E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1, Fetel triumfon edhe në garën e Monakos

MONAKO- Sebastian Fetel ka fituar garën e pestë sezonale, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Monte Karlos. Në një garë të bukur dhe emocionuese, piloti gjerman i Red Bull ka marrë një sukses të vuajtur, madje i ndihmuar nga futja e makinës së sigurisë në xhirot e fundit. Ndërsa ishte duke vuajtur presionin e Fernando Alonsos dhe Xhenson Baton, që kishin goma më të freskëta, një aksident i Vitali Petrov bëri që në fushë të futej Safety Car, e cila i dha një dorë kampionit të botës në një moment të vështirë. Komisarët nxorrën flamujt e kuq pas aksidentit të Petrov, gjë që bëri që Fetel të ndërronte gomat qetësisht. Për të ishte fitorja e pestë në 6 garat e para të këtij sezoni, një tregues se do të jetë e vështirë për këdo që ta zbresë nga froni.

Ndërkohë, i dyti u rendit Fernando Alonso me Ferrarin dhe pas tij Xhenson Baton. Piloti tjetër i Red Bull, Mark Veber, zuri vendin e katërt, duke lënë pas Kobajashin me Sauber dhe Hamilton me MekLaren. Pas kësaj gare, kampionati botëror i Formula 1 udhëhiqet gjithnjë e më bindshëm nga Sebastian Fetel, me 143 pikë, i ndjekur nga Ljuis Hamilton me 85 dhe Mark Veber me 79. Xhenson Baton ndodhet në vendin e katërt me 76 pikë, ndërsa Fernando Alonso zë vetëm vendin e pestë, me 69 pikë, as gjysma e pikëve që ka Fetel. Gara e ardhshme do të jetë ajo e Kanadasë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Formula 1, Fetel triumfon edhe në garën e Monakos

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›