Dy shqiptarë ekzekutohen në Itali
Dy shqiptarë mbetën të vrarë dje në dy qytete të Italisë, Brianza të Milanos dhe Imola. Sipas mediave italiane mësohet se njëri nga viktimat është Eduard Cumi dhe tjetri quhet Emiljan Keçi, të dy 28-vjeçarë, emigrantë prej disa vitesh në Itali. Mësohet se ngjarja e parë ka të bëjë me një përplasje mes bandave rivale të shqiptarëve, e cila besohet se ka nisur për prishjen e pazareve të drogës. Të paktën kështu ka deklaruar policia italiane në një komunikim me mediat e shtetit fqinj. Sipas zyrtarëve të policisë në afërsi të një lokali nate, pub “Blue Moon”, është hapur zjarr mes dy bandave rivale shqiptarësh. Nga ky shkëmbim i zjarrit ka mbetur i vrarë i riu shqiptar, Eduard Cumi dhe është plagosur Isa Korcaj, 23 vjeç, i cili mendohet se ishte nga pala kundërshtare e viktimës. Ende nuk janë sqaruar rrethanat përfundimtare të ngjarjes, por hetuesit mësohet se po presin përmirësimin e gjendjes shëndetësore të së plagosurit, pasi vetëm ai mund të japë shpjegime mjaft të rëndësishme. Ndërkohë, agjencitë italiane të lajmeve shkruajnë edhe për vrasjen e një shqiptari tjetër, i cili ishte i martuar me një grua italiane. Duke iu referuar policisë, mediat italiane shpjegojnë se 28-vjeçari Emiljan Keçi, është vrarë në sy të policëve, me disa të goditura hanxhari në kokë nga djali 19-vjeçar, i gruas me të cilën ishte i martuar prej disa vitesh.
KONFLIKTI MES BANDAVE
Eduard Cumi, 28 vjeç ka mbetur i vdekur në vend nga disa të shtëna automatiku, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Brianza të Milanos. Ai kishte shkuar në zonën e njohur si Severo Lentate për t’u sqaruar me disa shqiptarë të tjerë, të cilët më pas e kanë ekzekutuar. Dyshohet se mes 28-vjeçarit dhe autorëve të vrasjes së tij, ka pasur mosmarrëveshje në lidhje me trafikun e drogës, të paktën kështu ka bërë të ditur policia italiane për mediat. Ndërkohë, gjatë të shtënave është plagosur edhe një tjetër shqiptar, 23-vjeçari Isa Korcaj, i cili ishte në palën e autorëve të vrasjes. Ndërkohë, disa orë më vonë një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në provincën e Imolas. Një shqiptar tjetër në Itali është qëlluar për vdekje me hanxhar në kokë, nga djali italian i gruas me të cilën ishte martuar emigranti. Djali 19-vjeçar, Nicolas Fini, ka pasur një debat me njerkun e tij shqiptar, Emilian Keçi, pasi ai në gjendje të dehur po i bezdiste nënën në rrugë. Vrasja e Keçit ka ndodhur në kohën kur policia ishte e pranishme, pasi ishin njoftuar nga një fqinj, i cili kishte dëgjuar gruan duke bërtitur. Shqiptari është transportuar për në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërsa 19-vjeçari Nicolas Fini është arrestuar.
Policia italiane heton dy vrasjet
Itali – Policia italiane ka dokumentuar të dy ngjarjet e ndodhura dje të cilat për protagonistë patën tre emigrantë shqiptarë. Autori i vrasjes në familje është identifikuar, ndërsa ende nuk është e qartë autorësia e përplasjes me armë mes atyre që janë konsideruar “grupe shqiptarësh” rivale në trafikun e drogës. Policia italiane nxitoi të deklarojë se njëri shqiptar u vra, kurse tjetri u plagos rëndë si pasojë e sherreve mes tyre për trafikun e drogës. Megjithatë, derisa autorët e ngjarjes ende nuk njihen, pavarësisht se viktima mund të ketë precedentë penalë, nuk është e qartë në mënyrë përfundimtare kush ka qenë shkaku i përplasjes me armë zjarri. Policia ka marrë në pyetje disa persona të njohur të emigrantit që u vra dhe atij që mbeti i plagosur, ndërsa ende nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi këtë hetim.