E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali i Mlladic: Babai im është i pafajshëm

BEOGRAD- Djali i Ratko Mlladicit, ka deklaruar se i ati i tij nuk ka të bëjë fare me masakrën e Srebenicës në vitin 1995 ku u vranë rreth 8000 civilë boshnjakë.

Darko Mlladic, foli para gazetarëve pasi vizitoi të atin në një burg të Beogradit prej të cilit ai pritet të ekstradohet drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Djali i Mlladic tha se i ati i tij është i pafajshëm dhe se nuk ka urdhëruar ai atë që cilësohet si masakra më e madhe mbi civilët pas Luftës së Dytë Botërore.

Madje sipas tij, Ratko Mlladic ka shpëtuar shumë gra, fëmijë dhe ushtarë. Ai kishte urdhëruar evakuimin e të lënduarve, grave dhe fëmijëve dhe jo ti vriste ata dhe gjithcka ndodhi më pas, ai nuk kishte fare lidhje me ketë- deklaron Darko Mlladic.
"Deklarata e Darko Mlladic vjen një ditë para apelit që Ratko Mlladic pritet të lëshojë nesër kundër esktradimit të tij në Hagë. Nga ana tjetër, avokati i Mlladicit, e ka përshkruar gjendjen shëndetësore të klientit të tij si alarmante, ndërsa ka kërkuar një kontroll të plotë mjekësor.

Ndërkaq autoritetet e Serbisë kanë rritur nivelin e sigurisë sot, pasi qindra veta që kanë lidhje me organizatat ekstremiste, janë mbledhur në Beograd për të protestuar kundër arrestimit të Mlladicit. Aktivisti i Partisë Radikale Serbe, Slobodan Bozic deklaroi pak para nisjes së protestës se Mlladic është komandant i ushtrisë së serbisë, dhe arrestimi i tij është një turp i madh për Serbinë.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›