E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci, Inva Mula: Të shtyhet gjyqi

 

Armand Bajrami

Seanca gjyqësore e radhës në procesin e divorcit të çiftit “VIP” Inva Mula dhe Pirro Çako, në Gjykatën e Tiranës, kaloi dje në fazën e “dhënies së llogarisë”. Në seancën e djeshme sipas paracaktimit të mëparshëm pala e paditur, në këtë proces, kantautori Pirro Çako kishte të drejtën e pyetjeve ndaj palës tjetër. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se pyetjet e Çakos janë përqendruar në gjetjen e shkaqeve të kërkesës për divorc. Gjithashtu, në pyetjet e paraqitura në seancë, është përmendur edhe përkujdesja ndaj djalit të tyre të mitur që jetonte bashkë me sopranon e famshme Mula, gjatë kohës që ajo ishte e angazhuar me aktivitetin artistik. Ndërkohë që pas pyetjeve, avokati i sopranos Mula kërkoi kohë për t’u konsultuar me klienten e tij në lidhje me pyetjet e drejtuara, kërkesë që u pranua nga gjykata. 
Asnjëri prej anëtarëve të çiftit Çako-Mula nuk ishin prezentë dje në seancën gjyqësore në gjykatën e kryeqytetit. Ata përfaqësoheshin në seancë nga mbrojtësit e tyre ligjorë. Ashtu siç ishte caktuar në seancën e fundit të zhvilluar në 5 qershor 2009, në seancën e djeshme, palët duhet t’i drejtonin pyetje njëri-tjetrit. Mësohet se përfaqësuesja ligjore e kantautorit Pirro Çako ka kërkuar nga pala tjetër të dijë arsyen e sopranos për padinë e divorcit. “Përse keni vendosur të ndaheni?”, mësohet të ketë qenë pyetja të cilës duhet t’i përgjigjet sopranoja Mula. Gjithashtu, një tjetër nga “llogaria” që duhet të japë Inva Mula kundrejt bashkëshortit të saj Pirro Çako është se “ku qëndronte djali i tyre kur Inva ishte e angazhuar me koncerte jashtë Francës”. Pasi ka dëgjuar të gjitha pyetjet e palës kundërshtare, mbrojtësja ligjore e sopranos i ka kërkuar gjykatës kohë për t’u konsultuar me klienten e saj. “Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e përfaqësuesit të palës paditëse për t’i lënë kohë të konsultohet me sopranon për t’iu përgjigjur pyetjeve të përgatitura nga ana e Pirro Çakos dhe mbrojtjes së tij”, pohonin dje burimet zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Gjykata vendosi dje datën 17 korrik për seancën gjyqësore të radhës së kësaj çështje. “Krisja” në martesën e çiftit “VIP” u zyrtarizua në ditët e para të muajit prill 2009. Në këtë kohë sopranoja e famshme depozitoi një padi në gjykatën e kryeqytetit, ku kërkonte zgjidhjen e martesës me bashkëshortin e saj Pirro Çako. Sipas kërkesë-padisë ajo kërkonte ndarje për shkak të jetesës në distancë për një kohë të gjatë të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›