E Diel, 1 Nëntor 2026

Dixhitalizimi i dokumenteve parlamentare 1920-1944

Projekti po mbështetet nga OSBE-ja, teksa sot u zhvillua ceremonia e inaugurimit të dy sallave, asaj të komisionit parlamentar të Ligjeve dhe të medias.

 "Ne po mbyllim skanimin dhe dixhitalizimin e të gjitha dokumenteve parlamentare që nga viti 1920 e deri në fund të Luftës Dytë Botërore dhe më pas do të merremi me botimin e tyre. Besoj se është detyrë e Kuvendit që në 100-vjetorin e Pavarësisë të flasim për parlamentarizmin dhe historikun e tij dhe kjo në sajë të projektit mbështetës të OSBE-së", theksoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin me OSBE-në, si afatgjatë dhe të suksesshëm. "Me Prezencën kemi  bashkëpunuar në ndërtimin e autostradës elektronike të Kuvendit të Shqipërisë, duke bërë të mundur që të jepen menjëherë në video të gjitha seancat plenare; kemi realizuar  manualin e deputetëve, etj; duke kontribuar në rritjen e dimensionit të parlamentarizmit. Parlamenti është arena kryesore e debateve dhe refomave që kanë transformuar vendin", tha ajo.

Nga ana e tij, ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth, theksoi se vitet e fundit, Kuvendi ka bërë progres në forcimin e kapaciteteve.   "Gjatë 10 viteve të fundit është bërë një progres madhor në forcimin e kapaciteteve të  Kuvendit, ndërsa nga viti 2011 mbështetja e OSBE-së u fokusua në rritjen e mundësive të  publikut për t'u informuar, në dixhitalizimin e dosjeve të arkivës së parlamentit etj", tha kreu i OSBE-së. /Start/

                                                                                             2012-05-23 13:06
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›