“Djajtë e kuq”, misioni i vështirë kundër romanëve

ASA (Albania Sport Agency) - Mancester Junaitid synon të përmbysë deficitin e ndeshjes së parë në Ligën e Kampioneve, kur kundërshtarja e tij cerekfinaliste, Roma, do të vijë në "Old Traford" për të mbrojtur rezultatin 2-1 të arritur gjatë javës së kaluar në Itali. Roma fitoi në Itali falë golave të shënuar nga Tadei (44') dhe zëvendësuesi Mirko Vucinic (66'), duke bërë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të arritur nga Runi. Goli i parë i Tadeit erdhi dhjetë minuta pasi vizitorët ishin reduktuar në dhjetë veta, pas largimit me karton të Pol Skols. Historia e viteve të fundit nuk është aspak e këndshme për Junaitid, të cilët i kanë humbur të pesta rastet e mëparshme për të rikuperuar kualifikimin në ndeshjen e dytë të Ligës së Kampioneve, si me Borusia Dortmund (1996-1997), Bajern Munih (2000-2001), Realin e Madridit (2002-2003), Porton (2003-2004) dhe Milanin (2004-2005). Suksesi i fundit që vjen nga një përmbysje e rezultatit të takimit të parë, daton në sezonin 1983-1984 në Kupën e Fituesve të Kupës kundër Barcelonës së Diego Maradonës. Golat e Brajan Robson (2) dhe Frank Stapletoni siguruan një fitore 3-0 Mancesterit dhe një rezultat të përgjithshëm 3-2. Mancester Junaitid ka humbur vetëm një herë në 28 ndeshje të Ligës së Kampioneve të zhvilluara në shtëpi dhe kjo mund të shërbejë si një burim frymëzimi për të vazhduar rekordin e jashtëzakonshëm në "Old Traford". Në fazën e grupeve, Mancesteri i fitoi të tri takimet duke mundur Sëlltikun (3-2), Kopenhagen (3-0) dhe Benfikën (3-1), për të vazhduar më pas në raundin e parë më nokaut kundër Lilë 91-0). Një përsëritje e suksesit kundër Romës do t'i lejonte sër Aleks Fergusonit që edhe me një rezultat minimal 1-0 të arrinte në gjysmëfinale. Mancster Junaitid ka një rekord të bukur kundër ekipeve italiane, me shtatë fitore dhe vetëm dy humbje në 11 ndeshje. Megjithatë, shtatë takimet e tyre të fundit në ndeshjet e dyfishta prodhuan pesë humbje. Suksesi i vetëm i dyfishtë me ekipet italiane daton më vitin 1999 kur Junaitid skualifikoi Interin në cerekfinale dhe Juventusin në gjysmëfinale.
ROMA
Roma ka ndjekur një rrugë më të komplikuar për të arritur deri në fazën cerekfinale. Në fazën e grupeve ajo humbi në Valencia (1-2) dhe me Shakhtar Dontesk (0-1), por fitoi në transfertë me Olimpiakos (1-0). Në raundin e parë me nokaut, Roma arriti një fitore të jashtëzakonshme me Olimpikun e Lionit. Francesko Toti dhe Mancini shënuan dy golat që sollën dhe fitoren e parë të një ekipi kundër kampioneve të Francës qysh nga viti 2002.
Kjo është vizita e parë e Romës në "Old Traford", ndërkohë që tetë vizitat e mëparshme të saj në Angli prodhuan vetëm një fitore, tre barazime dhe katër humbje. Sezonin e kaluar Roma u mund 1-0 nga Midëllsbroi në Kupën UEFA, por u skualifikua për më tej në 16-she, falë fitores së ekipit anglez në Romë, me rezultatin 2-1. Kjo ishte humbja e tretë rresht e Romës me ekipet angleze. Takimi më i famshëm i Romës me kundërshtarët anglezë është ai finales së Kupës së Kampioneve të vitit 1984, kundër Liverpulit. Roma humbi në shtëpi 4-2 me penallti pas barazimit 1-1 në lojë. Sfida Mancester Junaitid-Roma ka dhe disa duele të vogla. Fituesi i ciftit Mancester Junaitid-Roma do të përballet me fituesin e ciftit Milan-Bajern i Munihut. Takimet gjysmëfinale do të luhen më 24/25 prill dhe 1/2 maj.
Pesë dështimet e Mancesterit
1996-1997
Me Borusia Dortmund: 0-1(J), 0-1 (B)
2000-2001
Me Bajern Munih: 0-1(B), 1-2 (J)
2002-2003
Me Realin e Madridit: 1-3(J), 4-3(B)
2003-2004
Me Porton: 1-2(J), 1-1(B)
2004-2005
Me Milanin: 0-1 (B), 0-1(J)
B= Ndeshje brenda. J= ndeshje jashtë
LIGA E KAMPIONEVE, CEREKFINALET
E martë, 10 prill, ora 20:45
Mancester Junaitid - Roma (1-2)
Valencia - Celsi (1-1)
E mërkurë, 11 prill, ora 20:45
Bajern Munih – Milan (2-2)
Liverpul – PSV (3-0)