Vjedhjet tronditin Sarandën, 4 biznese grabiten gjatë natës
SARANDE - Vjedhjet po bëhen sërish një nga krimet më problematike në qytetin e Sarandës. Të paktën katër raste janë shënuar gjatë ditëve të fundit në qytetin e Sarandës. Precedenti më i fundit është ngjarja që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë. Pre e grabitësve ka rënë supermarketi, “Lili i Dritës”. Vjedhja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 02:00, ndërkohë që është konstatuar më vonë. Sipas burimeve aty është konstatuar vjedhja e një sasie prej rreth 60 mijë lekësh të reja, një sasi kartash telefonike rimbushëse të markave të ndryshme dhe një sasi steka cigaresh. Rreth orës 10:30 ekspertë të policisë kriminale kanë kryer veprimet hetimore. Burime konfidenciale nga policia, bëjnë të ditur se deri më tani, është vërtetuar pjesëmarrja në vjedhje e të paktën një shtetasi. Ai mësohet se ka qenë gjysmë i maskuar dhe ka vepruar fillimisht, duke fikur dritat e marketit. Këto konkluzione kanë dalë nga ekspertimi paraprak i telekamerave të supermarket, “Lili i Dritës”. Të tjera burime, bëjnë të ditur se autorët janë identifikuar, ndërkohë që ka nisur operacioni për kapjen e tyre. Policia tha se ka të dhëna se të dyshuarit janë fshehur, madje burimet shkojnë deri aty sa shprehen se autorët e dyshuar janë larguar nga qyteti, ndërkohë që të dhënat për identitetin e tyre u janë përcjellë edhe komisariateve të tjera. Denoncim tjetër ka qenë edhe ai i shtetases Ira Sharra, pronare e një biznesi me kozmetikë e bizhuteri, poshtë kryqëzimit pranë gjimnazit, “Hasan Tahsini”. Siç informojnë burimet nga policia, vjedhja është konstatuar ditën e diel, rreth orës 06:00 të mëngjesit, ndërkohë që mendohet të jetë kryer të paktën 4 orë më parë. Grabitësit kanë vepruar duke thyer xhamin kryesor të portës, ndërsa më pas me drita të fikura, kanë arritur të marrin bizhuteri të ndryshme, kozmetikë parfumeri e kremra cilësorë, duke shkaktuar një dëm total prej rreth 20 mijë euro. Policia ka shkuar në vendngjarje ku po vazhdon procesi i hetimit me administrimin e provave. Mësohet gjithashtu, se edhe një vjedhje tjetër është kryer pak ditë më parë tek një market, përgjatë rrugës turizëm–kanali i Çukës, si dhe vjedhjen e magazinës ushqimore tek rruga nr.4, në pronësi të shtetasit me iniciale H.P. Ende nuk konfirmohet identifikimi apo kapja e autorëve të këtyre vjedhjeve. Po kështu, krime pa autor të arrestuar, vazhdojnë të mbeten ende, supervjedhja e optikës, vjedhja e motorëve tek hotel “Palma”, restorante e dyqane dhe vjedhja e kasafortës së Kadastrës në qytetin e Sarandës. sh.d