E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Kriza zgjidhet përmes votës


Politikani Servet Pëllumbi tha se kërkesa nga ndonjë eksponent i PS-së për rrëzimin e qeverisë më 30 prill është naivitet


TIRANË - Politikani me përvojë i Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi, thekson se kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme dhe pushtetit të votës. Ai argumentoi se opozita duhet t'i zhvillojë protestat në kuadër të përforcimit të kërkesës për zgjedhje të parakohshme dhe jo të shfaqë qëndrime radikale për largimin e qeverisë. Pasi ky veprim politik, sipas tij, nuk është demokratik. Megjithatë, ai i cilësoi protestat si pjesë të demokracisë së drejtpërdrejtë, por, sipas tij, ato duhet të kenë edhe limitin e tyre, ndërsa vuri në dukje se kërkesa për rrëzimin e qeverisë më 30 prill është naivitet. Këtë qëndrim, politikani i njohur i së majtës, e shprehu dje gjatë pyetjeve dhe përgjigjeve me gazetarë, sociologë e pedagogë, në javën e mbylljes së aktivitetit të librit, ku ai prezantoi edhe librin e tij të fundit me titull "Filozofia e Aktualitetit", në të cilin ai thekson edhe shqetësimet mbi situatën politike në vend. Gjithsesi, Pëllumbi specifikoi se populli ka të drejtë të reagojë ndaj qeverisë kur është i bindur se po qeveriset keq dhe mosbindjet civile, sipas tij, janë zhvilluar edhe në vende demokratike, si në Greqi apo Francë.

Duke qenë se mëshironi idetë, procesin e së majtës në Shqipëri dhe si ideolog i saj, a gjeni një motiv që pse përfaqësimi i së majtës sot është shndërruar në një forcë aprogramatike, ndryshe nga dikur kur ishte një forcë programatike?
Koncepti i majtë dhe i djathtë ka evoluar që nga koha që kanë filluar të përdoren. Edhe e majta edhe e djathta duhet të dinë të përshtaten. Po nuk u përshtatën, mbeten arkaike. Por, nëse rendin shumë dhe nuk mbajnë parasysh rrethanat konkrete, izolohen, dalin jashtë nga skena. Ato duhet të jenë të lidhura aq shumë me njerëzit sa të mos shkrihen në turmë. Por, në të njëjtën kohë duhet të jenë aq të lidhura sa të mos shkëputen dhe të izolohen. Duhet gjetur mesatarja. Tani në rastin konkret tek ne, çfarë ndodh, ai që është i majtë duket sikur ka turp të thotë që jam i majtë. Përse? Sepse nuk u referohet atyre shtresave dhe kategorive të njerëzve që janë të majtë dhe kërkojnë një program të majtë, nga vetë gjendja e tyre social-ekonomike. Por, nëse partinë e ke për rreth një grupi njerëzish, pa referenca në hapësirat sociale, atëherë nuk është parti në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nëse u drejtohesh në përgjithësi votuesve dhe jo shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetvetiu mos kërko që të të votojnë dhe mos kërko të të mbështesin, që të të mbështesin duhet t'u japësh ato zgjidhje dhe ide që kërkojnë ata...

Z. Pëllumbi, duke iu referuar aktualitetit politik, njëkohësisht edhe aksionit politik të së majtës së sotme, e cila kërkon që të bëjë transparencën e zgjedhjeve përmes protestave. Si e komentoni këtë aksion politik të së majtës, e cila për të arritur zgjidhjen e krizës kërkon largimin e qeverisë nga pushteti? E dyta, duke qenë se ju jeni një politikan me përvojë, sipas jush, si mund të zgjidhjet kriza politike në vend, e cila vazhdon prej gati 8 muajsh?
Unë i përmbahem kësaj pikëpamjeje që protestat janë pjesë e demokracisë, janë lëvizje masive, janë pjesë e demokracisë direkte dhe si të tilla ato kanë vlerat dhe rëndësinë e tyre, bartin mesazhe të rëndësishme për ata që duan të dëgjojnë dhe dinë të vlerësojnë demokracinë direkte dhe lëvizjet masive. Edhe lëvizjet kanë vlerën e tyre. Por, kur vjen puna tani, vlerësimi i tyre duhet bërë nga koncepte demokratike dhe jo nga koncepte që mund t'i shkrepë njëri apo tjetrit. Domethënë që vlerësimi i tyre është, që këto kanë edhe limitin e tyre, bartin një mesazh të caktuar, bëjnë një presion demokratik të caktuar. Por, nuk mund të shtrohet çështja, që me një manifestim apo protestë të përmbysësh apo të zëvendësosh qeverinë, atëherë nuk je në demokraci. Demokracia në rastin konkret, ndërrimin e qeverive, ndërrimin e pushteteve, rotacionin, e bën në bazë të votës. Në qoftë se do ta bësh këtë presion për të shoqëruar kërkesën për zgjedhje të parakohshme, dakord, ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme, sepse nuk mund të qeverisemi më në këtë mënyrë, nuk duam të qeverisemi në këtë mënyrë, sepse krizat pikërisht këtë kanë. Krizat lindin atëherë kur ata që qeverisen, nuk duan më të qeverisen me mënyrën e vjetër dhe nga politikanët e vjetër. Por, edhe politikanët e vjetër dhe institucionet e vjetra nuk e qeverisin do më tej dhe në çdo hap krijohen konflikte të reja. Atëherë, në këtë rast kriza do zgjidhje dhe zgjidhja është vota. Por, të thuash siç kam dëgjuar ndonjë politikan të së majtës, fatkeqësisht, që thotë se në 30 prill merr fund qeveria, në 30 prill merr fund korrupsioni, është naivitet.

Duke iu referuar edhe shqetësimit në librin tuaj, si mendoni, cilat duhet të jenë rrugët për minimizimin e fenomeneve negative që shfaqen sot?
Çështja më e debatueshme është çështja e gjetjes së rrugëve. Aty duhet të dallohen studiuesit dhe politikanët për të gjetur zgjidhjet. Ne mendojmë se e kemi gjetur rrugën duke krijuar 30 e ca universitete private, dhe kushdo që të shkojë të studiojë, të studiojë. E marrin diplomën me para. Duhet të zbehet ai militantizmi, që ik ti, të vijë ky, sepse ky ka ndikuar në votimet e 28 Qershorit. Atëherë, vetvetiu kjo shoqëri është e sëmurë. Ne e kemi shoqërinë demokratike në pikëpamje të parë, por e kemi demokraci imituese. Ne imitojmë demokraci, por nuk kemi demokraci. Ne duhet të kemi demokraci reale dhe funksionuese që ti të kesh përfitime nga demokracia, por të kesh edhe një lloj droje, një lloj frike nga demokracia, pasi njerëzit mund të ngrihen krijojnë një bashkësi dhe të thonë ndal. Ne këtë se kemi. Kjo e bën demokracinë të brishtë. Ne e kemi të gjitha çka një demokraci, por nuk e kemi demokraci funksionale, kemi ligje, por ne kemi shkallën më të lartë të moszbatimit të ligjeve. Edhe kur unë isha kryetar Parlamenti, që bëmë një vëzhgim atëherë, rezultonte se 70 për qind e ligjeve nuk zbatoheshin. Keni për shembull vendime të qeverisë që me Kushtetutë duhet të botohen në Fletoren Zyrtare, që të bëhen aktive. Janë 800 e ca vendime të pabotuara brenda një viti, që do të thotë që ato janë vendime që nuk zbatohen sepse nuk janë bërë efektive. Prandaj, ata që luftojnë kush do të vijë në pushtet, le të bëjmë alternativat e zgjidhjes, cila është ajo forcë politike që do të zbatojë ligjet dhe unë pavarësisht bindjeve që kam do ta votoj atë forcë politike.

Duhet ideoligjizuar spektri politik, apo duhet të rendim pas një mekanizmi, duke iu referuar më shumë alternativave dhe aftësive racionale qeverisëse?
Dallimi midis këtyre është relativ. Njerëzit kanë nevojë për siguri sociale dhe bizneset, të pasurit duhet të mos lakmojnë atë që thuhet rritja e vazhdueshme ekonomike pa pyetur për asgjë, por t'u japin mundësi edhe atyre që nesër mund të ngrihen kundër teje. Nëse nuk do që të vijë një epokë tjetër revolucionesh, në qoftë se nuk do që konfliktet sociale të marrin përmasa të tilla saqë të vijë edhe ajo që po thuhet këtu tek ne, mosbindja qytetare. Ka shembuj të mosbindjes qytetare në shumë vende të zhvilluara qoftë në Greqi, qoftë në Francë. Mosbindja qytetare para dy vjetësh në Francë brenda një nate dogji 20 mijë makina. Në këtë mënyrë, klasa e biznesmenëve diti t'i japë shtetit atë që i takon sesa të ndeshet përditë me lloj -lloj doganierësh dhe të tjerë, që kërkojnë të përfitojnë në kurriz të biznesit. Ekonomia sociale e tregut duhet ndrequr, por jo ta quajmë të dështuar.

Referuar zhvillimeve të fundit, kemi një koalicion të majtë me të djathtët, ndërkohë që në anën tjetër kemi bashkëpunime të tjera edhe pse dikur kanë qenë përballë njëri - tjetrit, siç është rasti Rama - Ngjela. Sa përqindje moral shihni në këtë ngërdheshje politike midis tyre?
Politika nuk është moral dhe nuk mund të vendosim shenjë barazimi me moralin. Politika është politikë. Është e mbështetur në disa zgjidhje, në disa ide, në disa programe konkrete, ndërsa morali në thelbin e vet është mbarë njerëzor, është universal. Kur unë them politika do moral, kam parasysh jo që morali të bëhet politikë dhe politika moral. Secili të ruajë vendin e vet. Por, "të jenë fqinj të mirë, të ndihmojnë njëri - tjetrin". Kjo ide është më qendrore për sot dhe për të ardhmen. Morali i kuptuar në thelbin e vet universal është Kushtetuta e së ardhmes.

Zgjedhjet e parakohshme
Demokracia në rastin konkret, ndërrimin e qeverive, ndërrimin e pushteteve, rotacionin, e bën në bazë të votës. Në qoftë se do ta bësh këtë presion për të shoqëruar kërkesën për zgjedhje të parakohshme, dakord, ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme, sepse nuk mund të qeverisemi më në këtë mënyrë, nuk duam të qeverisemi në këtë mënyrë, sepse krizat pikërisht këtë kanë.

Zgjidhja
Në këtë rast kriza do zgjidhje dhe zgjidhja është vota. Por, të thuash siç kam dëgjuar ndonjë politikan të së majtës fatkeqësisht, që thotë se në 30 prill merr fund qeveria, në 30 prill merr fund korrupsioni, është naivitet.

Morali dhe politika
Politika nuk është moral dhe nuk mund të vendosim shenjë barazimi me moralin. Politika është politikë. Është e mbështetur në disa zgjidhje, në disa ide, në disa programe konkrete, ndërsa morali në thelbin e vet është mbarënjerëzor, është universal. Kur unë them politika do moral, kam parasysh jo që morali të bëhet politikë dhe politika moral. Secili të ruajë vendin e vet. Por, "të jenë fqinj të mirë, të ndihmojnë njëri-tjetrin". Kjo ide është më qendrore për sot dhe për të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›