Uashington, ceremoni për Kosovën,nënshkruhet anëtarësimi në FMN, BB
Kosova, 16 muaj pas shpalljes së Pavarësisë, u bë anëtarja e 186-të e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vendi ka nënshkruar Nenet e Marrëveshjes së FMN-së dhe Bankës Botërore dje në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington. Kopje të marrëveshjeve iu dorëzuan edhe nënsekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Stajberg. Fondi Monetar Ndërkombëtar e miratoi anëtarësimin në fillim të muajit maj, ndërsa Banka Botërore në fillim të këtij muaji. Kosova do të ketë të drejtën për të marrë kredi miliona dollarëshe të mbështetura nga këto dy institucione si dhe ekspertizë për zhvillimin e ekonomisë, të infrastrukturës dhe shoqërisë. Sipas "Express", anëtarësimi në këto dy institucione shumë të rëndësishme financiare ndërkombëtare, përveç peshës politike, është edhe një inkurajim shtesë për shtetin e Kosovës që të vazhdojë të ruajë stabilitetin makro ekonomik, përmes disiplinës buxhetore dhe fiskale. Ndërsa nënshkroi Marrëveshjen, Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova do të jetë një partnere e mirë, një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar dhe komunitetit ndërkombëtar financiar. Delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga Presidenti Fatmir Sejdiu. Në të përfshiheshin Kryeministri, Hashim Thaçi, Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe Ministri i Financave në Kosovë, Ahmet Shala. Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi e kanë quajtur pranimin e Prishtinës në këto institucione ndërkombëtare një sukses dhe zhvillim historik, që përmirëson imazhin e Kosovës në botë.