Qarku i Vlorës, jugu i vendit voton për deputetët rozë
VLORE - Avantazhi që kishte PS në qarkun e Vlorës deri në mbrëmje ka bërë që festimet në qytetin bregdetar të nisnin ende pa dalë rezultatet përfundimtare. Fitorja e PS-së në Sarandë dhe përparësia në qytetet dhe komunat e tjera e ka bërë të vështirë afrimin e PD-së. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, nga 345 qendra ishin numëruar 205 të tilla, duke lënë në vend të parë socialistët me 43%, më pas demokratët me 27%, PBDNJ dhe PDI.
Gjatë gjithë procesit të numërimit të votave për 12 deputët, në të tria qendrat e numërimit ishte në avantazh PS-ja, çka solli edhe festimet e simpatizantëve të kësaj partie. Ndryshe nga zgjedhjet vendore të 2007-ës, ku PD-ja doli fituese në Sarandë, në këtë qytet kësaj radhe doli fituese PS-ja. Të majtët ishin në avantazh edhe në mjaft zona të tjera të Vlorës, por gjithsesi, procesi final i numërimit pritet të përfundojë vetëm ditën e sotme. Ditën e djeshme procesi i numërimit vijoi normalisht, pa probleme serioze. Numërimi u bë pa ndërprerje të gjata, përveç pauzave të vogla në kohën kur janë ndërruar numëruesit për shkak të lodhjes apo arsyeve të tjera. Gjithashtu, në asnjërën qendër nuk pati ndonjë defekt në kamera apo në sistemin elektronik të numërimit të votave. Ky proces vijoi normalisht edhe përsa i përket komisionerëve të cilët ndryshe nga precedentët e viteve të mëparshme, në këto zgjedhje arritën konsensus e mirëkuptim. Larg qendrave të numërimit qëndruan kandidatët për deputetë, ndërsa policia e shtetit në asnjë rast nuk shënoi ndonjë incident apo ndërhyrje të pavend të efektivëve të saj. Shqetësime dhe ankesa të vogla kishte vetëm nga vëzhguesit për mosmbajtjen sipas tyre të fletës së votimit në ekran nga anëtarët e komisionit. Ata i akuzuan se fletët vendoseshin dhe hiqeshin nga ekrani në mënyrë shumë të shpejtë. Gjer në orët e vona të darkës, në qendrën 61 dominonte PS me 9 mijë vota, PD me 6 mijë vota, pasuar nga PDI me 3800 vota. Ndërsa subjektet e tjera vijnë më pas me numër të papërfillshëm. Ndonëse në këtë qendër nuk janë numëruar të gjitha kutitë. Në qendrën nr.62 në të cilën mbulohet zona e Himarës, Orikumit, Dhërmiut dhe Dukatit PS kishte 60 për qind të votave, ndërsa PD 40 për qind, ndërsa procesi është drejt përfundimit. Ndërsa në qendrën nr. 63, PS kishte 5463 votues, PD 3640 ndërsa PSD 1000 votues. Edhe në këtë qendër, procesi mbrëmë ishte drejt përfundimit. Bazuar në procedurat e stërzgjatura në kryerjen e procedurave të numërimit dhe verifikimit të votave, procesi në Vlorë pritet të zgjasë gjatë gjithë natës. Rreth orës 15:15, dje përfundoi numërimi i votave në Sarandë. Sipas burimeve nga kryetari i KZAZ Nr. 64, Aurel Kurami, morën pjesë në votime 12.280 persona nga këta PS mori 6700 vota, PD 3706 vota, PDK 402, PR – 226, PBDNJ 900, PAA 286; LSI 183; PDI 380 dhe PSD 139 vota. Ndërkohë, ende gjer vonë nuk kishte mbaruar numërimi në KZAZ Nr. 65 që përmbledh komunën e Ksamilit, Xarrës, bashkinë e Konispolit dhe komunën e Livadhjasë. Por nga rezultatet paraprake, PS-ja është në avantazh. q.b/sh.d
qarku vlore
Alenca e Ndryshimit
PD 23788 vota
PR 909 vota
PAA 841vota
PDI 3661 vota PAD 178 vota
BLD 53 vota
PLL 134 vota
AMIE 9 vota
PADS 21 vota
PBK 642 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 36867 vota
PSD 2335 vota
PDS 893 vota
PBDNJ 5274 vota G99 765 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 2937 vota
PSV 788 vota
280 qendra nga 345 gjithsej