Bushati: “Zgjedhjet ishin pa standarde, Berisha nuk mund të tallet me fatin europian të vendit”
Partia Socialiste ka reaguar pas publikimit të raportit më të fundit të Komitetit Shqiptar në lidhje me ecurinë e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Deputeti socialiste, Ditmir Bushati, tha se ky raport konfirmon denoncimet e vazhdueshme që ka bërë Partia Socialiste përpara opinionit publik. Ndër këto denoncime Bushati renditi deformimin e votës së shqiptarëve me anë të korrupsionit elektoral para, gjatë dhe pas fushatës, si dhe kthimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një instrument ilegal përmes vendimmarrjeve ilegale dhe tërësisht politike.
Sipas deputetit socialist, raporti i KSHH-së është në të njëjtën frymë me atë të vëzhguesve ndërkombëtarë. Bushati tha se përgjegjësi për deformimin dhe manipulimin e zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha, nuk duhet t’i mohojë këto fakte dhe për më tepër nuk duhet të tallet me fatin europian të Shqipërisë. “Raporti, në të njëjtën frymë me atë të misioneve ndërkombëtare, rikonfirmon për të disatën herë shkeljet në procesin zgjedhor që ndikuan në tjetërsimin e votës, shkelje që kanë të bëjnë me mohimin e votës për një kategori të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë, abuzimin me asetet shtetërore dhe presionin mbi nëpunësit e administratës publike, parregullsitë me listat e votimit, votimin familjar, mosaplikimin korrekt të bojës shënjuese që shmang votimin më shumë se një herë, vendosjen e qendrave të votimit në ambiente private të militantëve të Partisë Demokratike dhe ndërhyrjet e presionet gjatë procesit të numërimit. Arkitekti i manipulimit të vullnetit popullor nuk mund të fshihet pas këtij realiteti që sa vjen e rëndohet edhe për shkak të krizës ekonomike që ka mbuluar familjet shqiptare, nëpërmjet takimeve të improvizuara me personalitete në pension të jetës europiane. Berisha nuk mund të tallet me fatin europian të Shqipërisë kur qeveria e tij ka dështuar pikërisht me plotësimin e standardit kryesor europian, që është mbajta e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Prandaj, misioni ynë si opozitë do të jetë në funksion të mbrojtjes së demokracisë së kërcënuar”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati.
27 Gusht 2009