E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diversioni me Berishën

Eva Allushi 

Edi Rama po kërkon të mos ndryshojë asnjë kusht, rrethanë, apo element në Partinë Socialiste që pas 28 qershorit, pavarësisht se tashmë po ndërtohen platforma të qarta për ndryshimin e strategjive dhe ka potenciale që ofrohen për t’i vënë ato në jetë në shërbim të Partisë Socialiste.
Pse? E para nuk ka ndryshuar asgjë tek Edi Rama vetë. Po kështu, për shkak të mos dëshirës për t’u përballur me një realitet që servir të vërteta të padëshirueshme, të tjerë e bëjnë si struci, madje vazhdojnë me të njëjtën strategji sikur ende janë në fushatë elektorale.
Është e dhimbshme t’i radhis këto argumente, por është më e trishtueshme të hesht.
Sot, në Partinë Socialiste nuk po ndryshon e nuk po shihet asnjë vullnet pozitiv për të ndryshuar, minimalisht natyrën dhe mënyrat e opozicionit. Kjo edhe pse po i qëndrohet larg ndryshimit, përsa sa kohë që artikulohen dhe zgjedhjet e parakohshme, pa shtruar as edhe një rrugë sesi mund të shkohej deri atje.
Nuk të thotë asgjë konferenca e çdo dite për shtyp, kur lexonjësi i 2 paragrafëve të thëna me nxitim nga kryetari në detyrë, kryen detyrën e PS për çdo 24 orë. Ky është i vetmi veprim opozitar që ndodh dhe madje ka katër vjet që po ndodh nga partia më e madhe në opozitë.
Rezultati? Njihet tashmë.
Po a ka mendje të tjera, zëra të tjerë, fuqi të tjera brenda kësaj partie kaq të madhe që ka fituar në vazhdimësi ndaj Berishës, të cilët të reflektojnë, të kuptojnë që me këtë fasadë, me këto limonada që i japim përditë opinionit nuk arrihet dot ajo që tashmë do të pritet edhe më gjatë, fitorja.
Cili trajnues, cila kompani, cila përvojë, cila frikë, cila modë, na detyrojnë të sillemi sikur kemi lindur sot bashkë me opozitarizmin, e të harrojmë që ne socialistët jemi ata që i kemi dhënë tonin jetës politike në vend, edhe atëherë kur nuk kishte as një mikrofon për të artikuluar një fjali, e jo më të kishe luksin që lexuesit e deklaratave të kujdeseshin më shumë për kravatat e kostumet se për deklaratën e radhës që do të “shkatërrojë” Berishën brenda 24 orësh.     
Po ajo që po vërehet së fundmi, është kujdesi që paragrafi i fundit në këto deklarata t’i kushtohet zhvillimeve të brendshme në PS.
Skandali i parë është fakti që lexonjësi i deklaratës, ka raste që nuk përfaqëson asgjë në PS, nuk është i zgjedhur në asnjë forum, deri në 28 qershor nuk e njihte askush.
Pra, ky askushi ngrihet dhe na flet për PS si pasuri e paçmuar, ngrihet dhe na i bie gjithkujt që ka një mendim të ndryshëm me Edi Ramën, për faktin se ai nuk u bë kryeministër dhe socialistët nuk erdhën në pushtet, madje ngrihet dhe na bën dhe diversion.
Ngrihet askushi i ardhur nga dikushi dhe flet edhe bën diversion brenda PS, duke thënë se kryetarin e PS nuk e zgjedh dot Sali Berisha dhe se PS nuk është në ankand.
Në emër të frikës nga përçarja luhet me sensibilitetin e bazës dhe ngrihet në piedestal uniteti, i cili në çdo rast nuk mund të jetë fals. Flitet për të pakënaqur dhe për interesa të vogla të atyre që iu vënë emër shkaqeve dhe pasojave dhe anashkalohet fakti që tashmë për interesa shumë më të mëdha po kërkohet të përdoren mijëra e mijëra anëtarë të Partisë Socialiste, të cilët nuk po kanë kohë të qajnë hallin e tyre, përballë hallit të kryetarit. 
Pra, një diversion i qartë, fundi i të cilit dihet.
Kjo tashmë është një skemë e njohur brenda PS dhe për hir të së vërtetës nuk është ekskluzivitet i Edi Ramës, por produkt i atyre që kanë mundur të mbijetojnë në sajë të intrigave dhe prapaskenave.
Që herët, ata që kanë pasur mendim divers shpesh janë akuzuar mbi dhe nën rrogozë për lidhje me Sali Berishën, kjo akuzë e paprinciptë nuk ka kursyer as qarqet më të larta në PS.
Qesharake, e turpshme, aspak dinjitoze.
Ka ardhur koha të kuptohet që këto akuza të pavlera nuk dëmtojnë kurrkënd në PS, jo më ata që kanë bërë dhe e bëjnë çdo ditë historinë e PS.
Sali Berishës i intereson të bëjë pakte me institucione e individë në emër të institucioneve dhe jo me luftëtarë, të cilët nuk kanë asnjë pasuri veç fjalës së lirë.
Kjo, sepse linjat ideologjike vështirë të kenë të bëjnë apo të pleksen me ato tregtare. Madje, po të kishim keqdashjen për t’u fokusuar ca më tej do të shihnim sesi madje ka edhe disa të mandatuar të sotëm që bëjnë biznes me qeverinë, çka do të ishte normale, nëse nuk shfrytëzohej pushteti politik në emër të atij ekonomik.
Zoti na ruajtë, mos ndokush në emër të këtyre interesave okulte të shesë apo dorëzojë mandatin… 
Ndoshta kjo për shumë kënd tingëllon dhe normale, ndoshta është dhe normale në këtë anormalitet që gëlltitim çdo ditë.
Sepse të bashkëpunosh me pushtetin do të thotë të mbash të njëjtën, kosto qoftë kur bashkëpunimi është i karakterit import eksport, qoftë në lëmin e projekteve, apo të lejeve të ndërtimit.
Nga ky aspekt pushteti dhe forma korruptive që ai ofron është pa ngjyrë dhe nuk bëhet i denjë, apo i ndershëm, kur pushtetari nuk i takon palës kundërshtare. Dhe në këtë vend të vogël mund ta luash rolin e strucit, po pa dobi.
Andaj është e vështirë të analizosh kthjellët në ditët e sotme dhe të bëhesh pjesë e një  gjykimi i cili vetëm sa i bjerr figurat që rreken të kontribuojnë në të, duke i kthyer disa herë në gurë peshoreje që vetëm sa i rëndojnë njërës anë.
Do të ishte e udhës që figurat të ruajnë solemnitetin e figurës, sepse të kesh qenë p.sh., kundër Nanos, kjo nuk të jep ekskluzivitetin si antikryetar, të mbetesh gjithmonë i paanshëm dhe mbi palët.
Nga kjo pikëpamje, në kushtet kur lidershipi është i mbërthyer në ganxhat e unit, PS nuk duhet të mbetet ekskluzivitet i kostove të jo-ve të Edi Ramës, apo i interesave që kanë mbërthyer një grup, i cili ushqen sot e gjithë ditën spotet e PD, të cilat nuk ka mision e vizion që t’i mbulojë.  
Duhet dalë nga ky rreth vicioz.
Sepse situata tashmë është e qartë
Edi Rama do të përdorë një kartë të djegur kur t’u thotë delegatëve se statuti është miratuar nga një maxhorancë dhe se në rendin e ditës nuk është përfshirë kjo paketë ndryshimesh, si ofertë në fakt,  për rritjen e garancive që lidhen me një PS të së gjithë socialistëve dhe jo vetëm, paketë, e cila nuk ka pse tremb kurrkënd sa kohë që rrit detyrimin e përgjegjësitë e strukturave dhe mbron partinë nga dëmi që mund t’ shkaktojë një individ, kushdo qoftë ai. Kjo filozofi është mbështetur tashmë nga qindra delegatë firmëtarë, moskonsiderimi i tyre do t’i shërbente pikërisht diversionit në PS dhe jo kohezionit e solidaritetit, në emër të së cilit sot po kërkohet heshtja me ngulm.
I ndodhur në presionin e humbjes së tij, Rama po nxiton të fitojë disa beteja të vogla, të cilat në çdo rast do të mbeten të pakonsideruara për “nga pesha e gjësë dhe robërve të kapur”. Shumë shpejt, madje para betejës së nominuar të lokaleve, të shuar nga zjarri i emocioneve pro kryetarit në detyrë, nëse mbetej në krye të PS, mbështetësit do të vërenin me sy të vranët se ç’korrën nga ajo që mbollën.
JO, nuk kam humbur, JO nuk kam fituar, JO nuk dorëhiqem, JO nuk pranoj ndryshimet në statut, JO nuk kam gabuar.
Ç’keqardhje që në mendësinë e një lideri që duhet të reflektonte përmasa të tjera nuk ka, nisur edhe nga pesha e madhe e përgjegjësisë , pra nuk gjendet as edhe një PO, as edhe një pranim, as edhe një reflektim, as edhe një frenim.
Ah po, na siguroi se ka dëgjuar. E në këtë kontekst: Shtyje si ta shtyjmë, Rama del me tezën e zgjedhur e të kërkuar të zgjedhjeve të parakohshme.
Një pritshmëri jetike kjo për të majtët, një gur i rënde prove për çdo politikan që shikon tek vetja liderin.
Por asgjë nga këto s’i takojnë Ramës. I bindur, që pasi t’i mbushë katër vjeç koalicioni Meta-Berisha, askush nuk do t’i thotë, nëse do të mbetej në detyrë, ku ishin zgjedhjet e parakohshme, pse na zhgënjeve, pasi sërish ai do të kërkojë justifikime të reja.
Sepse Edi Rama e di mirë, më mirë se askush tjetër, që sot nuk ka dhe nuk disponon asnjë mjet dhe nuk gjen dot asnjë rrugë anësore për të ndërprerë autostradën Meta-Berisha, themelet e të cilës janë ndërtuar dhe konsoliduar nga urrejtja mes opozitarësh që shihnin të njëjtën ëndërr.
Sepse Edi Rama sot e di mirë, që nëse mbetej në krye të PS, një betejë edhe më e vështirë tashmë nga çdo pikëpamje, me një të majtë tërësisht të përçarë, do ta priste në 2011 në zgjedhjet lokale, humbja e të cilave do të ishte një grusht direkt mbi çdo socialist.
Sepse Edi Rama, e di mirë, që nëse mbetej në krye të PS, do ta kishte të vështirë të ndërtonte një strategji, kështu, i ndodhur mes paradokseve politike që me shpejtësi i ndërtoi vetë për t’u mbrojtur, teksa deklaron se nuk i njeh zgjedhjet, por ndërkohë njeh institucionet që kanë dalë nga këto zgjedhje. 
Epo, nëse fëmija lind i çalë, nëna nuk mund të pretendojë ta bëjë kampion të garave në 100 metërsh.
Këto, nëse më lejohet, ndoshta mund të ishin shqetësimi kryesor i figurave që shihen e do të duhej të shiheshin si garanti i zhvillimeve në PS, e jo akrobacirat të cilat nuk ua lejon as mosha.
Një titull pasi e fiton duhet ta mbash, kjo ndodh duke u vetëverifikuar në konkurrenca të njëpasnjëshme. Po në Shqipëri titujt “honorifikë” janë mpleksur me titujt “e pronësisë”, prandaj siç duket dhe të urtët nuk i gjejmë dot më.
Dhe nganjëherë, është më e udhës të mbrohesh nga diversioni në radhët e tua…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›