Filmi shqiptar, një aventurë profesionale
Aktorja italiane Veronica Gentili, protagoniste në filmin "Vallja e flamujve" i regjisorit Edmond Budina, vjen në një rrëfim për eksperiencën kinematografike në Shqipëri. Ajo tregon përshtypjet e para, ndjesitë mbi temën që filmi trajton dhe pjesëmarrjen në edicionin e 65 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia dhe gjendjen e artistëve të rinj në Itali, vend që, sipas saj, nuk ka nevojë për komente... Figura e Kryeministrit Silvio Berluskoni flet për të.
Veronica Gentili është Ursola, një prej protagonisteve në filmin "Vallja e flamujve" të regjisorit Edmond Budina. Ka ardhur në Shqipëri pas një eksperience mbresëlënëse në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia me filmin "Le ombre rosse" të regjisorit Francesco Maselli. Thotë se tashmë gjendet në një fazë eksperimentale të karrierës së saj dhe e shtyrë nga kureshtja pranoi të vinte në Shqipëri. I ka pëlqyer madje. Jo më kot thotë se Shqipëria do të ketë një vend të veçantë në jetën e saj. Profesionin e aktores e ka parë më shumë si një sfidë me veten. Të jesh aktore, sipas saj, nuk është vetëm bota e bukur me shumë drita e me tapet të kuq... është të tregosh botën në mënyrën se si e sheh atë, një profesion njerëzor për të cilin duhet të japësh shpirtin, një lloj udhëtimi deri në fund të tij. Te "Vallja e flamujve", Veronica interpreton rolin e një vajze italiane, nëna e së cilës është franceze. Ato nisen së bashku në Shqipëri për të marrë eshtrat e gjyshit të saj, (një veteran francez i varrosur në Itali), të cilat gabimisht vijnë në Shqipëri. Pikërisht këtu fillon e gjithë ngjarja që lidhet me skandalin e njohur të Kosinës, edhe pse filmi nuk ka të bëjë me të, por është ideja ajo që bën lidhjet...
Si e pritët ftesën për të marrë pjesë në një film, prodhim shqiptar?
Para se të nisesha ndihesha mjaft e frikësuar. E pranova këtë rol, sepse isha shumë kureshtare dhe gjendesha në një moment të jetës sime ku kisha dëshirë për të eksperimentuar, për të eksploruar vende dhe kultura më pak të njohura. Kur më folën për një film shqiptar që do të xhirohej i gjithi në Shqipëri, ku vetëm pjesa e parë e tij do të xhirohej në Tiranë dhe të tjerat në një fshat të largët në mes të maleve, thashë me vete: Zot, ku po shkon? Por vendosa të nisesha. Pastaj kjo nisje ishte e fortë, sepse unë sapo vija nga një festival ndërkombëtar filmi, siç është ai i Venecias me një film që titullohej "Le ombre rosse", pra vija nga një situatë që ishte absolutisht shumë më mondane dhe ndaj isha e frikësuar për këtë ardhje në Shqipëri. Por më tërhoqi skenari. M‘u duk shumë i pazakontë, sepse për mua janë skenarë mjaft të largët nga ata që jam mësuar të lexoj në Itali. Janë tematika që na përkasin më pak. Problemet që trajton filmi, aspekti i identitetit kombëtar i konceptit të kufijve, janë situata e ngjarje që për gjeneratën time në Itali nuk njihen. Bëhet fjalë për një temë të pazakontë për t‘u trajtuar për një film. Për këtë arsye unë u bëra kureshtare dhe më tërhoqi ideja e të marrit pjesë në këtë film.
Dhe si u ndjetë?
Më tërhoqi shumë edhe nga këndvështrimi personal udhëtimi i këtyre dy europianeve, një mama franceze dhe e bija italo-franceze që gjenden të katapultuara në Ballkan në këtë lloj labirinti. Ato janë pak a shumë për spektatorin perëndimor edhe në rolin e një lloj guide në këtë udhëtim. Kështu që unë gjeta një lloj afrimiteti, një lloj ngjashmërie me personazhin e Ursolës që interpretoj. Edhe ajo njësoj si unë është paksa e humbur, e tërhequr dhe e frikësuar nga Shqipëria. Për mua ishte e njëjta gjë. E pranova këtë sfidë paksa e frikësuar. Pastaj erdha në mes të këtij grupi dhe më duhet të them se është një nga eksperiencat më interesante, më aventurore, më të pasura nga këndvështrimi profesional që kam bërë ndonjëherë në jetë.
Verën që kaloi, kohë kur edhe nisën xhirimet e filmit "Vallja e flamujve", ju vinit për herë të parë në Shqipëri. Çfarë ju bëri përshtypje?
Ishte shumë bukur, sepse zbulova një realitet që nuk e njihja. Pashë një popull shumë të tensionuar, me një temperament mjaft të fortë e të zjarrtë, nga ana tjetër një popull shumë mikpritës dhe kureshtar. Në Shqipëri pashë një realitet të pasur me tradita, me histori, me repertor që për mua ishte ekstremisht i panjohur. Bota ballkanike ishte tepër e largët. Udhëtimi në Labovë, Gjirokastër ishte si të shihje një kulturë tjetër që nuk e kisha parë e njohur. Ishte si të bëja një udhëtim 100 vite më pas. Si një kalim në kohë. Por më pas, kur nis të njohësh vendin ku ndodhesh, fillon e të pëlqen. Për mua Ballkani është si të jetosh në një përrallë, magjepsesh, të duket sikur të kanë rrëmbyer...
"Vallja e flamujve", film i Edmond Budinës, niset prej një ngjarjeje të vërtetë që ka të bëjë me skandalin e zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit. Çfarë mendon një e huaj që dëgjon mbi këto problematika, të cilat ende vazhdojnë në Ballkan? Si e përjetoni ju këtë realitet?
Për ne janë me të vërtetë tematika të panjohura. Gjetëm veten duke xhiruar nëpër varre, duke përjetuar zhvarrosjen e kockave që për ne janë absurde, gjëra që i kuptojmë me vështirësi. Por mendoj se ndërgjegjësimi i të huajve mbi atë që po ndodh vjen nëpërmjet figurave të tjera. Sipas meje, qasja në kulturën e dikujt tjetër varet shumë edhe prej atij që të tregon për të. Në rastin tim, figura e Edmondit dhe e vëllait të tij, Robert, ka ndikuar shumë. Ata më kanë shpjeguar optikën e shqiptarëve dhe mënyrën se si e përjetojnë çështjen e identitetit kombëtar. Për mua, zhvarrosja e kockave më ngjan si me një film fantazi. Duke folur në Itali për këtë film, unë e kam përcaktuar gjithmonë si një komedi të zezë. Edmondi e shikon këtë histori me pak ironi e sarkazëm, duke u tallur si me grekët ashtu edhe me shqiptarët vetë.
Parë nga këndvështrimi juaj, çfarë e bën të pëlqyeshëm filmin e Budinës?
Ky film prek shumë edhe diskutimin midis popujve ballkanikë, mënyra se si sillen me njëri-tjetrin, se si edhe pak metra tokë mund të bëhen thelbësorë për ta, duke pasur parasysh këndvështrimin e identitetit dhe atë që përfaqëson. Duke hequr petkun prej italianeje dhe duke u munduar të kuptoj atë që për ne, brezin tim të paktën, është e pakuptueshme, atëherë arrij të kuptoj se "beteja" për ato pak metra tokë në të vërtetë është shumë më e thellë se kaq. E kam parë te shumë shqiptarë këtë dëshirë të madhe për të afirmuar identitetin e tyre në një mënyrë shumë të fortë. Sapo ndihen në një farë mënyre të sigurt, duke e stabilizuar pozicionin e tyre, janë të gatshëm të të afrohen dhe të të përqafojnë. Një i huaj këtë e kupton shumë gradualisht.
Duke qenë se vini nga një botë tjetër kinematografike, nga një eksperiencë perëndimore, si ju duket kjo eksperiencë kinematografike shqiptare?
Unë mendoj se nga këndvështrimi i punës në shesh-xhirim ka shumë të përbashkëta, ashtu sikundër edhe nga këndvështrimi profesional dhe i rrugës së bërë për të mbërritur deri aty. Nga këndvështrimi i të bërit kinematografi, mua më duket se kam gjetur në Shqipëri një përgjegjshmëri shumë të lartë. Ajo që mua më duket e ndryshme ka më shumë të bëjë me figurën e Edmondit. Kam gjetur tek ai disa karakteristika që më shumë kanë të bëjnë me aspektin njerëzor se sa profesional. E vlerësoj sepse është një njeri shumë punëtor, i përgatitur dhe i përgjegjshëm, i gatshëm për dialog e diskutim dhe një nga arsyet që unë u lidha shumë pas këtij filmi. Në shesh-xhirim u formua një grup harmonik, por kjo falë figurës së regjisorit, i cili na kryesonte. Ai gjeti një mënyrë të veçantë të të ndërvepruarit mes nesh. Lindi një marrëdhënie shkëmbimi shumë e thellë. Më kujtohet që në një moment, kryeoperatori në film, që ishte një italian, një nga ata italianët e mbushur me histori të kinematografisë, nga ata që kishte punuar me regjisorët e mëdhenj si Fellini, një herë i tha Edmondit: Ti më pëlqen, sepse je një regjisor i vërtetë. Ashtu siç edhe thuhet gjithnjë në Itali, siç e thoshte ngaherë edhe Fellini: regjisorët janë ata që duhet t‘i bëjnë gjërat të parët. Janë ata që duhet të bëjnë duart pis fillimisht, sepse në këtë mënyrë e gjithë trupa i shkon pas. Ne të gjithë e realizuam këtë projekt, sepse besuam tek ai, sepse Edmondi arriti të na pasionojë të gjithëve. E tani, pas realizimit të këtij filmi ndodhi ajo që edhe unë vetë nuk mendoja se do të ndodhte. Jam kthyer në Tiranë dhe mora pjesë në Tirana Film Festival. Ky film ishte një eksperiencë që shënjoi rrugëtimin tim si aktore dhe më dha një dëshirë të madhe për të zbuluar botën, që më bëri të kujtoj edhe një herë arsyen se përse zgjodha të bëhesha aktore, sepse kjo është mënyra ime për të zbuluar dhe treguar botën, jo për t‘u gangrenizuar në realitetin në botën time dhe të qëndroj aty gjithmonë. Më dha një frymëmarrje më ndërkombëtare, multikulturore dhe ndaj mendoj se Shqipëria do të mbetet në jetën time.
Tani që keni nisur një karrierë premtuese, si ndihesh?
Rrëmujë. Në këtë profesion duhet të kesh shpirtin në dispozicion. Unë po mundohem të bëj këtë lloj rrugëtimi. Kam mbaruar Akademinë e Artit dramatik prej katër vitesh dhe tani jam në fazën e eksperimentimit. Vij nga një eksperiencë kinematografike interesante e tani m‘u ofrua kjo eksperiencë ndryshe. Kur nis e prek nga afër veten, atëherë të lind dëshira të bësh shumë gjëra, që më parë nuk do t‘i kishe bërë.
Nga pozicioni i një artisteje të re në moshë dhe në eksperiencë, si e vlerësoni situatën e artistëve të rinj në Itali?
Do të thosha se është shumë e keqe. Është një moment që ofron shumë pak nga këndvështrimi artistik, por edhe në përgjithësi. Mendoj se është një moment tepër i vështirë për një të ri që vërtet dëshiron të afirmohet si aktor përtej mënyrave më të thjeshta të të shfaqurit në televizion. Por mendoj se është një moment i vështirë edhe nga këndvështrimi historik e kjo ndodh jo vetëm në Itali, por në të gjitha vendet. Është një epokë historike shumë e vështirë, ku tendenca e të mos bërit asgjë, ku është thënë gjithçka dhe ku gjithçka përcjell mërzi, ku njerëzit i kanë thënë thuajse të gjitha e tashmë nuk u ka mbetur asgjë. Është një epokë ku nuk kanë mbetur më vlera për t‘u zbuluar, ato janë zbuluar e jetuar shumë kohë para se të lindnim ne. Të gjesh një identitet artistik në kuptimin komunikativ të termit, të gjesh çfarë të thuash e si ta thuash është shumë e vështirë. Kjo është e vështirë edhe në Itali, madje mbi të gjitha në Itali që po përjeton një moment historik, ku figura e Kryeministrit tonë tregon gjithçka. Ai flet më shumë nga sa mund të them unë...
Si e keni përjetuar pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ku keni marrë pjesë me filmin "Le ombre rosse" të regjisorit Francesco Maselli?
Ishte shumë bukur, në Festivalin e Venecias unë shkela për herë të parë mbi një tapet të kuq. Ishte një moment shumë emocionues i karrierës sime. Kur hymë në sallë për premierën e filmit përjetova një moment shumë të bukur.
Do të ktheheshit në Shqipëri për një film tjetër?
Absolutisht po.