Ftesa, Rama - Berishës: Nuk ka debat pa hapur kutitë

Kryetari i opozitës, Edi Rama, foli edhe për udhëzimin më të fundit të qeverisë për katërfishimin e shërbimeve gjyqësore. Rama fton qytetarët për protestë më 30 prill
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha sfidoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, për një debat publik, dy ditë më parë, gjatë një forumi të zhvilluar për median. Por, 24 orë më pas, kryetari i PS-së, Edi Rama, përmes një konference për shtyp, i ka kujtuar kreut të ekzekutivit se sfidat kanë radhë. Sipas tij, sfida prej muajsh e kryeministrit Berisha është që të hapë kutitë e votimit. Pa hapur kutitë, nuk ka debat për kryetarin e opozitës. "Zoti Berisha është sfiduar prej 10-muajsh që të hapë kutitë, që mban mbyllur. Sapo të hapë kutitë, unë do të pranoj të debatoj me të ku të dojë dhe kur të dojë. Sepse vetëm hapja e kutive e çliron gjykimin e popullit me votë, ndërsa kur populli nuk është i lirë të gjykojë përmes votës, s'ka debat, por ka përballje mes tij dhe pushtetit të grabitur", - tha dje Rama. Kryetari i opozitës foli për një nismë konkrete të qeverisë, e cila përmes një udhëzimi nga ana e Ministrisë së Financave ka thuajse katërfishuar tarifat për shërbimet gjyqësore, të prokurorisë, noterisë etj. "Pasi e kanë gjunjëzuar shtetin e së drejtës, ata që e qeverisin këtë vend me vendim gjykate, jo me votat e popullit, e kanë bërë refren që për çdo problem që njerëzit kanë me keqqeverisjen t'u thonë ikni në gjykatë. Kështu u thonë shqiptarëve së fundmi edhe për afrofetë e shumëfishuara edhe mbi ligjin, të dritave apo të ujit. Por, ndërkohë, tarifat e reja të miratuara së fundmi për shërbimet gjyqësore, të prokurorisë e të noterisë, sigurisht e të gjykatës, në disa raste janë 4-fishuar. Pra, depozitimi i një padie në gjykatë shkon tani 120.000 lekë. Që do të thotë për shembull, se një pensionist, i cili e ka pensionin në nivelin e taksës së padisë, duhet të rrijë një muaj pa ngrënë e pa marrë asnjë ilaç për të hapur një gjyq për një të drejtë të mohuar", - tha Rama. Duke u bazuar në frymën e Kushtetues, atë të Konventës mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut apo edhe konventave ndërkombëtare, kryetari i opozitës shtoi se tendencat në këto dokumente janë që të eliminohen barrierat financiare, që pengojnë kërkimin e të drejtës së qytetarëve në organet e drejtësisë. "Ndërsa në Shqipërinë e marrë peng nga një pushtet i grabitur, po hapen kudo hendeqe mes qytetarit dhe demokracisë, drejtësisë e mirëqenies së tij ekonomike. Tarifat e disafishuara të shërbimeve të shtetit të së drejtës, janë një arsye më shumë për të kërkuar të drejtën me protesta, duke ngritur krye përditë ndaj padrejtësive, dhe për t'u bashkuar të gjithë në Tiranë për protestën e madhe të 30 prillit, për demokraci, për drejtësi dhe për mirëqenie, për të hapur kutitë e zgjedhjeve të grabitura, e për të ndalur rrënimin ekonomik", - tha ai.