Një manual i mirëmbajtjes së ikonave
Në Galerinë Kombëtare të Arteve qëndron e hapur ekspozita "Manuali i mirëmbajtjes së ikonave", e cila tregon faza të ndryshme të procesit të restaurimit të ikonave. Këto ikona i përkasin Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës. Kjo ekspozitë është fryt i një programi bashkëpunimi mes muzeut të kulturës bizantine dhe të Qendrës Evropiane të Monumenteve Bizantine dhe Pasbizantine me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës. Në kuadër të këtij programi, 88 ikona nga koleksionet e Muzeut të Korçës u trajtuan në laboratorët e Muzeut të Kulturës Bizantine dhe në vazhdim u prezantuan, për herë të parë në Greqi, në një ekspozitë që u organizua në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik. Paralelisht, mirëmbajtësit e muzeut shqiptar, duke marrë pjesë edhe vetë ata në procedurën e mirëmbajtjes gjatë gjithë kohës së programit, kishin mundësinë që të trajnoheshin lidhur me teknologjitë e reja, si dhe metodat moderne të diagnozës dhe mirëmbajtjes. Në 452 faqet e "Manualit të mirëmbajtjes së ikonave nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar të Korçës" paraqiten me tekste të hollësishme dhe me një dëshmi të plotë fotografike të gjitha stadet e mirëmbajtjes, e cila zgjati plot pesë vjet. Ashtu sikurse shkruan Dr. A. Tourta në parathënien e ekspozitës, "Manuali u përgatit me një mënyrë të tillë që, me shkas diagnozën, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e dhjetë ikonave të përzgjedhura të Muzeut të Korçës, të bëhen referime më të përgjithshme lidhur me çështje që kanë të bëjnë me: drurin e ikonave, lidhjen e shtresave të pikturës, pastrimin e shtresës sipërfaqësore të pikturës dhe së fundi me metodologjinë dhe deontologjinë e rehabilitimit estetik. Me këtë mënyre ky botim, me sasinë e madhe të informacioneve teknike që përmban mbulon tërësinë e pothuaj të gjithave çështjeve që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e ikonave. Mbi të gjitha skicat e larmishme, tabelat (sikurse për shembull, të tretësve), si dhe ikonografitë që shoqërojnë tekstet, i bëjnë ata më të kuptueshëm dhe e bëjnë këtë botim një manual të vërtetë didaktik".