E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe sindromi i gomarit

Emin Barçi 

Nga atmosfera e deritan ishme duket sikur të shtunën në kongresin e PS, 620 mijë votuesit socialistë dhe 68 mijë votuesit e aleatëve të tyre shpresojnë të gjejnë rrugën më të shkurtër që i çon drejt pushtetit dhe “gjeneralin” më të zotë që mund “armiqtë”.
Nga ana tjetër, 800 mijë shqiptarë të tjerë, midis tyre 86 mijë të presupozuar të majtë (LSI) që presin të konfirmojnë drejtësinë e vendimit të tyre për të mos votuar për të majtën e udhëhequr nga PS më 28 qershor 2009.
Mënyra se si socialistët do i përgjigjen këtyre interesave të shtunën e në vijim, do përcaktojë së paku tendencën e “horoskopit’ politik, pjesë e rëndësishme e të cilit është dhe raporti me pushtetin.
Unë e di se shumë njerëz duan përgjigje të thjeshta dhe të prera, si p.sh. pozicionimi ndaj Ramës, Blushit, Malajt apo duan të dinë lëvizjet “sekrete” të Nanos. Por historia e re dhe kokëfortë po tregon se përgjigjet apo vendimet e thjeshta dhe të shpejta, empirike njëdimensionale edhe kur janë shumëngjyrëshe e kanë futur PS-në dhe të majtën në centrifugë, duke e shtyrë gjithnjë e më në periferi vendimmarrjes politike e institucionale kombëtare.
Që në fillim dua të theksoj se mendoj që në PS problemi nuk është statutor.
Aq më pak identiteti dhe uniteti i socialistëve dhe të majtës nuk mund të fabrikohet duke krijuar rregulla të reja, sepse e ardhmja nuk imponon probleme statutore, por probleme politike.
Zgjidhja që unë mendoj se duhet të përqafojë PS nuk mund të jetë mohimi i humbjes dhe hedhja e fajit tek të tjerët. Nëse të shtunën dhe pas saj socialistët do vazhdojnë të kërkojnë fajin e humbjes tek “mjeshtëria” e kundërshtarëve për të vjedhur çdo gjë - duke nisur nga  votat – rrugën për në pushtet e kanë shumë të gjatë dhe të pasigurt.
Unë nuk dua të merrem me problemin (humbja sistematike e zgjedhjeve) dhe shpresoj që socialistët të shtunën e 29 qershorit 2009 dhe e majta në tërësi pas saj të merren me zgjidhjet.
Dhe kush janë zgjidhjet? Sipas meje PS mund të rifitojë besimin e shumicës së shqiptarëve me tre kushte:
1) Të pranojë me kurajo humbjen dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë përballë të majtës dhe vendit;
2) Të gjejë kauzën me të cilën do motivojë për të ardhmen socialistët, të majtën dhe shqiptarët në tërësi;
3) Të riinstalojë lirinë e brendshme që e ka humbur prej kohësh.
Është evidente që nga 28 qershori 2009 shumë individë në PS janë komod me “status quo”-në moçalore të lidershipit aktual me arsyetimin se “si Berisha edhe ne do mund të vijmë ndonjë ditë në pushtet”. Ata janë komodë, sepse PS-në dhe politikën i kanë parë dhe përdorur si instrumente për pasurim të lehtë dhe të shpejtë. Ata janë komodë, sepse gjithnjë gjejnë nëpërmjet PS ndonjë copëz pushteti qendror apo vendor për të vazhduar sipërmarrjen ekonomike në kurriz të asaj politike. Ata janë komodë, sepse rezervat ekonomike dhe financiare në këto 4 vjet të opozitës së socialistëve të thjeshtë jo vetëm që nuk i kanë konsumuar - përkundrazi i kanë shtuar. Prevalimi i klaneve dhe interesave të tyre bëri që më 28 qershor 2009 socialistët ngatërruan përballë elektoratit ofertën me kërkesën. Këto klane po bëjnë çmos që PS t’i bjerë sindromi i gomarit, që kur po e kafshonte ujku mendonte se ishte në ëndërr. PS-ja nuk i afrohet dot pushtetit me mjetet obstruksioniste të Berishës ’97-2005, sepse Doktori është gjallë për të shëruar pickimet e grerëzave të inatosura nga mosarritja e pushtetit dhe sepse tani ka aleat edhe Ilir Metën, që nuk i njeh pas dobësitë e socialiste. PS mund t’i afrohet pushtetit vetëm nëse demonstron kurajo për të pranuar gabimet dhe përgjegjësi për të shkuarën dhe të ardhmen e saj e të vendit. Qëndrimi ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit 2008 nuk ka të bëjë me të shkuarën, por me të ardhmen.
Nëse duhen nxjerrë konkluzione dhe mësime nga e kaluara, unë kam bindjen se mungesa e kauzës dhe lirisë, etja për pushtet për pasurim të shpejtë i ka çuar socialistët dhe të majtën në humbjen e 3 palë zgjedhjeve rresht; 2005, 2007 dhe 2009.
Në vitin e largët ’91, ditën e parë të lindjes së PSSH, Fatos Nano formuloi kauzën e socialistëve që ishte ndërtimi i një Shqipërie demokratike, me ekonomi tregu, me barazi sociale, moderne dhe të integruar në familjen euroatlantike. Kjo kauzë i dhuroi socialistëve primatin në skenën politike shqiptare deri në vitin 2005, kur ia dorëzoi pushtetin Berishës, i cili kalëroi me kauzën e “duarve të pastra”. Me kauzën e ’91-shit dhe lirinë që adaptuan për veten dhe shqiptarët, socialistët arritën të fitojnë besimin e shumicës së zgjedhësve shqiptarë në të gjitha zgjedhjet e ndershme dhe të rregullta të epokës pluraliste.
Unë besoj thellësisht se zgjedhjet e vitit 2005 u humbën pasi shumica e shqiptarëve (përfshi dhe ish-socialistët e LSI) vlerësuan që kauza e PS e vitit ’91 u zëvendësua me interesa xhepistësh politik dhe ngushtimi i hapësirave tradicionale të lirisë çoi në fragmentarizëm.
Në 3 zgjedhjet më të fundit parlamentare dhe vendore dhe në copërat e zgjedhjeve të pjesshme nga 2005 deri në 2009, socialistët humbën sepse kishin në vend të kauzës përqasjen ndaj pushtetit për interesa ekonomike personale.
Në thelb të kauzës së re të socialistëve nuk mund të jetë “fitimi i pushtetit me çdo kusht”, aq më pak me një lidership që nuk merr asnjë përgjegjësi dhe që nuk mban premtimet. Në thelb të kauzës së re të socialistëve nuk mund të jenë konkluzionet e agriturizmit politik që PS zhvilloi këto 4 vitet e fundit. Kauza e re e PS duhet të garantojë kompaktësimin dhe jo fragmentarizmin e mëtejshëm të saj, duhet të garantojë krijimin e një uniteti të ri programor dhe parimor brenda së majtës pa përjashtime. Kauza e re duhet të mirëpritet dhe votohet nga shumica e zgjedhësve shqiptarë. Çdo zgjidhje tjetër do garantonte qëndrim të gjatë të Berishës në pushtet dhe socialistëve në opozitë.
Për hir të pushtetit dhe në përgjigje të ofertës së Ramës, socialistët pasi kishin tjetërsuar kauzën me interesa që gjatë fundit të mandatit të fundit në pushtet, sakrifikuan dhe pasurinë e tyre më të madhe; lirinë. Deri në vitin 2003 socialistët bënë të kundërtën e demokratëve duke iu përgjigjur përjashtimeve të Berishës nga partia e tij me gjithëpërfshirje, arrogancës me tolerancë, servilizmit dhe krahinizmit me meritokraci etj. Kjo rrugë u dha socialistëve mundësinë për të qeverisur Shqipërinë dy mandate rresht. Me ardhjen e Ramës në krye, PS krijoi fasadë demokratike (1 anëtar – 1 votë) dhe realitet autokratik më keq se ai i Berishës ’92 – ’97. Rama me konsensusin e gjithë lidershipit aktual të PS e leu me bojë lirinë e PS për ta fshehur dhe për t’ia marrë frymën. Nëse kjo pasuri nuk do rifitohet, përveç 3 zgjedhjeve që janë humbur rresht, rrezikohet që socialistët dhe për pasojë gjithë e majta të humbin edhe shumë të tjera.
Të shtunën Rama ka shansin unik t’ia shpërblejë socialistëve mbështetjen, votën dhe dashurinë që i kanë dhënë për 11 vjet rresht – që nga ministër i kulturës në qeveritë Nano e Meta e deri tek Bashkia e Tiranës dhe kreu absolut i PSSH. Rama ka shansin të bëhet pjesë e zgjidhjes për të cilën PS dhe e majta kanë nevojë duke risjellë me shembullin personal përgjegjësi në vend të papërgjegjshmërisë, dashurinë në vend të diktatit inatçor, tolerancën dhe gjithëpërfshirjen në vend të përjashtimit të ri, vizionin në vend të interesave.
Pavarësisht nga vendimi i Ramës, pavarësisht nga qëndrimi i nxitësve të sindromës së gomarit, të shtunën socialistët kanë shansin t’i japin fund njehsimit të vetes me konkuistatorët e pasurive të pamerituara nëpërmjet abuzimit me pushtetin dhe t’i rikthehen kauzës tradicionale dhe moderne të së majtës euroatlantike për një ekonomi sociale të tregut me shtet rregullator dhe jo spektator të tipit Berisha.
Socialistët të shtunën duhet të japin mesazhin dhe provat se do nisin një transformim të vetes për të transformuar shoqërinë shqiptare drejt begatisë dhe solidaritetit njerë-zor nëpërmjet dhënies fund politikës që qeveria aktuale ka adaptuar për të shuar urinë apo nevojat e shtresave të varfra dhe të mesme nëpërmjet pasurimit galopant të pasanikëve. Kriza globale dëshmoi përfundimisht se modeli “Regan – Theçer”, të cilin kryeministri Berisha e ka për zemër ka dështuar.
Në fundjavë socialistët kanë shansin historik të nisin daljen nga “shpella e piratëve” drejt horizontit të parimeve dhe vlerave, duke formuluar dhe u angazhuar për një kauzë që i bën shqiptarët dhe Shqipërinë konkurrues dhe të integruar me kombet e përparuara dhe të begata. Socialistët kanë shansin t’i kthejnë vetes dhe vendit primatin e politikës mbi merkantilizmin.
Dhe shumë e rëndësishme është që socialistët të rikthejnë demokracinë në Shqipëri për të mos lejuar më që shteti të sillet si qehajai i fshatit me qytetarët e vet siç po ndodh rëndom në nivelin qendror dhe atë vendor. Por që ta bëjnë këtë, që shumica e shqiptarëve t’i besojnë dhe votojnë, socialistët duhet t’i rikthejnë me çdo çmim lirinë vetes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›