Refugjati i korrikut ‘90:Si u bëra i dashur për ekranin në Gjermani
AFRIM IMAJ
I buzëqeshi fati kur nuk e priste. Atë që s’e mendoi kurrë në Shqipëri, e bëri realitet në emigrim. E pazakonshmja mori emrin e tij: Nga kampi i refugjatëve përfundoi në ekranet e kinemasë!Ajo që ndodhi me djaloshin e shtëpisë përdhese të rrugës Bardhyl, është një histori e veçantë dhe e çuditshme. Një histori që nis me shpërthimet e korrikut ‘90 dhe vërshimin e djalërisë shqiptare mbi muret e ambasadave në Tiranë. I vendosur në ballin e kësaj armate, Kasem Hoxha mori rrezikun në sy, duke guxuar dyfish. Së pari, për një jetë më të mirë. Po jo vetëm kaq. Ambicia shkonte më tej. Jetësimi i ëndrrës së kahershme për artin dhe kinemanë, mbetej sfida tjetër. Guxoi dhe ia doli mbanë. Madje bëri emër si aktor dhe fitoi dashurinë e mijëra fansave gjermanë. I vetëm në një vend të huaj. Kasem Hoxha, një çudi më vete! Çfarë ndodhi me të, si u bë i famshëm për ekranin në Gjermani, cilat ishin barrierat që kapërceu, çfarë raportesh ka me artistët shqiptarë, kush është filmi i fundit që pritet të shfaqë, cilët janë rolet e preferuara etj. Duke rrëfyer për to në një intervistë për “Panorama”, ai sjell dhe mjaft përjetime interesante nga jeta në emigracion…
Zoti Kasem! Ju jeni një aktor me emër në Gjermani, ndërkohë që në Shqipëri ju njohin pak si të tillë. Ka qenë indiferenca e institucioneve kulturore, apo nuk u ka interesuar kontakti me spektatorët shqiptarë?
Unë jam një aktor i thjeshtë, i zakonshëm në Gjermani, madje do të thosha në fillimet e karrierës. Nuk e di si operohet aktualisht në Shqipëri me artistët që kontribuojnë jashtë vendit, por e kam vlerësuar të pasjellshme të vij aty e t’i bie gjoksit: Ej, jam edhe unë! Me vendin tim, me njerëzit e mi, mbaj kontakte të rregullta si çdo emigrant. Gati çdo vit vij në Shqipëri, bëj pushimet, kërkoj shoqërinë e hershme dhe kthehem sërish...
Ju thoni se profesionin e aktorit e keni nisur nga kampet e refugjatëve. Kur keni emigruar nga Shqipëria?
Kam ikur nga Shqipëria, me grupin e parë të refugjatëve. Ishte data 5 korrik ‘90 kur hyra në Ambasadën Gjermane. Qëndruam aty shtatë ditë në kushte karantine dhe pastaj na nisën drejt Italisë. Në Brindisi zyrtarët na u lutën për të qëndruar, duke na premtuar dokumente të rregullta dhe punë të sigurt. Një pjesë pranoi. Ne të tjerët vazhduam rrugën me tren. Ndalesa e dytë u bë në Zvicër. Na bënë thirrje edhe aty për të qëndruar. Dikush ndërroi mëndje. Unë me pjesën tjetër, me mendjen top, këmbëngulëm për Gjermaninë…
Më në fund mbërritët në Gjermani…
Rrugës për të mbërritur aty, të magjepsur nga peizazhet që shikonim nga dritaret e trenit, mendonim se ishim duke prekur parajsën. Mendonim ditën kur do kishim makinat private, kur do merrnim shtëpi për vete, të pastër me ujë, të ngrohtë e me ndriçim. Ëndërronim televizorin me shumë kanale, revistat për futbollin, ato me staret e Hollivudit, botimet erotike, muzikën e Skorpioncave etj. Nga kjo lloj euforie do të shkundeshim sa do të ballafaqoheshim me zhgënjimin e parë në „Tokën e premtuar”. Gjërat me sa dukej nuk kishin qenë dhe aq të lehta...
Ku u sistemuat në fillim në Gjermani?
Ne ishim 600 refugjatë shqiptarë që fillimisht na akomoduan në Regensburg të Bavarisë, në një hotel komod, së paku për sytë tanë. Në të gjitha mjediset e dukshme të godinës gjeje pije freskuse. Ju vërsulëm atyre si të babëzitur. Arriti një moment ku personeli, i pamundur për ta përballuar furnizimin me shishe, instaloi një impiant prej të cilit pijet freskuese i merrnim nëpërmjet rubinetit. Prej aty komunikova për herë të parë me familjen në Tiranë. Si tani i mbaj mënd ato çaste. Shkova në kabinë dhe sa formulova numrin u dëgjua përgjigjja në shqip. Nga krahu tjetër i telefonit erdhi zëri i nënës dhe aty për aty më mbetën fjalët në fyt. Ishte e tmerrshme biseda e parë me të. E vërteta është se nuk flisnim, por qanim. Madje, nëna nuk mundi ta zgjasë shumë dhe një çast zëri i saj u mbyt nga zhurma e fortë që lëshoi rrëzimi i saj përtokë. Njëra nga shoqet që ishte pranë kapi menjëherë telefonin dhe u mundua të më qetësojë, duke më thënë se nuk kishte ndonjë gjë serioze...
Çfarë mbani mënd nga ditët e para në kampin e refugjatëve?
Mikpritja e ditëve të para, kushtet që na ofruan, ishin impresionuese. Nuk dinim si me i falenderue. Po kjo nuk zgjati shumë. Erdhi një moment që nisëm me ba naze „Çfarë na sjellin këto gjena të përdorura. Kush jena ne?! Kena ardh si politik, e s’lypim lëmoshë. S’duam sende të falme”. Arriti deri aty sa një ditë protestuam se na dhanë dy herë rresht për drekë mish pule me patate të shoqëruar me kos dhe fruta. Harruam se më parë vetëm për vit të ri takoheshim me këtë menu. Këto vështirësi, nëse mund t’i quajmë të tilla, përpos vonesës së dokumenteve dhe izolimit brenda Bavarisë, na shtynë në një revoltë ndaj autoriteteve gjermane. Disa prej nesh kërkuan për t’u deportuar në Amerikë, por askush nuk ua vuri veshin. E vërteta është se gjermanet kishin përvojë me këto probleme dhe i zgjidhnin me natyrën e tyre pa shumë bujë. Ndodhi që në fund të muajit, filluan të na shpërndajnë në qytete të ndryshme...
Dhe nga Regensburgu, ku shkuat?
Nga Regensburgu shkuam në Aschaffenburg, një qytet i vogël ky në skaj të Bavarisë, 40 kilometra larg Frankfurtit. U pajisëm me dokumente zyrtare. Në pritje të një vendi pune, na trajtonin me ndihma. Merrnim dy paketa ushqime në javë dhe 80 marka në muaj. Një mbështetje sociale kjo e pamjaftueshme. Ushqimet e konservuara filluan të mos të na shijojnë. Lekët që na jepnin ishin të pakta me ble në treg çfarë na lypej. Detyroheshim që në fund të javës ta gatuanim bukën vet. Ato pak të holla që mund të na ngeleshin mundoheshim me marrë diçka të domosdoshme. Po edhe për këtë duhej me ba kujdes se në vend me marrë artikuj për vete, mund të merrnim ushqim për qen apo mace. Mundoheshim me shque figurat në ballinë të kavanozave, ku shfaqej fytyra e maces apo e qenit largoheshim menjëherë…
Ju shkuat në Gjermani pa e ditur gjuhën apo jo. Ishte e vështirë kjo për integrimin tuaj atje?
Gati të gjithë që mbërritëm aty nuk dinim asnjë fjalë gjermanisht. Libra për mësimin e saj nuk kishte. Çfarë na kishin sjellë ishin vetëm disa fjalorë gjermanisht-gjermanisht dhe asgjë tjetër. Mundoheshim me praktika primitive së paku për të njohur fjalët më të domosdoshme. Kur kujtonim se kishim mësuar diçka, dilnim në rrugë dhe provokonim kalimtarët me fjalën që mendonim se e dinim. I drejtoheshim dikujt “sa është ora” dhe kur e shikonim që zgjaste dorën me e pa, gëzoheshim si fëmijë, sepse kishte qenë tamam fjala e duhur. Nga mënyra si rrodhën ngjarjet nuk patëm mundësi me i ushtrue kurset e gjuhës. Na qëlloi që nisëm punë shpejt dhe s’kishim si me shku në to. Megjithatë, kontakti me vendasit, me punëtorët e fabrikës, me sportistët e klubit, shoqëria e krijuar rishtas më dha mundësi me e njoh gjuhën shpejt...
Si nisët nga puna kur ende nuk dinit të komunikonit gjermanisht?
Kur ende nuk kishim bërë tre muaj në Aschaffenburg, më lindi ideja për të dalë në rrugë që të kërkoja punë. Mora një karton dhe shkrova në të gjermanisht „WIR SUCHEN ARBEIT” që do të thonte „Kërkojmë punë”. Bashkë me shokët e tjerë dola në rrugë, duke trokitur derë më derë. Sa çelej porta çonim tabelën lart dhe prisnim reagimin e atyre që na shfaqeshin para. Në të gjitha rastet dëgjonim të njëjtën shprehje „Nuk kemi punë”. Në këto ecejake ndaluam një ditë te hyrja e një fabrike që merrej me përpunimin e letrës. Rastësisht, i pari që na doli para, ishte drejtori i madh. Sa pa tabelën, vuri buzën në gaz dhe filloi të kërkojë shpjegime të tjera. Kur e kuptoi se nuk mund t’i përgjigjeshim në gjermanisht na e ktheu italisht. “Lavoro?” Sa shqiptoi këtë ju përgjigjëm menjehere “Si!…Si….Si…”. „Ok!”, shtoi ai „Domani lavoro”, Ne prapë „Ok”-ej. Madje e përsëritëm disa herë aq sa bosi thirri aty një vartësin e tij me emrin Klaus dhe e urdhëroi për të na prezantuar me objektin e punës...
Nisët kështu punë në fabrikë...
U paraqitëm te vendi i caktuar në orën 7:00 të mëngjesit. Klausi sipas porosisë së bosit na foli për punën, duke na shëtitur në të gjitha sallat dhe mjediset e fabrikës. Ajo sa ishte përfunduar dhe pritej për t’u inauguruar. Me sa po kuptonim, puna që na kishin caktuar kishte të bënte me pastrimin e godinave dhe korridoreve të shumta, përfshi këtu makineritë, pajisjet dhe krejt territorin ku ishte ndërtuar fabrika. Në fund të këtij përshkrimi, Klausi duke na ndaluar në një qoshe na u kthye gjermanisht „Alles klar?” që do të thotë „Në rregull, u kuptuam?”. Aty për aty mu dha dhe iu përgjigja: „Ok-ej, alles klar”. Këtu u ndamë me të dhe ndenjëm për një çast me vështrim nga njëri-tjetri. Në heshtje mendonim për volumin e jashtëzakonshëm të punës në atë hapësirë të madhe. Dikush pëshpëriti si nën zë “O burra kemi rastin të tregojmë se kush jemi” dhe ja nisëm menjëherë. Erdhi pushimi i parë. Nga larg na thirrën disa punëtorë gjerman “Hej, albanezi, mangare!” duke na i bërë me shenjë për të ngrënë mëngjesin në mensë. U thamë se do të shkonim më vonë, pasi kishim punë për të bërë. Erdhi dreka. Sa kishim mbaruar çerekun e punës dhe djersët na shkonin lumë. Punëtorët gjermanë nisën përsëri “Hey Albanezi, mangare? Amici”. Ne sërish të njëjtin reagim me buzën në gaz, duke i kujtuar se do shkojmë më vonë. Kaluan dhe tri orë të tjera. Po na priteshin gjunjët për bukë. Shkoi njëri dhe na solli diçka sa për të shuar urinë. Ora katër e pasdites. Të tjerët po linin punën. Ne jo. Na kishte mbetur dhe shumë për të bërë. Gjermanët ia dhanë përsëri „Hey Albanezi, finito, dushen, la casa!” Ne prapë me dorë duke u treguar se do punojmë dhe pak. Aty nga ora 22:00 mbaruam punën. Të rraskapitur siç ishim shkuam me dalë. Çfarë me pa? Porta ishte e mbyllur në mënyrë automatike. Nuk na mbetej gjë veç me kapërcye nga muri, pavarësisht se do regjistroheshim nga kamerat e shumta që përgjonin Non stop. Nejse. Ram me fjet si të vdekur...
Kjo ishte dita e parë...
Te nesërmen i shkova Klausit në zyrë për t’i kërkuar punën e ditës. Fillimisht nuk më vuri re. Kur ju drejtova për herë të dytë, ngriti kokën e më pa me habi. „Çfarë?” Mu duk për një çast mospërfillës dhe aty për aty ia ktheva se ku duhej të punonim në vazhdim. „Alles klar?” Vetëm kaq mundi të shqiptojë Klausi me një lloj bezdie që e shfaqte gati haptas. Pa e kuptuar ç’më thoshte me gjermanishten e tij bavareze këmbëngula në timen: „Ok-ej, alles klar”. Sakaq më pa qortueshëm duke më lënë të kuptoja se ishte i zënë dhe duhej të largohesha. Po a mund të ikja pa marrë punën e ditës?! Si ndenjëm një moment në heshtje përballë njëri-tjetrit, Klausi më tha diçka që nuk e mora vesh. E pa me sa duket që nuk po kuptoheshim dhe ma bëri me dorë të dilnim jashtë. Hipi në biçikletë dhe u nis me nxitim. Pas një copë rrugë, ndaloi. Ktheu kokën nga prapa dhe ma bëri me shenjë t’i afrohesha. Hipëm të dy në biçikletë dhe vazhduam në drejtim të fabrikës. Ndaluam te godina e parë. „Ok-ej!” ja bëri Klausi. Arritëm te godina e dytë. Çdo gjë xham fare. Frenoi te godina tjetër. „Ok-ej” përsëri. Pastaj një çast te godina e katërt. Shkëlqim e pastërti gjithandej. Sakaq mbajti këmbët dhe hodhi vështrimin nga mua duke qeshur me të madhe. „Ej, albanezi, albanezi!” Tha dhe diçka tjetër, por të them të drejtën nuk mora vesh gjë. E qeshura e tij tërhoqi vëmendjen e punëtorëve aty pranë, të cilët u afruan të habitur dhe filluan ta pyesin me takt.
Ai u mundua të shpjegonte çfarë kishte ndodhur. „I tregova dje Kasemit, u shpreh ai, punën që do bënin për një javë dhe kur e pyeta u kuptuam më tha “Ok-ej”. Kur më vjen prapë sot në mëngjes në zyrë e më kërkon punë. Çfarë t’u ofroja unë kur një ditë më parë u kisha caktuar punën për tërë javën. Mirëpo kur i thashë Kasemit vazhdoni ashtu siç ju kam sqarue dje, më thotë prapë “Ok-ej”, por nuk më shqitej nga zyra. Aty e pashë se diçka nuk shkonte me të. I hipa biçikletës dhe çfarë me pa. Punën e tërë javës e kishin përlarë brenda disa orëve. UFO vërtetë!” Ky rrëfim i Klausit ndezi të qeshurat tek të gjithë. Në pak çaste gjithë fabrika mësoi atë që kishte ndodhur me “albanezët”. Atë ditë kjo ishte objekt bisede tek gjithë personeli. Kur shkuam me ngrënë bukë në mensë të gjithë u çuan në këmbë, duke thirrur “Bravo Albanezi!” Të habitur nga ky reagim shokët e mi filluan të më pyesin se çfarë kishte ndodhur. U mundova t’i qetësoj duke iu thënë se na kishte lavdëruar Klausi për punën që kishim bërë. Të ngazëllyer e në delir mu drejtuan gjithë qesëndi “E shef Kuqo, që të nderuam”. Më duhej të delja nga situata dhe i përshëndeta si shef i tyre „Bravo çuna, na zbardhët faqen”. Ta dinin ata të gjorët se prej gabimit tim, që nuk e kisha kuptuar Klausin kishin bërë punën e një jave brenda ditës, do më kishin bërë të vdekur me grushte. Gjithsesi ato çaste kaluan si me të qeshur. Atë që kishte ndodhur atë ditë në të vërtetë, më është dashur t’ua tregojua vetëm pas dy vjetësh. Mirëpo ata prapë nuk donin ta besonin...
Ndërkaq, filluat studimet në fushën e artit. Ishte pasion i hershëm, apo zgjedhje pragmantiste për t’i shpëtuar punës fizike?
Filmin dhe teatrin i kam pasur pasion qysh në fëmini, por në kushtet e atëhershme, nuk bëhej fjalë me i ushtru. Kur vendosa për të marrë rrugën e Perëndimit për asnjë çast nuk e hoqa mendjen nga to. Po edhe këtu nuk ishte e lehtë, sidomos në periudhën e parë. Duhej të kalonin vite për t’iu kthyer ëndrrës së artit. Aty nga viti ‘99 ia nisa sfidës. Deri atëherë zotëroja dy profesione: atë të përpunuesit të letrës dhe laborantit të stomatologjisë. Me to jetoja normalisht, madje shpenzoja ca më tepër se të tjerët që bënin punë të rëndomta. Pra, nuk kisha pse i braktisja. Paralel nisa të kërkoj shkollë për artin. Në akademinë publike as që bëhej fjalë së pari nga mosha. E vetmja zgjidhje mbetej akademia private. E mora rrezikun në sy dhe trokita në Akademinë e Teatrit Actor’s Company. Konkurrova dhe fitova. Prej këtej fillonte sfida tjetër, pagesa e majme për shkollën. E këtë duhej ta përballoja me punë me orar të zgjatur. Ndërkaq, më duhej të harxhoja orë të tëra ditën dhe natën për t’u aftësuar në rrugën e mjeshtërisë së re. Ato që ofronte akademia i vlerësoja vetëm si një pjesë të domosdoshme. Duhej të shtoja literaturë tjetër, duhej të ndiqja shfaqje të shumta, të merrja kontakte të shumta. I kam rënë kryq e tërthor Gjermanisë, nga Myhniu deri në Hamburg, nga Köln deri në Berlin, për të ndjekur kurset e seminaret e ndryshme, për t’u njohur me korifenjtë e skenës dhe ekranit. Me ata vendas dhe të huaj. E veçantë ka qenë sidomos përvoja me mjeshtrin e madh Jon Costopoulos dhe studion e tij „ACTOR’S STUDIO” të Nju Jorkut që është nga më të famshmet e botës. Në këtë shkollë nëse mund ta quajmë kështu kanë studiuar mjaft nga yjet e kinemasë si Al Pacino, De Niro, Marlon Brando, Meril Strip etj…
Ndërkaq, me bashkëkombësit tuaj u shkëputët apo jo?
Për asnjë moment nuk e kisha menduar ndarjen me ta, pavarësisht se rrugët tona morën drejtime të ndryshme. Ndodhi që disa syresh filluan të më përbuzin, por pjesa më e madhe më inkurajuan e më qëndruan pranë. Ndihmën më të madhe ma kanë dhënë prindërit e shoqes time gjermane...
A ishte i lehtë ballafaqimi në tregun e filmit pas marrjes së diplomës?
Pas diplomimit, kuptohet do kaloja në të tjera vështirësi. Njëra ndër to ka qenë sidomos artikulimi i theksit gjatë realizimit të roleve. Unë kam ardhur në moshën 20 vjeçare në Gjermani. Pavarësisht se e kam përvetësuar shumë mirë gjuhën, më ka mbetur një theks tipik që vihet re tek jo gjermanët. Është një defekt që nuk evitohet kurrë, pasi ushtrimi i theksit ka lidhje me kohën kur fillon mësimi i gjuhës gjermane. Nëse për shumë gjuhë të tjera kjo nuk ka problem, në rastin e gjermanishtes, ku shumë germa gjatë artikulimit formulohen qysh në fyt, është i ndjeshëm dhe krijon probleme. Është kjo arsyeja që puna e theksit shikohet me fanatizëm në Gjermani, ndërkohë që ka vende si SHBA-ja, të cilat nuk i kushtojnë shumë rëndësi. Madje, në SHBA e adhurojnë theksin e veçantë, si shprehje të origjinalitetit të artistit. Puna e theksit ka bërë që të jem i kufizuar në ushtrimin e roleve të ndryshme, sidomos ato që kanë të bëjnë me ndonjë rol tipik gjerman.
Cili ka qenë filmi i parë, po të tjerët në vazhdim?
Puna e parë, ka qenë angazhimi në një film me metrazh të shkurtër gjatë kohës që isha student. Me sa mbaj mënd ka qenë viti i parë i shkollës. Paralel me të realizova dhe një rol episodik në një teatër komedi. Padyshim e kam pasur jo të lehtë. Sidoqoftë për rolet në filmat e tjerë ka qenë më ndryshe. Përvoja, njohjet, bashkëpunimi patjetër që krijuan një lloj laboratori si mund të themi ku gjërat erdhën në perfeksion. Kam realizuar mbi 40 role të ndryshme dhe vazhdoj të punoj për disa të tjerë me mjeshtrit e mëdhenj të filmit gjerman e atij amerikan. Jam në punë Non stop. Ndjehem mirë që më kërkojnë për t’u dhënë jetë projekteve të ndryshme artistike…
Cili ka qenë roli që e keni dashuruar më shumë gjatë kësaj periudhe?
Unë do ta kisha shumë të vështirë të përzgjedhja ndonjë rol të veçantë. Megjithatë meqë këmbëngulni do theksoja tre të tillë. I pari është Sarajevo tek filmi „Zelle” (Qelia). Vjen pastaj Xhaxhai tek filmi „Halil” dhe njeriu pa emër te filmi „Metropolis”
Kemi marrë vesh se së shpejti do të nisni nga puna në grupet e xhirimit në Shqipëri për një film për 2 korrikun...
Nuk është tamam kështu. Me sa po konstatoj ka një keqkuptim gjatë komunikimit për këtë film. Ka kohë që kemi filluar nga përgatitjet. Është e vërtetë që për xhirimet fundore po presim korrikun, por ato nuk do t’i bëjmë në Shqipëri. Sa për dijeni sheshet e xhirimit i kemi ngritur qysh tani këtu në Gjermani në Hanover, Köln, Nordanay-ishull e në disa vende të tjera. Ndjehem i lumtur që regjisor është miku im Bijan Benjamin, me të cilin kemi realizuar shumë projekte, ndër të cilët Filmi „ZELLE” shumë i kërkuar nga spektatori gjerman. Në këtë film unë kam rolin kryesor. Fakti që do të vë në skenë atë që e kam përjetuar në jetë, ma ka lehtësuar shumë punën.
A i ndiqni zhvillimet kulturore të Shqipërisë dhe çfarë raportesh keni me artistët tanë?
Intensiteti i punës nuk më lejon të ndjek zhvillimet në Shqipëri. Edhe lidhjet me artistët shqiptarë i kam sporadike. Jam njohur kohët e fundit me regjisorin Artan Minarolli, i cili me ftoi në verën e kaluar (2008) për të marrë një rol te Filmi i tij „ALIVE” (Gjalle). Padiskutim që prej këtij projekti (ALIVE) kam njohur njerëz shumë të mrekullueshëm në Set të Filmit, para edhe pas kamerës, ku me njërin apo tjetrin kemi akoma kontakt.