Çfarë varet nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste
Shaban Sulçe
Si asnjëherë tjetër në historinë e politikës shqiptare, rëndësia e punimeve dhe vendimeve të një kongresi i kalon kufijtë e një partie politike, duke rezultuar përcaktuese për të gjithë skenën politike. Nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, që do të zhvillohet në datën 29 gusht, do të varet jo vetëm fati i lidershipit të kësaj partie, por edhe fati i gjithë spektrit politik të majtë, madje çuditërisht edhe ecuria e negociatave për krijimin e qeverisë së re. Organi më i lartë vendimmarrës i forcës politike më të madhe të së majtës tashmë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë opinionit publik. Beteja midis Ramës dhe kundërshtarëve të tij dhe produkti i kësaj beteje po mban në “ethe” jo vetëm anëtarësinë dhe zyrtarët e Partisë Socialiste, por edhe aleatët e majtë, si dhe drejtuesit e kampit kundërshtar.
Lidershipi
Ndonëse në bazën socialiste është konstatuar deri tani një mbështetje masive e degëve lokale në drejtim të kreut aktual Edi Rama, Kongresi i Jashtëzakonshëm do të mbajë në ethe edhe mbështetësit e Blushit dhe të Malajt, të cilët shpresojnë në suksesin e objektivave të tyre. Kongresi i Jashtëzakonshëm do të jetë ballafaqimi dhe beteja përcaktuese midis pretendentëve për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Edhe pse zgjedhja e kryetarit të PS-së do të bëhet me anë të parimit “një anëtar, një votë”, rezultatet e Kongresit do të konsiderohen si një barometër domethënës në garën për kreun e PS-së.
Konfederata
Tri partitë aleate të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pas humbjes së zgjedhjeve tashmë kanë hedhur në tregun politik idenë e krijimit të një konfederate të majtë, duke nënkuptuar shkrirjen e këtyre partive brenda Partisë Socialiste. Ideja është hedhur dhe mbështetur nga Paskal Milo i Partisë Demokracia Sociale, nga Skënder Gjinushi i PSD-së, por së fundi edhe nga Erion Veliaj i Partisë G99. Gjithsesi, interesant është fakti se asnjë prej pretendentëve aktualë për postin e kreut të PS-së nuk do të paraqitet në Kongres me platformën e krijimit të Konfederatës, dhe kjo e fundit duket se do të varet vetëm nga preferenca dhe vendimi që do të marrë kryetari i PS-së pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së tij.
Qeveria
Negociatat midis kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-së Ilir Meta për formimin e qeverisë së re ishin planifikuar të zhvilloheshin në datën 20 gusht, por edhe kësaj here zhvillimi i këtyre negociatave u shty për në datën 2 shtator. Ndonëse nuk pati asnjë arsye zyrtare, burime nga të dyja palët deklaruan se shtyrja e negociatave kishte lidhje pikërisht me zhvillimet dhe vendimet që do të marrë Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, që do të zhvillohet pas dy ditësh. Ndonëse në plan të parë duket “absurde” lidhja midis vendimeve të Kongresit dhe fatit të negociatave, një lidhje e tillë duket se ekziston fuqishëm në kalkulimet që po bëhen në prapaskenat politike.
Kongresi, të shtunën në orën 11:00
Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste do të zhvillohet në datën 29 gusht, në orën 11:00, në Pallatin e Kongreseve. Ky ka qenë vendimi i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Sipas këtij vendimi, Kongresi do të diskutojë dhe do të miratojë qëndrimin e PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit dhe së dyti do të diskutojë për problemin organizativ lidhur me zbatimin e kërkesave të neneve të Statutit të partisë pas zgjedhjeve. Thënë më qartësisht, Kongresi do të zgjedhë kryetarin e ri, pasi aktualisht kreu Edi Rama mund të quhet me mandat të pandërprerë. Gjithsesi, Rama do të ketë të drejtën e rikandidimit, ndërkohë që pritet që në Kongres të shpallen edhe kandidatura të tjera për kreun e Partisë Socialiste.
27 Gusht 2009