Gabimet e opozitës me KESH-in
• Eduard ZaloshnjaEdhe pse kanë kaluar më se 17 vjet nga koha kur në Shqipëri u lejua krijimi i opozitës së parë politike pas 70 vjetësh, fatkeqësisht, akoma nuk është krijuar tek ne ajo që në botën demokratike quhet opozitë luajale. Pra, akoma opozita e sotme, ashtu si ajo e djeshmja dhe e pardjeshmja, në shumicën e rasteve, sulmon maxhorancën me ç’të mundet e si të mundet, vetëm sepse duhet ta sulmojë atë. Me fjalë të tjera, ne akoma kemi një opozitë që në të shumtën e rasteve leh kot. Të rënda këto fjalë për opozitën? Janë ca. Ndoshta gishtat që po shkruajnë këto rreshta duhej ...të ishin përmbajtur pak tek shtypnin fjalët e mësipërme në tastierë. Por ama, dalja në televizion e Erion Braçes me faturën e një vjedhësi të energjisë elektrike nga Berati, nëpërmjet së cilës nënkryetari i grupit parlamentar të partisë më të madhe të opozitës akuzoi Korporatën shtetërore të elektrikut, vërtet të revoltonte. Duke gjykuar nga përgjigjja e drejtorit të KESH-it në konferencën për shtyp, si dhe nga një verifikim personal në zyrën e tij, për deklaratën e Braçes arrita në njërin nga këto dy konkluzione: 1 - Në rastin më të keq, nënkryetari i grupit parlamentar socialist e dinte se fshatari nga Berati kishte vjedhur energjinë, por bëri një shou në TV duke shfrytëzuar faktin se energjia e vjedhur faturohet si aforfe në faturat tip të KESH-it; 2 - Në rastin më të mirë, nënkryetari i grupit parlamentar socialist as nuk e dinte dhe as nuk u përpoq të mësonte rreth kësaj praktike të KESH-it me faturat.Rasti i këtij sulmi pa bazë të Braçes ndaj KESH-it, nuk është as i pari për të ndaj një institucioni të kontrolluar nga mazhoranca, as i pari i një eksponenti të opozitës, e as monopol i opozitës së sotme (madje, e djeshmja dhe e pardjeshmja mund të kenë qenë edhe më të shquara në këtë drejtim). Sidoqoftë, ky rast i fundit i Braçes shërben si një metaforë e përkryer e problemit të madh që kanë patur opozitat tona deri më sot. Ato, çfarëdo informacioni në dëm të mazhorancës që t’iu ketë ardhur në dorë, e kanë përdorur për sulme publike ndaj saj, pa u menduar asnjë çast për saktësinë e informacionit apo për besueshmërinë e burimeve që e kanë prodhuar atë. Dhe si rezultat, kur janë dhënë prova që kanë treguar se sa të pavërteta kanë qenë sulmet - siç demonstroi drejtori i KESH-it në konferencën e tij për shtyp, ku tregoi edhe grepat që kishte përdorur vjedhësi që mbrojti Braçe - opozitës thjesht i bie kredibiliteti në sytë e publikut. Dhe fatkeqësisht, kjo nuk është një humbje vetëm për opozitën - ajo është një humbje e madhe edhe për vetë demokracinë.Një nga epërsitë e mëdha të demokracisë si sistem, krahasimisht me sisteme të tjera, është se, përveç mundësisë për rrotacion periodik të pushtetit, krijon hapësirë që opozita politike ta mbajë nën trysni publike qeverinë. Duke ndikuar kështu në përmirësimin e punës së saj gjatë periudhës midis dy zgjedhjeve. Por frytet e kësaj epërsie të trupëzuar në sistemin demokratik të qeverisjes mund të vilen vetëm kur opozita është luajale. Pra, kur ajo nuk sulmon vend e pa vend qeverinë, por studion me seriozitet e thellësi të metat e qeverisjes dhe ia demonstron ato publikut me argumente të pakundërshtueshme. Përndryshe, opozita duket në sytë e njerëzve si ato konet që lehin kot sa herë që në rrugicën e tyre kalon dikush, ndërkohë që duhet të jetë si ata qentë fisnikë që i turren vetëm atyre që duan t’i bëjnë keq pronës që ata ruajnë.