Lorik Cana, kapiteni që i bën të gjitha për Marsejën
Ndonjëherë shihet në mbështetje të sulmit, ndonjëherë tjetër në mbrojtje, ky është kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, i cili lë të kuptohet se është njeriu që bën gjithçka për ekipin e tij. Influenca e tij, rrit gjithashtu entuziazmin pas tre fitoreve të mëdha të arritura njëra pas tjetrës në ndeshjet e fundit. “Që prej vitit të parë që erdha këtu, arrita të kuptoj se për çfarë ka nevojë ekipi i Marsejës për të arritur sukses”, shpjegon shqiptari i cili u bashkua me këtë ekip në 2005-ën. Kur gjendja e ekipit shkon keq, Cana shpesh ndëshkohet me karton nga shpirti i tij luftarak. Kur gjithçka ecën mbarë, kështu si tani, është cilësia e tij prej të pjekuri dhe statusi i liderit që e bën të evitojë pasojat që mund të sjellë entuziazmi. Për të penguar të gjitha “çlodhjet”, duhet që ai “të ketë gjithmonë ndërgjegjësim për progresin, për rezultatet për nivelin konstant të ekipit, fanellën e të cilit mban veshur”, thekson Cana. Marseja, e cila ka fituar tri ndeshjet e fundit përballë Sënt-Etienit, PSV-së dhe Grënoblës, duke shënuar nëntë gola dhe duke pësuar vetëm një, gjendet në vendin e dytë në kampionat, me katër pikë diferencë me Lionin. Pas 13 javësh kampionat, sulmi i kësaj skuadre ka qenë i jashtëzakonshëm, teksa ka realizuar 27 gola. Megjithatë kapiteni nuk është i kënaqur me kaq. “Mënyra më e mirë është të qëndrojmë me këmbë në tokë, përderisa kanë mbetur edhe 2/3 e kampionatit”, nënvijëzon ai. Sigurisht që klubi punon me më tepër qetësi tani dhe “ka një atmosferë fantastike si brenda dhe jashtë fushës, mes djemve, të cilët merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin dhe gëzimi duket qartë në fytyrat e tyre”. Por nuk duhet që kjo të jetë në varësi të punës dhe të shpirtit të garës”, insiston ish-lojtari i Paris Sën Zhermenit. Nuk është e nevojshme të shihet e vështirë një ndeshjeje si ajo që pret Marseja me Lorianin, të shtunën në stadiumin “Velodrome”. Në dallim me sezonet e shkuara kur klubi marsejez kishte tendencën për të humbur pikë ndaj ekipeve të cilësuara si më të dobëta. Përsa i përket aftësive personale, cilado qofshin ato, Cana pohon se ndihet i kënaqur që mban veshur fanellën e Marsejës edhe pse nuk luan në pozicionin e tij të preferuar: mesfushor i tërhequr. Që prej fillimit të sezonit, ka pasur raste ta shohim disa herë në mbështetje të sulmit dhe konkretisht kundër Atletikos së Madridit në Ligën e Kampioneve, ndërsa aktualisht ai mban postin e mbrojtësit qendror me Hiltonin. “Është e sigurt që më pëlqen të luaj në mesfushë, por për momentin skuadra ka nevojë që unë të luaj i tërhequr dhe këtë e bëj me kënaqësi. Më pëlqen të luaj përkrah Hiltonit, me të cilin kam raporte të shkëlqyera si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj”, shpjegon kapiteni. “Trajneri ka besim të plotë tek unë dhe jam përpjekur që këtë t’ia shpërblej me lojën time”, shton ai duke saktësuar: “Sa herë që ai të kërkojë ndihmën time, nuk do të ketë asnjë problem nga ana ime. Do të jem aty ku do ai”.