E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria reagon për demonstratat: “Kosova, republikë!”

Reagimi i Tiranës zyrtare pas protestave të Prishtinës në vitin 1981. Polemikat me gazetën e Beogradit “Borba” dhe deklaratat pro pavarësisë
Ngjarjet e mars-prillit të këtij viti shtruan me një mprehtësi të veçantë një çështje të madhe parimore, atë të pozitës kushtetuese të Kosovës dhe përgjithësisht të popullsisë shqiptare në Jugosllavi në kuadrin e federatës. Parulla “Kosova-republikë”, e ngritur në mënyrë të ndryshme edhe më parë, tani ka pushtuar masën e gjerë. Ajo ka dalë tani sheshit, flitet me zë të lartë, atë e gjejmë në traktet dhe thirrjet, në sheshet dhe rrugët e qytetarëve, në rrugët e fshatrave, në muret e shkollave dhe të ndërtesave publike, kudo në krahinë. Më kot shpejtojnë skuadrat shëtitëse të mbrojtjes territoriale ta shuajnë e ta mbulojnë, me gjithë terrorin në rritje, ajo shfaqet prapë. ǒka është kryesorja, ajo është rrënjosur tanimë thellë në zemrat dhe mendjet e njerwzve që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë. Muajt që kanë kaluar që prej pranverës kanë nxjerrë në shesh se Kosova-republikë është një kërkesë reale, e kohës, është një kërkesë, së cilës nuk mund t’i bëhet bisht. Duan ose nuk duan serbomëdhenjtë të pranojnë, ajo po bëhet një nga problemet më djegëse në jetën e brendshme të Jugosllavisë. Si problem i shtruar për diskutim, ajo ka fituar të drejtën e qytetarisë. Ajo nuk është më një temë tabu. Dhe po të kemi parasysh gjerësinë dhe forcën e lëvizjes, mund të themi me plot bindje se ajo nuk do të bjerë nga rendi i ditës derisa të marrë zgjidhjen e saj më të drejtë. “Kosova-republikë”, përpara se të jetë një aspiratë, shpreh një protestë. Është një protestë e fuqishme e një popullsie prej 2-milionësh, e cila tani ka jo vetëm vetëdijen e numrit, të madhësisë, por edhe ndjenjën e drejtësisë së kauzës së saj. Është zëri i një popullsie që ka një përvojë të gjatë ndjekjesh e keqbërjesh në kurriz të saj, bashkë me një traditë të shkëlqyer të qwndresës së pamposhtur e kryelartë. Mesazhi i saj, i përhapur tanimë gjithandej nëpër botë, është i thjeshtë dhe i qartë: ajo nuk do të pranojë të merret nëpër këmbë, nuk do të lejojë të trajtohet si një racë inferiore përkundrejt kombeve dhe kombësive të tjera të përfshira në federatë. Një hap i domosdoshëm drejt fitimit të barazisë është realizimi i kërkesës “Kosova-republikë”. Shtypi jugosllav, i rangut republikan apo federativ qoftë, u përpoq për një kohë të gjatë ta minimizojë ose ta injorojë këtë parullë. Të gjithëve u kujtohet nënvlerësimi dhe mospërfillja me të cilën e pritën atë fillimisht në Beograd e gjetkë. Ngjarjet e Kosovës u përshkruan gati-gati si një akt rebelimi i thjeshtë, si një shpërthim brutal rrugësh i turmës së pavetëdijshme, pa shkak dhe pa ndonjë qëllim të qartë. Parullat mbi shpirtin retrogradw shkatërrues të shqiptarit u përhapën gjerësisht në një orvatje për të përligjur kundërveprimin e përgjakshëm të policisë. Është një tjetër provë e forcës së lëvizjes, e pjekurisë së saj, e vitalitetit të kërkesës, në qoftë se sot në shtabin drejtues të propagandës antishqiptare janë detyruar të bëjnë një kthesë. Krahas reprezaljeve të rënda, që bien mbi krye të demonstruesve kosovarë dhe në kuadrin e tw gjithë fushatës propagandistike që shoqëron aksionin ndëshkues në Kosovë, po bëhen përpjekje për t’i shkuar në ndihmë “Diferencimit ideopolitik”duke shpjeguar pse Kosova nuk mund të bëhet republikë. Pikërisht ky është titulli i përgjithshëm me të cilin “Borba”, organi qendror i Lidhjes Socialiste të Punonjwsve të Jugosllavisë, ka dalë këto kohët e fundit me një varg artikujsh, me çka ajo mund të themi i jep fund njëfarë qëndrimi të “distancuar” nga lart e nga larg ngjarjeve të Kosovës duke u përpjekur të na japë njëkohësisht një analizë dhe një sintezë. Artikujt i janë besuar penës së publicistit Jovan Rajçeviç, i cili merrr mundimin të nxijë faqe të tëra për t’i dhënë përgjigje pyetjes që është ngritur jo vetëm në Kosovë, por edhe në opinionin e gjerë botëror: PSE Kosova nuk mund të jetë republikë, cilat janë arsyet që e shtyjnë udhëheqjen jugosllave të tregohet kaq e ngurrosur në këmbënguljen e saj për të hedhur poshtë një kërkesë, e cila në mos është në germën, është pa dyshim në frymën e Kushtetutës së Jugosllavisë (po qe se sigurisht e marrin seriozisht këtë Kushtetutë). Vërejtja e parë që vjen në mendje nga leximi i një materiali të tillë është se ndërsa aty përpara këtë çështje nuk denjonin as ta zinin në gojë, tani sidoqoftë janë të shtrwnguar ta diskutojnë, ta arsyetojnë. Po merret me të vetë organi qendror i Lidhjes Socialiste të Punonjësve të Jugosllavisë. Bie në sy, së dyti, se artikujt kanë pretendimin të jenë më tepër sesa një shkrim publicistik i thjeshtë, ato paraqiten si një lloj studimi pseudoshkencor me trajtime teoriko-doktrinale, në të cilën faktorët politikë, ekonomikë juridikë, etnikë, psikologjikë mblidhen bashkë për të rrëzuar “Kosovën-republikë”. Ajo që i karakterizon artikujt e “Borbës” në mënyrë të veçantë, ideja kryesore që i përshkon tej e mbanë, është teza se çështja kombëtare në Jugosllavinë e pasluftës ka gjetur zgjidhjen më të drejtë e më të plotë sa madje Federata Jugosllave përbën një shembull të papërsëritur nga kjo anë, një model të paarritshëm deri sot në botë. Diku Rajçeviçi lëshon sfidën: “A ka vallë sot në përgjithësi në botë, qoftë në Lindje, qoftë në Perëndim apo edhe në vendet e ashtuquajtura në zhvillim”, një rast tjetër që në pikëpamjen e trajtimit të çështjes kombëtare t’i afrohet atij të Jugosllavisë? Kështu shpjegimi i parë e më i përgjithshëm që jepet se pse Kosova nuk mund të jetë republikë, është se çështja kombëtare sot në Jugosllavi nuk ngrihet, sepse ajo është zgjidhur me kohë, se ngjarjet në Kosovë nuk janë gjë tjetër veçse një “aksident në rrugë e sipër”, që nuk mund ta prishë harmoninë e bashkësisë, atmosferën e bashkim-vëllazërimit që mbretëron në marrëdhëniet midis popujve dhe kombeve të Jugosllavisë. Nga kjo lihet të kuptohet se aksioni i shqiptarëve të Kosovës është një fenomen krejt i izoluar, që stonon, që përbën një nonsens përkundrejt tablosë tërësore të paqes kombëtare të realizuar në federatë. Njoftimet e shtypit të huaj vënë në dukje se si në opinionin jugosllav po krijohet e po kultivohet një psikozë fajësimi të shqiptarëve: këta janë vënë në shënjestër dhe tregohen me gisht si burimi kryesor, në mos i vetmi, i të gjitha të këqijave që po kalon Jugosllavia në këtë fazë. Ky vlerësim global na jepet si një postulat, si një e vërtetë absolute. Në bazë të logjikës formale, kjo duhet të përjashtojë çdo diskutim lidhur me çështjen kombëtare në Kosovë. Nuk është qëllimi ynë këtu të zgjatemi rreth një problemi që i përket gjithë Jugosllavisë si federatë. Ne kemi pasur dhe kemi opinionin tonë dhe pozicionin tonë, ne kemi thënë dhe themi se revizionizmi jugosllav, as në teori e as në praktikë, nuk jep bazë për një trajtim të shëndoshë të çështjes kombëtare. I nisur e i kristalizuar si një deformacion i thellë i doktrinës marksiste-leniniste në planin më të gjerë, ai nuk mund të mos soste me një dështim edhe në këtë fushë. Në të vërtetë, politika nacionale në Jugosllavinë titiste nuk është vendosur asnjëherë në themele të qëndrueshme, në parime solide të përshkuara nga ideale socialiste. Ajo ka qenë një politikë e inspiruar nga pragmatizmi, një politikë koniunkturash, ekuilibri të kontradiktave dhe grindjeve ndërnacionale. Kjo është arsyeja që rivalitetet midis kombeve e grupeve të ndryshme etnike sllave e josllave përbëjnë një nga tiparet më karakteristike të jetës së brendshme të Federatës Jugosllave. Kjo ka çuar shpesh në zhvillime të bujshme, si rënia e Rankoviçit më 1966-n dhe spastrimet e viteve ‘70 në dy republikat më të rëndësishme, atë serbe e kroate. Të gjitha këto shpërthime tronditëse kanë pasur në themel çështjen kombëtare. Nuk bindin asnjë njeri mburrjet e “Borbës” se në këtë fushë zhvillimi i Jugosllavisë ka shkuar normalisht e pa tronditje. Ajo që ka më tepër rëndësi, këtu do të përqendrohet më tepër vwmendja jonë më e madhe, është se operacionet kryesore për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Jugosllavi pas luftws, ujditë dhe koncensionet e ndryshme, janë kryer në kurriz të kombësisë shqiptare. Të drejtat themelore të saj janë bërë fli në altarin e paqes kombëtare në Federatën Jugosllave. Asgjë tjetër nuk e nxjerr në pah më mirë natyrën e vërtetë të politikës nacionale në Jugosllavinë titiste. Shqiptarët dhe viset e banuara prej tyre janë përdorur si gurë shahu në lojën e paprinciptë për të platitur grindjet midis republikave sllave. Zhvillimet e mëtejshme janë të njohura, por përsëritja është ilaçi më i mirë kundër kujtesave të shkurtra e të zbehta. Pjesa më e madhe, trungu, Kosova, u la nën sqetullën e Serbisë, kurse resti, degët, u ndanë midis Maqedonisë dhe Malit të Zi. Për mendimin dhe dëshirën e shqiptarëve, as që u pyet fare. Shqiptarët në të dyja anët e kufirit i janë përmbajtur kurdoherë një vije konsekuente. Ata nuk ranë në grackën e Shqipërisë së madhe të markës fashiste, ata besuan në idealet e Luftës Nacionalçlirimtare, në parimin e vetëvendosjes së kombeve dhe, mbi këtë bazë, në Bujan, në dhjetor 1943 -janar 1944, shqiptarët e asaj ane në formën dhe instancën e duhur kërkuan bashkimin me Shqipërinë si një e drejtë e fituar me luftën e tyre.

Shkrimi është marrë në gazetën “Bashkimi” tw datës 12 shtator 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›