E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë e “çmendur” në Barcelonë, mbi 90 vetë të plagosur

BARCELONE- Fishkëllima finale e gjyqtarit hungarez Viktor Kasai i ka dhënë startin një feste madhështore në Barcelonë, aty ku mijëra njerëz ishin mbledhur në Harkun e Triumfit në qendër të qytetit për të parë finalen. Barcelona mundi 3-1 Mançester Junajtid në finalen e zhvilluar në “Uembli”, duke treguar se mbetet skuadra më e mirë në botë. Një triumf, që ka çuar në ekstazë mijëra e miliona tifozë të kësaj skuadre spektakolare.

Por, festa e katalanasve ka zgjatur gjithë natën dhe në të nuk kanë munguar problemet. Mbi 90 persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve shumë rëndë, gjatë festimeve që shoqëruan fitimin e Ligës së Katërt të Kampioneve në Barcelonë. Sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit janë mbushur me njerëz që valëvisnin flamujt me ngjyrën blaugrana, duke bërë që i gjithë qyteti të harrojë të paktën për një ditë punët dhe problemet. “Rroftë Barcelona”, ulërisnin njerëzit përpara televizioneve nga e gjithë bota.

Festë ndërkohë ka patur edhe në Londër, aty ku tifozët e Barçës dhe të Mançesterit u janë drejtuar pabeve menjëherë pas përfundimit të takimit. Në fund, festa ka qenë te radhët e katalanasve, ndërsa te fansat e Mançester Junajtid mund të dalloje qetësisht zhgënjimin.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›