E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vallja e flamujve" i kushtohet identitetit ballkanas

Për regjisorin Edmond Budina ideja për realizimin e filmit "Vallja e flamujve", për të cilin ka shkruar edhe skenarin, lindi prej një bisede të rastësishme. Një vajzë e re i pat treguar për nënën e saj që kishte zhvarrosur të atin nga Italia në Paris dhe që gabimisht arkivoli me të vdekurin u dërgua në Moskë. "Aty më lindi imazhi i parë i një arkivoli që fluturon. Rreth gjashtë muaj pas këtij episodi dëgjova për skandalin e Kosinës dhe kjo ishte si një shkëndijë elektrike, u gjend një kyç për të lidhur imazhin e atij arkivoli që kisha unë në kokë duke udhëtuar nëpër natë. Skenarin e kam shkruar për një muaj. Ishte si një lum i mbushur me ujë që vetëm donte të shkarkohej", tregon Edmondi i cili ka marrë shkas prej asaj ngjarjeje për të ndërtuar në mënyrë komike e me sarkazëm historinë e tij. "Ngjarja që unë trajtoj ka të bëjë me një arkivol që fluturon dhe vjen nga Italia për të shkuar në Francë dhe gabimisht kthehet në Shqipëri. Kam zgjedhur ta ndërkombëtarizoj paksa ngjarjen, në mënyrë që të mos mbetet vetëm brenda kufirit të Shqipërisë ose në konfliktin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk më intereson fare konflikti midis njërit ose tjetrit. Mua më intereson ideja. Flamuri që secili prej nesh mban në dorë, për një ide, për një ideologji, për nacionalizëm, për një inat qoftë edhe personal nuk funksion", vazhdon më tej ai. "Vallja e flamujve" ka përfunduar xhirimet dhe regjisori tregon se gjenden në fazën e montazhit. Ai shpreson që të jetë gati në fund të muajit janar dhe që ta shfaqi premierë absolute Labovë të Kryqit, atje ku janë kryer pjesa më e madhe e xhirimeve. "Për mua do të ishte një nder ta shfaqja filmin në atë fshat ku na pritën me kaq shumë dashuri dhe përzemërsi, ku na ndihmuan kaq shumë dhe ku na dhanë mundësinë që të shpreheshim", komenton ai. "Vallja e flamujve" u realizua me ndihmesën e Qendrës Kombëtare Kinematografike. Ajo vjen si produksion i shtëpisë filmike "Era Film". Filmi nuk mban qëndrim. Ai tallet me mënyrën se si tirren historitë dhe në qendër janë dy personazhe të huaj. Aktorët e filmit vijnë nga vende të ndryshme. Kështu, pjesë e tij janë Veronica Gentili nga Italia, Catherine Wilkening nga Franca, Visar Vishka nga Maqedonia, nga Greqia kanë ardhur Laert Vasili, Nikolla Llambri, Karafil Shena, nga Shqipëria Erand Sojli, Valentina Xhezo, Marko Bitrarku etj. Filmi i zhanrit komedi, një bashkëproduksion italo-shqiptar, ka përfunduar pak kohë më parë xhirimet dhe është në fazën e postproduksionit në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›