Dixhitalizohet folklori i diktaturës
Një pasuri zanore rreth 50-vjeçare mund të quhet e shpëtuar. Projekti i dixhitalizimit të arkivit zanor të Institutit të Antropologjisë Kulturore ka përfunduar. Rreth 3000 mijë orë regjistrime (përfshi këtu edhe gjuhësore), që deri tani ruheshin në shirita, të ekspozuar edhe ndaj dëmtimeve, do të vihen në shërbim të studiuesve. Këto incizime përfshijnë kërkimet në terren nga vitet 1955 deri në vitet në vazhdim. Në mënyrë sistematike janë ato që i përkasin harkut kohor 1960-1990, e pas këtij viti pati më pak mbështetje, për shkak të rënies së sistemit. Janë të dokumentuara festivalet, qofshin këta kombëtarë, apo lokalë, prozat e treguara nga banorë në të gjithë Shqipërinë. Dietrich Schuller, drejtues i këtij projekti të nisur prej vitit 2005, edhe pse pranon se arkivi në shirita ishte i rrezikuar nga përbërësit kimikë të tyre, thekson se kjo pasuri ishte më e mirëmbajtura krahasuar me të gjitha arkivat e Europës Juglindore. Bledar Kondi, koordinator i projektit, shprehet se në arkivin zanor ruhen regjistrimet e para të institucionalizuara me krijimin e shtetit shqiptar. Është një punë që specialistët e kanë kryer kryesisht gjatë regjimit komunist. Pas vitit ‘90, fondet për ekspedita kanë qenë të pakta ose thuajse nuk kanë ekzistuar. Kjo ka çuar që pasurimi i këtij arkivi gjatë 20 viteve të fundit është thuajse i pandjeshëm. Ndonëse specialistët shumë herë e kanë vënë theksin te rëndësia jo vetëm dokumentuese, por edhe studimore e tyre në një rrafsh krahasues me materialet e mëparshme. "Janë regjistrime zanore e pamore, nga të cilat janë dixhitalizuar vetëm ato zanore që përfshijnë muzikën popullore, atë instrumentale, si dhe prozën e rrëfyer nga njerëz të thjeshtë. Këto regjistrime u përkasin zonave të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, të realizuara në ekspedita të shumta. Nga vitet 1960 deri më 1989-n, ka pasur çdo vit 10 muaj ekspedita në rrethe. Këtij arkivi i është shtuar edhe pjesa e Institutit të Gjuhësisë, që përfshin mbi 1200 orë regjistrime. Janë variante dialektore të gjuhës shqipe në të gjithë vendin", thekson Kondi. Për të, regjistrimet e kryera në ambientin natyral, aty ku këto këngë apo rrëfime gojore "jetojnë", nuk mund të krahasohen me ato të realizuara në studio. Një këngë në sfond, nxjerrë nga disku i parë i dixhitalizuar, ishte pjesë e demonstrimit të rezultatit të projektit. Arkivi zanor i Institutit të Antropologjisë Kulturore është i vetmi i dixhitalizuar, ndërkohë që 5 arkiva të tjerë mbeten për t‘u përfshirë në projektet e ardhshme. Ardian Marashi, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, ku është përfshirë Instituti i Antropologjisë Kulturore pas reformimit shkencor, u shpreh se do të bëhet ç‘është e mundur që arkivat e trashëgimisë kulturore shqiptare t‘i nënshtrohen të gjithë procesit të dixhitalizimit. Ndërsa e vuri theksin veçanërisht tek arkeologjia, objekte që më vonë do t‘i nënshtrohen edhe konservimit. Prej vitesh, fondet e Institutit të Antropologjisë (ish-Instituti i Kulturës Popullore) vazhdojnë të ruhen në një godinë thuajse të rrënuar, aty ku ka qenë godina e vjetër e Radio Tiranës në Rrugën e Kavajës. Shumë herë specialistët kanë kërkuar që instituti të zhvendoset prej godinës ku paguajnë qira, për t‘u vendosur në një ambient më të përshtatshëm. Këtë diskutim nuk e ka shmangur as Marashi në konferencën e djeshme, i cili ka theksuar se arkivat dhe baza materiale e vënë në dispozicion nga ky projekt do të zhvendosen në ambientet e reja pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, me shumë mundësi nga vjeshta e vitit 2010. I pranishëm në konferencë, drejtuesi i projektit, dr.
Dietrich Schuller, i cili gjatë këtyre viteve ka qenë vazhdimisht i pranishëm në Shqipëri, theksoi se baza materiale e blerë si pjesë e investimit prej 180 mijë eurosh që Fonogramarkivi i Vjenës dhe Fondi Austriak për Zhvillim vunë në dispozicion, do të shërbejë si një studio mjaft e mirë për dixhitalizimin, në mënyrë që stafi shqiptar të vazhdojë punën regjistruese të 4-5 viteve të ardhshme. Schuller, i cili ishte drejtor i Fonogramarkivës së Vjenës, në nisje të projektit u shpreh se e ka njohur këtë pasuri që në vitet ‘70, kur ai ka qenë i pranishëm në Shqipëri në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. "Marrëdhëniet mes institucioneve tona kanë qenë shumë më të hershme se ky bashkëpunim. Unë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1973 e ‘78 dhe që atëherë isha i bindur se duhej të bëhej diçka për ruajtjen e arkivit zanor të Institutit të Kulturës Popullore. Në vitin 1995 u shtrua çështja e dixhitalizimit, por na u deshën edhe shumë vite të tjera për gjetjen e financimeve të nevojshme", u shpreh Shuller, i cili më parë kishte theksuar se këto regjistrime unike nuk rrezikoheshin vetëm nga dëmtimet e shiritave manjetikë, por edhe nga mungesa në të ardhmen e makinerive që do të lexonin këta shirita. Ndërkohë që prof. Rudolf M. Brandl, drejtor aktual i Fonogramarkivit dorëzoi një disk me regjistrime që ai vetë kishte realizuar në zonën e Korçës, gjatë vizitës në Shqipërinë e vitit 1972. Të mbledhur për të festuar mbarimin e këtij projekti të parë, të pranishmit mbetën të hapur për bashkëpunime të mëtejshme.