E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diveroli, zbardhet dëshmia e Trebickës

 

Dëshmia e biznesmenit shqiptar Kosta Trebicka përfshihet si një fakt i rëndësishëm në dosjen amerikane të hetimit për tregtinë e armëve nga Shqipëria në Afganistan. Një artikull i publikuar dje nga e përjavshmja “MAPO”, që botohet në Tiranë, sjell pasazhe nga dëshmia origjinale që Kosta Trebicka dha para vdekjes në ndihmë të hetimit që Kongresi Amerikan filloi për skandalin e tregtisë së armëve, pas tragjedisë së ndodhur me shpërthimin e fabrikës së çmontimit të armëve në Gërdec. Më poshtë, publikohet me shkurtime artikulli i revistës “MAPO”.
Ushtarakë të vjetër shqiptarë tregojnë ende me pëshpërima – ruajnë sekretin e vjetër shtetëror se Shqipëria e Enver Hoxhës ka dërguar ilegalisht në Afganistan gjatë konfliktit 10-vjeçar me ish-BS, ngarkesa të tëra me armatime. Kryesisht kallashnikovë dhe municione. Një gjë e tillë ka ndodhur deri në vitin 1988. Armët janë afruar falas. Për një koincidencë të fatit, 20 vjet më pas dhe plot tetë muaj nga shpërthimi katastrofik në Gërdec, në periferi të Tiranës, ku u vranë dhe u plagosën mbi 300 qytetarë shqiptarë, sërish Tirana dhe Kabuli kanë një tjetër lidhje, sërish me armët. Por që shiteshin edhe kur mund të dhuroheshin. Shiteshin nëpërmjet një amerikani 22-vjeçar dhe një ndërmjetësi misterioz nga Zvicra.
Revista MAPO publikoi dje në numrin e saj javor të radhës, dosjen amerikane e cila bën fjalë për tregtinë e municioneve që Ministria shqiptare e Mbrojtjes i shiti një kontraktori të Pentagonit, Efraim Diveroli. Municionet, pronë e shtetit shqiptar, por të prodhuara në Kinë që nga viti 1962, ishin të destinuara për forcat afgane të sigurisë. Ligji amerikan e ndalon importin e armatimit nga Kina. Duhej të ndodhte tragjedia e Gërdecit që në Shqipëri të mësohej dhe një detaj tjetër misterioz: 1000 copë fishekë shiteshin për 42 dollarë, ndërsa e njëjta sasi nga Republika Çeka apo nga Hungaria, shitej respektivisht me 19 dhe 21 dollarë.
Në rastin shqiptar kishte dhe një kulm tjetër në trekëndëshin shitës-blerës, ky ishte Henry Tomei, një zviceran me kompani aktive në Bosnje Hercegovinë dhe në Qipro, i cili merrte një përqindje, nëse mund të quhet e tillë, për çdo transaksion. Në Shqipëri janë formuluar akuza politike se paratë e përfituara nga Tomei riktheheshin në mënyra të ndryshme në formë “bakshishi” për zyrtarë dhe qytetarë të tjerë shqiptarë të implikuar në këtë histori milionere.
Denoncimi i kësaj historie u bë nga Kosta Trebicka, biznesmeni shqiptar i nënkontraktuar nga AEY për ripaketimin e municioneve. Zoti Trebicka vdiq në një aksident automobilistik në 12 shtator në juglindje të vendit, në një fshat të Korçës.
Revista MAPO ka mundur të sigurojë dhe boton pa koment faktet hetimore që Kongresi Amerikan ka përpiluar për këtë çështje. Dokumenti prej 25 faqesh mban datën 23 qershor 2008 dhe një përmbledhje e tij e shkurtuar, është botuar po në revistën MAPO, në datën 28 qershor 2008.
Në dosje përmendet fakti që Presidenti Bamir Topi, gjatë vizitës së tij në Irak, në dhjetor 2007, ka afruar për forcat afgane të sigurisë dërgimin falas të municionit. Kjo ofertë është bërë ndaj Gjeneralit David Petraeus dhe Ambasadorit Ryan Crocker.
E njëjta ofertë është bërë dhe nga Kryeministri Berisha në një deklarim të tijin publik në Kuvend, kur ai pranoi se i kishte telefonuar kryeministrit afgan Karzai, duke i premtuar armatim dhe municion falas.
Që prej 15 marsit, në kuadër të hetimit për tragjedinë e Gërdecit, grupi hetimor i ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme, po heton edhe për trafikun e mundshëm të municioneve nga Shqipëria. Janë disa histori paralele që nuk nisin në Gërdec, por që i bashkojnë emrat e të njëjtëve protagonistë. Siç shprehej dhe vetë Diveroli në bisedën e tij telefonike me Kosta Trebickën, tashmë “gjithçka ka dalë nga kontrolli...”. Në fakt, ka një kontroll të fortë dhe nga përtej oqeanit. Në SHBA, Diveroli tashmë është nën dhjetëra akuza penale. Se çfarë po ndodh në Shqipëri, nuk është fort e qartë. Duke publikuar dosjen hetimore amerikane, nisur nga numri i sotëm, MAPO synon që të lejojë lexuesin që të heqë vetë, sipas dëshirës dhe mundësisë, paralelet krahasuese shqiptaro-amerikane.
Më 26 Janar 2007, Ushtria Amerikane i akordoi një kontratë prej $300 milionë dollarësh kompanisë AEY Inc, e bazuar në Florida me pronar Efraim Diverolin, për të furnizuar me municion Forcat e Sigurisë Afgane. Më 23 Maj 2008, pas 66 milionë dollarë pagesa, Ushtria Amerikane e përfundoi kontratën e saj me AEY. Më 19 qershor 2008, një gjykatë e lartë federale procedoi për ndjekje penale ndaj kompanisë AEY, zotin Diveroli dhe tre individë të tjerë të asociuar me AEY, me akuza kriminale në lidhje me prokurimin e municioneve nga ana e AEY brenda kontratës së akorduar.
Kontrata e AEY mund të shihet si një shembull për të treguar se çfarë nuk shkon në procesin e prokurimit. Provat para Komisionit, tregojnë që së pari kontrata nuk ishte e nevojshme, se mungonte një analizë e tërthortë ndaj kualifikimeve të AEY dhe dëshmojnë për një ekzekutim të varfër gjatë mbikëqyrjes së kontratës. Rezultati është që taksapaguesit amerikanë, i paguan 66 milionë dollarë një kontraktori që ofroi municion “jashtë përdorimit”, shumica e të cilit ishte me origjinë ilegale kineze.
AEY dhe presidenti i saj Efraim Diveroli, ishin futur në këtë listë që prej prillit 2006, për shkak se ishte nën investigimin e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave Amerikane për një sërë “shkeljesh ndaj Aktit te Eksportit të Armëve dhe për mashtrim në kontratë”. Lista e monitorimit paralajmëronte se “licensat e ardhshme që i jepeshin Diverolit dhe kompanisë së tij duhej të ishin subjekt i një vëzhgimi të kujdesshëm dhe rigoroz”. Lista përfshinte edhe emrin e Heinrich Thomet, presidentin e Edvin, Ltd., një kompani e bazuar në Qipro dhe që vepronte si ndërmjetësi i AEY; si dhe Ylli Pinarin, kreun e MEIKO-s, kompanisë ushtarake shqiptare që furnizonte municionet nga Shqipëria.
AEY duket se ka thyer ligjin federal i cili ndalon blerjen e municioneve kineze. Kosta Trebicka, një biznesmen shqiptar që ishte marrë në punë nga AEY, i tha Komisionit se puna e tij konsistonte në nxjerrjen e municioneve nga arkat me mbishkrime kineze dhe qe t´i ripaketonte ato në kuti kartoni para se të niseshin për në Afganistan. Sipas zotit Trebicka, Diveroli e kishte pyetur atë: “nëse kishte mbishkrime në gjuhën kineze mbi pakot apo brenda kutive metalike”, dhe se e kishte udhëzuar atë “të sigurohej që brenda kutive prej kartoni të mos kishte asnjë dokument të shkruar”. AEY, Diveroli dhe tre të tjerë tashmë përballen me akuza kriminale në lidhje me prokurimin e municioneve kineze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›