E Shtunë, 31 Tetor 2026

EMERGJENCA Evakuim total në Fukushima

24/03/2011  Faktikisht zjarrfikëset duhet të hidhnin sërish ujë mbi reaktorin 3, i cili është me defekt, por aksioni u ndërpre. Stacioni televiziv japonez NHK njoftoi se i gjithë impianti atomik është zbrazur për shkaqe sigurie. Tym i zi del nga reaktori në të cilin ndodhet pluton me rrezikshmëri të madhe. E paqartë është se si do të vazhdojë puna në reaktorin fatkeq. Lëkundje të mëdha të tokës shkundën zonën ku ndodhet centrali katastrofal. Por impianti nuk ka pësuar dëmtime të tjera, bënë të ditur autoritetet e sigurisë së reaktorit. Tërmeti më intensiv ndodhi në orën 7: 12, sipas orës lokale me fuqi 6,0 ballë. Matësit amerikanë të lëkundjeve matën një fuqi prej 5,7. Epiqendra e lëkundjeve ndodhej 72 kilometra në jug të qytetit Fukushima dhe 180 kilometra në verilindje të Tokios. Toka në Japoni u trondit 24 orët e fundit 18 herë me radhë.

Sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve Kyodo, në Fukushima u regjistrua radioaktivitet prej 500 milisievertë në orë. Për krahasim, i ashtuquajturi "rrezatim natyror" ka një nivel prej 2 milisevertë në vit. Radioaktivitet i lartë është matur edhe në ujin e pijshëm në Tokio. Uji nuk u duhet dhënë fëmijëve, bënë të ditur autoritetet. Rrezatimi i ambientit përreth centralit atomik të Fukushimës ka bërë që qeveria të ndalojë furnizimin me perime nga rajoni. Ministria japoneze e Shëndetësisë publikoi një listë me 11 lloje perimesh tek të cilat janë parë rritje të mëdha radioaktiviteti. Ndër to bëjnë pjesë spinaqi, brokoli, lakra dhe perimja gjethore japoneze, komatsuna.

Zëdhënësi i qeverisë, Yukio Edano, tha në një konferencë shtypi se përdorimi i këtyre perimeve nuk e dëmton ende shëndetin. "Megjithatë, ne vërejmë se vlerat janë në rritje dhe mendojmë se do të arrijnë deri në nivelin e dëmshëm. Prandaj mendojmë se duhet bërë ndalimi i furnizimeve". Për të qenë të sigurt, konsumatorët nuk duhet të përdorin më perime që vijnë nga prefektura e Fukushimës.

Katastrofa në centralin atomik ka vënë nën presion edhe financiar firmën TEPCO, e cila mirëmban centralin. Ndërmarrja ka kërkuar në bankat e mëdha të vendit kredi emergjente në shumën e 1,5 bilionë jenëve (13,1 miliardë euro). Kjo shumë duhet paguar mundësisht deri në fund të muajit, në mënyrë që TEPCO të mund të përballojë pasojat e fatkeqësisë në centralin atomik të Fukushimës.

Tërmeti dhe cunami në Japoni kanë shkaktuar deri tani dëme që arrijnë deri në 220 miliardë euro. Pas katastrofës natyrore është konfirmuar numri i viktimave prej 9.400 vetësh, bëri të ditur policia në Tokio. Gati 14 mijë vetë konsiderohen ende të humbur. Rreth 300 mijë vetë jetojnë në temperatura nën zero dhe në ambiente emergjence.

Dyfishohet radioaktiviteti

Guvernatori i Tokios Shintaro Ishihara u bëri thirrje 13 milionë banorëve të kryeqytetit japonez të ruajnë qetësinë, pasi u zbulua se niveli i jodios radioaktive ishte rritur në ujin e pijshëm. Njoftimi u bë i ditur pasi zyrtarët pezulluan punën në uzinën bërthamore të Fukushimës 250 kilometra nga Tokio. Në kryeqytet zyrtarët thanë se niveli i jodios radioaktive në impiantet e pastrimit të ujit kishte arritur në nivele të pranueshme për të rriturit, por dyfish më i lartë se lejohet për foshnjat.

Banorët e Tokios nxituan të blinin shishe uji sot, pasi zyrtarët njoftuan se niveli i materialit radioaktiv në ujin e pijshëm të Tokios u rrit më shumë se dyfishin e lejuar për fëmijët nën një vjeç. Foshnjat janë shumë të ndjeshme ndaj jodios radioaktive e cila, sipas ekspertëve, mund të shkaktojë kancer në tiroide. “Ne këshillojmë foshnjat në Tokio dhe një pjesë të zonës Tama të mos e pinë ujin e çezmës”, thotë Ei Joshida, shef i departamentit të pastrimit të ujit.

Radioaktiviteti ka arritur tek zarzavatet, qumështi i papërpunuar, uji i pijshëm, si dhe në ujin e detit që rrethon centralin bërthamor Daiçi të Fukushimës që nga goditja e cunamit pas tërmetit 9 ballësh. Megjithatë, zyrtarët nga Zyra e Ujit në Tokio bënë thirrje për qetësi, duke thënë se sasi të vogla të ujit të pijshëm nga foshnjat nuk kishte problem dhe se niveli i tanishëm nuk përbënte ndonjë rrezik të menjëhershëm për fëmijët apo të rriturit. Megjithatë, në qendër të Tokios, banorët thanë se po blinin ujë në shishe për t’u përgatitur për zhvillime të reja.

“Dua të kemi sa më shumë rezerva uji tani, meqë ka të ngjarë që niveli i radioaktivitetit të ngrihet në vend që të ulet”, thotë 37-vjeçarja Ajumi Sakamoto. Brokoli iu shtua listës së zarzavateve të prekura nga radioaktiviteti, ndërsa zyrtarët amerikanë njoftuan ndalimin e produkteve të bulmetit dhe prodhimeve të tjera nga rajoni.

Qeveria japoneze zgjeroi kufizimet për shitjen e qumështit dhe zarzavateve të tjera nga zonat e ndotura nga centrali bërthamor i Fukushimës, i cili ka vazhduar të përhapë radioaktivitet në mjedisin përreth që nga tërmeti masiv dhe cunami i 11 marsit.

LAJME SHKURT

NATO mbikëqyr embargon e armëve, polemika për Libinë

Me githë çështjet e hapura lidhur me rolin e NATO-s në të ardhmen në misionin ushtarak ndërkombëtar në Libi, Aleanca ka nisur zbatimin e embargos së armëve kundër regjimit të Gaddafit. Sipas NATO-s, me seli në Bruksel, luftanijet patrullojnë para bregdetit libian. Të martën Franca ishte pajtuar me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, që NATO-ja të luajë rolin kyç në veprimet ushtarake në Libi. Kjo erdhi pas kontakteve intensive mes presidentëve Nicolas Sarkozy, Barack Obama dhe Kryeministrit britanik David Cameron. Është rënë dakord për "modalitetet për shfrytëzimin e strukturave të komandës së NATO-s në mbështetje të koalicionit", njoftoi qeveria në Paris. Detajet mbetën fillimisht të paqarta. Në Uashington u tha se pritet një ndryshim i komandës brenda pak ditësh. Ministri i Jashtëm i Francës Alain Juppe deklaroi se NATO nuk do të marrë përgjegjësi politike, por vetëm detyra logjistike në zonën e ndalimit-fluturimit mbi Libi.

Gadafi shfaqet sërish në televizionin shtetëror libian

Aleanca ushtarake perëndimore ka vazhduar sulmet e saj kundër trupave të diktatorit libian Muammar al-Gaddafi. Dëshmitarët okularë njoftojnë për shpërthime dhe zjarr kundërajror në kryeqytetin Tripoli. Më parë njësitë besnike të Gadafit kishin qëlluar pandërprerë me tanke dhe artileri pozicionet e kryengritësve në qytetet Misrata dhe Sintan. Sipas mjekëve ka pasur të paktë 17 të vdekur. Gadafi vetë u shfaq për herë të parë pas një jave përsëri në publik. Televizioni shtetëror transmetoi një fjalim të shkurtër të diktatorit, të cilin e mbajti në ballkonin e rezidencës së tij në Tripoli, ku foli për një fitore mbi sulmet e aleatëve.

Presidenti i Jemenit bie dakord për zgjedhjet e parakohshme

Nga presioni i madh i protestave Presidenti jemenas Ali Abdallah Saleh ka miratuar për këtë vit zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas agjencisë së lajmeve Saba, Saleh propozoi edhe një referendum për një ndryshim kushtetues. Ai plotësoi me këtë një kërkesë të opozitës. Fillimisht zgjedhjet duhet të zhvilloheshin në vitin 2013. Më parë Parlamenti në Jemen kishte vendosur për një muaj gjendjen e jashtëzakonshme. Ligji përkatës u jep forcave të sigurisë pushtet të plotë. Ata mund të arrestojnë të dyshuar dhe t`i mbajnë për një kohë të pacaktuar. Përveç kësaj Kushtetuta është shfuqizuar. Mediet mund të censurohen, demonstratat janë të ndaluara. Për të premten opozita ka njoftuar mbajtjen e një proteste të madhe. Në ditët e kaluara edhe disa përfaqësues të lartë të ushtrisë, si dhe disa udhëheqës fisesh kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të presidentit që drejton vendin prej 32 vjetësh, Ali Abdalla Saleh.

Rrezatimi në Fukushima vështirëson menaxhimin e krizës

Rrezatimi i lartë radioaktiv nga centrali i shkatërruar bërthamor Fukushima pengon punimet e shoqërisë operative TEPCO. Punimet për të riparuar reaktorin në bllokun 2 duheshin ndërprerë dhe të gjithë ekspertët u larguan. Lëkundje të tjera të tokës tronditën rrethinat në afërsi të reaktorit. Sipas autoriteteve japoneze për energjinë bërthamore në kompleks nuk u shkaktuan dëme të reja. Ministria e Shëndetësisë zgjeroi ndalimin e shitjes së perimeve nga ky rajon. Rritje radioaktiviteti është matur përsëri në tubacionet e ujit të pijshëm në kryeqytetin Tokio. Fëmijët nuk duhet të pinë nga ky ujë. 12 ditë pas tërmetit 9 ballësh dhe cunamit policia ka konfirmuar tashmë më shumë se 9.400 të vdekur. Rreth 13.800 njerëz konsiderohen ende të humbur. Rreth 300.000 njerëz jetojnë në temperatura pranë ngrirjes dhe gjenden ende në strehimore provizore.

Të plagosur nga një shpërthim në Jerusalem

Një shpërthim i rëndë ka ndodhur në brendësi të kryeqytetit izraelit, Jerusalem. Sipas medieve izraelite, shpërthimi ka ndodhur në një çantë brenda në një autobus në afërsi të stacionit kryesor të autobusëve. Forcat e sigurimit njoftuan për të paktën 25 të plagosur. Televizioni tregoi pamje të një autobusi dhe të një makine me dritare të shkatërruara. Dëshmitarët folën për një shpërthim që u ndje deri në largësinë prej më shumë se disa qindra metrash.

Rusia kërkon armëpushim dhe ofron ndërmjetësim

Kritika ruse ndaj operacionit ushtarak kundër Libisë hodhi hije mbi vizitën e ministrit të Mbrojtjes së SHBA-së, Robert Gates, në Moskë. Presidenti Dmitri Medvedev kritikoi në prani të Gates edhe një herë "ushtrimin pa dallim të dhunës" nga aleanca perëndimore. Ai ofroi një rol ndërmjetësues. Ministri rus i Mbrojtjes, Anatoli Serdjukov, kërkoi një armëpushim të menjëhershëm. Rusia abstenoi nga rezoluta e fundit e OKB-së për Libinë. Gates hodhi poshtë kritikën, duke thënë se në Moskë kishin rënë siç duket pre e "gënjeshtrave" të diktatorit Muammar al-Gaddafi për numrin e lartë të viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›