Gjirokastër, shiu nxjerr të çarat pas tragjedisë
GJIROKASTER
Çarje të tjera dheu janë konstatuar mëngjesin e djeshëm në zonën ku do ndërtohej pallati 8-katësh. Sipas specialistëve janë provokuar nga reshjet e shiut të mbrëmshëm në Gjirokastër, duke treguar pasojat e tronditjes së tokës të dielën. "Rënia e nivelit shtufor në këtë zonë, është e ndjeshme", shprehen specialistët që kanë parë nga afër terrenin në fjalë. Shenjat janë mjaft të qarta sidomos në pjesën e poshtë kodrinore, rreth 50 metra në jug të rrënojave të pallatit të rrëzuar. Bashkia e Gjirokastrës prej disa ditësh, ka urdhëruar daljen në terrenin përkatës dhe analizën e truallit nga ana e specialistëve që kanë për të dhënë konkluzione shtesë mbi rrezikshmërinë, që mund të mbartë ky vend, pasi ende ekzistojnë disa banesa të populluara. Ndërkohë, banorët që humbën shtëpitë e tyre gjatë dy ditëve të fundit, kërkojnë nëpër gërmadha ato sende që mund të mos jenë dëmtuar nga shkatërrimi. Kujtimet më të shtrenjta si fotografitë, reliket apo dhe disa objekte personale, disa prej banorëve kanë arritur t'i gjejnë gjatë eksplorimit të kryer nën rrënoja. Ata po mundohen të shkëpusin të vetmet sende, që mund t'u kujtojnë atë periudhë para se të shihnin tragjedinë me sy. Më e rëndë ishte ngjarja për familjen e Jeton Dalanit, i cili humbi të shoqen dhe vajzën e vogël, ndërsa familja Zoto të zonjën e shtëpisë, Parashqevinë. Për këtë ngjarje, hetimet nuk kanë arritur ende të plotësohen, pasi organi i akuzës është i përqendruar në marrjen e deklarimeve të së gjithë personave, që kanë pasur lidhje me veprimet teknike në dhënien e lejes së ndërtimit firmës "Arti Ndërtim" sh.p.k. Në organin e akuzës janë pyetur dje në cilësinë e dëshmitarit, anëtarët e Këshillit Teknik të Bashkisë së Gjirokastrës. Pothuajse të 16 anëtarët e këtij organi janë marrë në pyetje nga oficerët gjyqësorë, për të raportuar rreth mënyrës së trajtimit të dosjes së mbërritur në këtë organ, para se të legjitimohej si leje për ndërtimin e objektit shumëkatësh. Sipas njërit prej anëtarëve të Këshillit Teknik në Bashkinë e Gjirokastrës, pyetjet e oficerëve gjyqësorë të çështjes, kanë qenë të përqendruara në marrjen në konsideratë të propozimeve të bëra nga specialistët për objektin në fjalë, qëndrueshmërinë e truallit shtufor si dhe mënyrën e kalimit të dosjes drejt KRRT-së. Interesimi i përfaqësuesve të organit të akuzës, ka qenë i lartë rreth studimit në terren të piketave, ku do të ndërtohej pallati tetëkatesh dhe respektimi i sugjerimeve të specialistëve për paqëndrueshmërinë e truallit.