Valencia, plan për të “vrarë” Mourinjon

ASA (Albania Sport Agency) - Celsit i duhet të fitojë takimin e kthimit me Valencian, nëse formacioni i Hoze Mourinjos dëshiron të jetë pjesë e katër ekipeve më të mira të Europës. Pas barazimit 1-1 në "Stamford Brixh", klubi spanjoll shpreson të kompletojë në shtëpi kryeveprën edhe më një rezultat të thatë 0-0, ashtu sic bënë në "Mestaja" me një tjetër gjigant të futbollit europian, Interin e Roberto Mancinit. Ishte goli spektakolar i sulmuesit David Silva, që e vendosi Valencian në avantazhin e përkohshëm kundër formacionit nga Londra perëndimore, para se Didier Drogba të nivelonte rezultatin me golin e tij të 30 sezonal në të gjitha kompeticionet. Një gol i Celsit, që i dha shpresa të mëdha formacionit të një trajneri ambicioz e egoist, si Hoze Morinjo. Valencia suksesin më të madh në kompeticionet europiane i ka ato të sezonit 1979-1980 në Kupën e Kupave dhe Superkupën një sezon më pas dhe në të dyja rastet kundërshtarët e saj kanë qenë anglezë: Arsenali, të cilin e mposhti nga gjuajtjet e penalltive dhe Notingam Forest, ndaj të cilit triumfoi me gol në fushën kundërshtare. "Unë pres një betejë ne ‘Mestaja' pasi ne kemi një dëshirë të madhe ta bluajmë Celsin", - tha mbrojtësi Miguel. Duke përfshirë të gjitha kompeticionet, Valencia është përballur 11 herë më oponentë anglezë në "Mestaja" dhe asnjëherë nuk ka humbur, përvec një barazimi 2-2 me Liverpulin. Herën e fundit që një ekip anglez ka luajtur në "Mestaja" ka humbur 2-1. Arsenali i Tieri Henri humbi në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në sezonin 2002-2003. Në pesë ndeshje e fundit, Valencia nuk ka pësuar asnjë gol në fushën e saj. Në total 11 ndeshjet në shtëpi kanë prodhuar shtatë fitore dhe katër barazime. Sulmuesi Morientes pohoi: "Celsi ka potencial të madh sulmues pasi Drogba e Shevcenko kanë aftësi të jashtëzakonshme". Dy sezone me parë, Valencia u përballë me ekipet angleze në tre raunde të njëpasnjëshëm: barazoi 0-0 me Mancester Junaitid, mundi 1-0 Arsenalin (ndeshja e dytë 1-2) dhe në gjysmëfinale barazoi 0-0 me Lids në Angli për të fituar në shtëpi 3-0. Në kompeticionin e këtij sezoni ekipi i Kike Flores dëshmoi se është i pathyeshëm në shtëpi, duke marrë maksimumin e pikëve në tri ndeshjet e fazës së grupeve, përpara se të barazonte 0-0 me Interin në raundin e parë me nokaut.
CELSI
"Ne duhet të jemi të përqendruar pasi luajmë me një nga ekipet më të mira në botë". Ky është mendim i mesfushorit të Valencias, Moreti. Celsi, i cili kërkon të jetë për herë të tretë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve në katër sezonet e fundit, ka barazuar në dy vizitat e tij të fundit në Spanjë. Të dyja ndeshjet kanë të bëjnë me duelin e anglezëve kundër Barcelonës, gjatë sezonit të kaluar në raundin me nokaut dhe gjatë këtij sezoni në fazën e grupeve. Dy barazimet ndalën serinë prej katër humbjesh në një total prej tetë ndeshjesh me ekipet spanjolle, ku Celsi regjistroi vetëm një fitore me Real Betis, në Kupën e Kupave të sezonit 1997-1998, kur formacioni anglez fitoi 2-1. Në tetë takimet kundër ekipeve spanjolle, Celsi ka arritur një fitore, dy barazime dhe pesë humbje.
Dy fitoret më sinjifikative të Celsit kundër ekipeve spanjolle kanë ndodhur në fushë neutrale. Anglezët luajtën kundër Realit të Madridit në finalen e Kupës së Kupave në sezonin 1970-1971 në Athinë, ku fituan 2-1, pas ndeshjes së parë të mbyllur në barazim 1-1. Dy ekipet u ndeshën sërish në Monako për Superkupën europiane, ku Celsi fitoi 1-0. Në ndeshjet jashtë në fazën e grupeve gjatë këtij sezoni, formacioni i Hoze Mourinjos arriti vetëm një fitore: 3-1 me Levskin e Sofjes. Celsi humbi 1-0 me Verder Bremen barazoi 2-2 në Kamp Nou dhe në raundin e parë me nokaut barazoi 1-1 ne Porton. Në gjashtë ndeshjet e fundit, Celsi ka dështuar vetëm një herë në shënimin e golave. Në total në gjashtë ndeshje formacioni anglez ka shënuar nëntë herë. Fituesi i ciftit Valencia-Ceksi do të përballet me fituesin e dyshes Liverpul-PSV Eindhoven. Takimet gjysmëfinale do të luhen më 24/25 prill dhe 1/2 maj.