“Kumbari” bllokon 60 salla të lojërave të fatit, pa licencë
TIRANE - Policia e Shtetit bllokon 60 salla ku ushtrohej biznesi i lojërave të fatit ndërsa denoncon në prokurori pronarët e këtyre subjekteve. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në të gjithë vendin gjatë ditëve të fundit së bashku me policinë tatimore u kontrolluan 210 salla ku ushtrohej biznesi i lojërave të fatit. Gjatë këtij kontrolli, policia zbuloi raste të ushtrimit të pa licencuar të veprimtarisë dhe për këtë shkak, pronarët e subjekteve u denoncuan në prokurori për akuzat “organizim i llotarive të palejuara” dhe “vënie në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara” si dhe “shmangie të detyrimeve tatimore”. Subjektet e ndëshkuara penalisht janë proceduar edhe me gjoba administrative, pasi janë gjetur me shkelje në aktivitetin e tyre. Zbulimi i këtyre rasteve ndodhi gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe policisë tatimore, të koduar me emrin “Kumbari”. Në të gjithë vendin gjatë operacionit 2-ditor u kontrolluan më tepër se 210 subjekte që ushtronin aktivitetin e tyre në këtë fushë dhe prej tyre 60 janë gjetur me shkelje. Gjatë aksionit mësohet se janë bllokuar rreth 350 makineri të cilat janë gjetur mbi limitin për të cilin subjektet ishin licencuar. Policia gjatë dy ditëve të operacionit ka bllokuar 70 makineri të ndryshme të cilat janë gjetur tepricë në krahasim me sasinë e licencave, si dhe 2 ruleta që përdoreshin në lojërat e fatit. Policia përpiloi dokumentacionin dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës, 11 persona pronarë të sallave të lojërave të fatit në kryeqytet. d.b