Një vend edhe për Kosovën në “Miss Universi 2008”
Flet presidentja e spektaklit ndërkombëtar të bukurisë, Paula M. Shugart.Himni, flamuri dhe “Miss Kosova” do të pranohen në konkursin prestigjoz
Beqir Sina nga Nju Jorku
Në një darkë festive, me rastin e pavarësisë së Kosovës, në zemër të Nju Jorkut, në restorantin “Lumi”, mes të ftuarve ishin të pranishëm ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për çështjen e Kosovës, ambasadori Frank G.Wisner, një pjesë e stafit të Ambasadës Amerikane pranë OKB-së, zëvendësshefja e Misionit të Britanisë së Madhe në OKB Karen Pierce, si dhe presidentja e spektaklit ndërkombëtar të bukurisë “Miss Universi”, Paula M. Shugart. Në këtë mbrëmje festive, presidentja e Miss Universit deklaroi zyrtarisht se organizata e saj “Miss Universe Organization” ka marrë vendim që pas shpalljes së pavarësisë të Kosovës dhe njohjes së saj politikisht, nga shumë shtete të botës, përfshirë SHBA-të, në fushën e kulturës organizata e saj e pranon Kosovën si anëtare me të drejta të plota në konkurrencën e radhës. Pra tashmë Kosova ka të drejtë të përfaqësohet me flamurin, himnin dhe të gjitha targat e saj në çdo aktivitet të “Miss Universe Organization”. Kjo do të thotë se edhe politika mund të ketë ndikim të madh në art, kulturë e sport, edhe pse një fakt i tillë të lë pak shije të hidhur. E pra Kosovën do ta shohim këtej e tutje si anëtare, shtet që përfaqësohet me bukurinë e tij në “Miss Universi”. Por, duhet theksuar se ngjarja e madhe kulturore vjen menjëherë pas njohjes ndërkombëtare nga afro 100 shtete të pavarësisë së Kosovës, në politikë së pari, e më pas edhe në sport, në Komitetin Olimpik të garave “Pekin 2008”. Kosova pritet të dërgojë kërkesë për pranimin e delegacionit të shtetit të saj me flamurin, himnin e ngjyrat e Kosovës në kongresin e KLO-së (Committee for the Games of the XXIX Olympiad), i cili do të mbahet në gusht të vitit 2008 në Kinë. Hyrja e Kosovës si vendi i 69-të, me të drejta të plota në “Miss Universi”, është bërë pas insistimit dhe kërkesës që fotografi i njohur shqiptar në SHBA, Fadil Berisha, i ka bërë presidentes së Miss Universit, Paula M. Shugart. Por edhe ne gjetëm rastin të zhvillojmë një intervistë të shkurtër me presidenten e “Miss Universe” që vijon më tej:
Çfarë është "Miss Universe Organization"?
“Miss Universi” është konkurrenca më e madhe në botë, për vajzat e reja në nivel ndërkombëtar dhe organizohet nga “Miss Universe Organization”. Kjo ndërmarrje e madhe është krijuar në vitin 1952 nga kompania e modës së veshjeve “Pacific Mills”. Përpara se përzgjedhjen e bukurosheve nga anembanë botës ta merrte në vitin 1996 multimiliarderi amerikan Donald Trump, dy kompani të tjera e udhëhoqën këtë sipërmarrje, kompania “Kayser-Roth” dhe “Gulf & Western Industries”. Duke përfshirë edhe dy garat e tjera ndërkombëtare rivale me Miss Universin, Miss World dhe Miss Earth, të trija janë më të famshmet në botë. Ne kemi 150 anëtare të këtij konkurrimi nga të gjitha vendet e botës, në të pesë kontinentet. Në garën e parë, të zhvilluar në Long Beach, Kaliforni, në vitin 1952, kurorën e artë të Miss Universit e fitoi Armi Kusela nga Finlanda. Sikurse të fundit, në vitin 2007, e fitoi bukuroshja nga Japonia, Riyo Mori.
Sa anëtare ka “Miss Universe Organization”?
Kemi 68 shtete anëtare. Dhe prej sot, me gjithë njohjen e Kosovës si shtet dhe pranimin e saj si anëtare e plotë e “Miss Universe Organization” , jemi 69 shtete anëtare. Kjo ka filluar nga anëtarët e parë si Venezuela, SHBA, Porto Riko, India, Afrika e Jugut, anëtare me delegate e të drejta të plota, me himnin, flamurin dhe fashën me emrin e shtetit që përfaqësojnë qysh në vitin 1952, ndërsa çdo vit pothuajse ka pasur anëtarë të rinj që aplikojnë. Kështu, që në vitin 2002 u pranua Republika Popullore e Kinës dhe Republika e Shqipërisë. Më pas, në vitin 2004, Republika Popullore e Vietnamit, Gjeorgjia e Etiopia. Në vitin 2005 u pranua Letonia, në 2006-n Kazakistani dhe në 2007-n Tanzania. Tashmë pranuam edhe shtetin më të ri në botë që do të ketë delegacionin e vet, me flamurin, himnin dhe fashën që do të mbajë emrin “Republika e Kosovës”. Në pranimin e Kosovës si shtet në këtë garë ndërkombëtare të vajzave më të bukura në botë, përfitoj nga rasti të pohoj se një meritë të veçantë ka kolegu ynë, artisti e fotografi Fadil Berisha.
Çfarë do të thotë kjo, që edhe Kosova u bë anëtare e “Miss Universe Organization”?
E përmenda më lart, ne jemi një nga organizatat më të njohura në botë. Të drejtën ekskluzive të transmetimit direkt të garës së vajzave më të bukura në botë vitin e kaluar e morën 125 shtete. Sipas statistikave, mëse një miliard spektatorë rreth e përqark globit patën fatin të ndjekin këtë spektakël madhështor vitin e kaluar, ku kurorën “Miss Universi” e fitoi bukuroshja nga Japonia Riyo Mori. Ajo fitoi edhe 250 mijë dollarë kontratë me kompaninë tonë. Unë nuk jam politikane dhe nuk bëj politikë, por tani që Kosova u bë shtet do të njihet edhe nëpërmjet spektaklit tonë si i tillë duke filluar që nga ky vit. Missi që do të përfaqësojë Kosovën do të shihet nga e gjithë bota, me flamurin, himnin e saj dhe fashën ku do të shkruhet “Kosova”. Mendoni pak se çfarë suksesi do të ishte për Kosovën sikur vajza nga Prishtina të fitonte kurorën e artë të “Miss Universit”.
29 Shkurt 2008