E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorcet, në 3 muaj më shumë së gjysma e 2010-ës

24/03/2011  Shifrat rekord

FIER- Regjistrohen në gjykatën e rrethit Fier shifër rekord i divorceve. Numri i tyre pa u mbyllur ende 3-mujori i parë i këtij viti shkon në 192 divorce, ku gati 80% e tyre kanë përfunduar gjykimin me vendimin për ndarje të bashkëshortëve. Numri i divorceve për këtë periudhë është gati i njëjti me numrin e 6-mujorit të parë të vitit të kaluar kur u shënuan 320 vendime për prishje martese. Sipas të dhënave nga gjykata e rrethit gjyqësor Fier, natyra e divorceve është nga më të ndryshmet, por pjesën më të madhe e përbëjnë ndarjet për shkak të kushteve ekonomike ku nuk përjashtohen edhe rastet e mosmarrëveshjeve të ndryshme mes bashkëshortëve. Fenomeni në fjalë ndërkohë përcillet me shqetësim edhe tek komuniteti fierak. Kancelarja e Gjykatës së shkallës së parë të rrethit gjyqësor Fier, Flora Zoto, thekson se këtë 3-mujor ka arritur një shifër rekord të divorceve, madje duke tejkaluar edhe numrin e divorceve të 6 mujorit të vitit të kaluar. “Kemi edhe dosje të mbartura nga viti i kaluar”,-ka thënë Zoto dhe për fat të keq 80% të rasteve janë drejt përfundimit të shkurorëzimit të familjeve. Vetëm 2 raste kemi pajtimi që edhe në këto 2 familje nuk dihet sesi do të vejë e ardhmja, ndërsa 22 çështje janë pushuar për shkak të mosparaqitjes së njërit prej partnerëve. Sigurisht edhe në këtë rast ata nuk janë paraqitur të paktën njëri prej tyre sepse janë në emigracion".

Zenun Hajdarmataj thotë se: "Shkaqet janë kryesisht problemet ekonomike, largimi i njërit prej partnerëve në emigracion dhe krijimi i këtij të fundit të një familjeje të re, problemet e tradhtisë bashkëshortore, problemet mjekësore të njërit prej bashkëshortëve, si dhe probleme të tjera tejet vulgare që nuk ia vlen t’i kujtosh nisur nga një zënkë e çastit çka tregon edhe problemet në lidhje me shkallën e edukimit dhe arsimit të tyre. E keqja më e madhe është se shumica e tyre kanë fëmijë dhe sidomos kur kanë 2 fëmijë problemet e ndarjes së tyre bëhen edhe më të rënda. Zakonisht djalin e merr babai, ndërsa vajzën e mitur nëna. Ata që e vuajnë natyrisht janë fëmijët". Një prej psikologeve të këtyre çështjeve divorci Rovena Kadhe pohon se është shumë shqetësuese problemi i divorcit të prindërve sidomos tek fëmijët e mitur."Aktualisht kam një rast, thotë ajo një çift nga Fieri që kanë jetuar në Greqi në emigracion. Ata kanë një fëmijë djalë që jeton me ose pa dëshirën e tij me të atin. Nëna e tij ka mbetur në Athinë dhe me të ka vetëm lidhje telefonike. Djali është i traumatizuar dhe i ndikuar shumë negativisht për të ëmën. Djali 10-vjeçar në prezencë të të atit ka frikë të pohojë se dëshiron të jetojë me nënën e tij. Mendoni të ardhmen e tij dhe të qindra fëmijëve të tjerë si ai". A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›