoret është i thjeshtë. Natyrisht, falsifikatorët, të cilët çdo ditë e më shumë po zhvatin tokat e pronarëve në bregdetin Adriatik dhe Jon, kanë marrë më parë informacionin në lidhje me këtë çështje, ashtu si për të gjitha trojet e përfituara duke përdorur forcën e pushtetit. Gjithsesi, një denoncim i kryetarit të komunës dhe më pas refuzimi i ZVRRP Kavajë, si dhe një denoncim nga ana e Avokatit të Popullit ka bërë që prokuroria të hapë dhe çështjen penale për këtë çështje. Kjo ka sjellë dhe rrëzimin e vendimit të mëparshëm të marrë nga vetë Vatnikaj, gjë e cila më pas solli dhe shkarkimin e tij nga posti i drejtorit të AKKP nga ana e kryeministrit. Pra, me pak fjalë, nga përvetësimi i këtyre pronave në bregdet falsifikatorët mendonin të përfitonin shuma marramendëse nga kompania zvicerane (sipas përllogaritjeve të specialistëve bëhet fjalë për 100 deri në 150 milionë euro përfitime për pronarët e truallit, në rast se do zbatohej projekti). I gjithë ky falsifikim ka ndodhur vetëm për tre muaj, mendohet nga qershori deri në gusht, dhe më pas në nëntor të vitit 2008 vendimi është hedhur sërish poshtë. Gjithsesi, prokuroria ka marrë në pyetje shumë persona, dhe mendohet që fijet e korrupsionit të zbardhen deri në majat e larta të klaneve të lidhura ngushtë me qeverinë dhe kryeministrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›