Djali i Papandreut, i papunë!

Ka kryer studimet për sociologji, marrëdhënie ndërkombëtare, madje edhe ato pasuniversitare, por është ende i papunë dhe si i tillë, njëri nga mijëra protestuesit grekë, që dalin në shesh e kërkojnë një të ardhme më të mirë.
Bëhet fjalë për të birin e kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, i cili mban emrin e të gjyshit, Andrea Papandreu. Andrea është fëmijë nga martesa e parë
e kryeministrit grek me ish-bashkëshorten e tij me origjinë qipriote, Eva Zisimidu.
Gazeta “To Vima” shkruan se 29 vjeçari, me gjithë diplomat që ka, është i papunë dhe shpeshherë madje merr pjesë edhe në protestat e “qytetarëve të indinjuar”.
Nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen të angazhohet edhe ai në politikë, megjithëse shprehet se nuk dëshiron të ketë një rol institucional dhe të ngatërrojë mendimet e tij me institucionet.
Për pozicionin e të atit në këtë situatë, djali mendon se ai po bën më të mirën e mundur. “Nuk e shikoni? Tim ati iu zbardhën flokët brenda tre muajve”, thotë Andrea.