E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, jo më në treg detergjente “fantazmë”

 

Aristir Lumezi

Në treg nuk do të ketë më detergjente “fantazmë”, që nuk dihet në çfarë bodrumesh prodhohen e nga vijnë.  Nuk do të shiten më produkte që kanë lëndë kimike, që mund të sjellin pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve. Për herë të parë në vendin tonë Këshilli i Ministrave miraton një ligj të posaçëm për të garantuar konsumatorin. Shkelësit e tij do të paguajnë gjoba deri në 2 milionë lekë. Ky ligj sipas Qeverisë vjen në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe në përputhje me të gjitha standardet e BE. “Fabrikuesit dhe importuesit e detergjenteve të ndryshëm për larje e pastrim me kërkesë të Inspektoratit Sanitar Shtetëror, duhet të vënë në dispozicion të këtij inspektorati, pa vonesë e falas, të dhënat për përbërësit”, thuhet në ligj. Sa i përket etiketimit në paketimin e detergjenteve duhet të vendosen patjetër një sërë elementesh. “Duhet të vendoset emri dhe emri i tregtar i produktit si dhe marka e tregtimit, adresa e plotë dhe numri i telefonit të personit përgjegjës për vendosjen e produktit në treg, i njëjti informacion jepet në të gjitha dokumentet shoqëruese të detergjenteve, të transportuar në sasi të madhe”, thuhet në nenin 10 të ligjit. Informacioni në etiketë  do të jepet në gjuhën shqipe. “Në paketimin e detergjenteve në formë të lëngët, të vëna në shitje për konsumatorin, nuk vendoset paraqitja grafike e frutave, të cilat mund të çorientojnë përdoruesin”, saktëson ligji. Tregu do të kontrollohet nga inspektorati sanitar. Kjo strukturë organizon kryerjen e verifikimeve të duhura për informacionin e etiketës, për zbatueshmërinë e të dhënave të përbërësve dhe dokumentacionin e testimit për bio-degradueshmërinë. Merr mostra për testime ose analiza të detergjenteve dhe të lëndëve tensio-aktive për detergjente. “Në rastet kur, në bazë të një raporti testimi zbulohet mospërputhshmëria e detergjenteve dhe e lëndëve tensio-aktive për detergjente me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij, të gjitha shpenzimet për kryerjen e testimit mbulohen nga personi përgjegjës, që vendos produktin në treg”, thuhet në ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›