Eagle Mobile hap një dyqan të ri në aeroportin “Nënë Tereza”
Kompania e telefonisë celulare në Shqipëri, “Eagle Mobile”, çeli me një ceremoni të veçantë në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" ambientet e reja promovuese, duke shënuar kështu hapjen e dyqanit të 48-të të kompanisë në shkallë vendi. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Ali Taskin, gjatë ceremonisë së inaugurimit tha se të gjithë abonentët dhe qytetarët shqiptarë mund ta gjejnë këtë kompani dhe shërbimet e saj që në momentin që vënë këmbën në tokën e tyre, e deri në skajet më të largëta të Shqipërisë. "Në këto 16 muaj jemi përballur me një kërkesë, interes dhe vëmendje shumë të lartë nga qytetarët shqiptarë. Ne nuk mund të rrinim pa u prezantuar edhe në këtë ‘Show Room’, ku servirim jo vetëm shërbimet bazë, por edhe të gjithë gamën e ofertave dhe shërbimeve të avancuara të kompanisë sonë", - theksoi Taskin. Në këtë "Show Room" u prezantuan shërbimet e “Eagle” si: “Mobile TV”, “Internet EDGE”, “Eagle USB Modem”, “FiksCel”, “EagleZone” etj. Shërbimi më i ri është ai i gjurmimit të automjeteve "Vehicle Tracking System". Nëpërmjet tij të gjitha kompanitë, bizneset dhe korporatat mund të mësojnë vendndodhjen e automjeteve të tyre, shpejtësinë, si dhe shpenzimin e karburantit.
27 Gusht 2009