Ku do të çojë rikthimi i Putinit?
Me njoftimin e së shtunës se do të kandidojë për president në zgjedhjet e marsit 2012, Vladimir Putin duket të jetë në rrugën e duhur për t’u bërë sundimtari më i gjatë në Rusi, që nga koha e Josef Stalinit.
Po qe se shërben të dyja mandatet gjashtëvjeçare, ai do të mbetej në pushtet deri në vitin 2024, më shumë se dy dekada që nga koha kur ka hyrë në Kremlin, për të pasuar dorëheqjen e papritur të ish-presidentit Boris Jelzin, në prag të Vitit të Ri, 1999.
Kjo është më e gjatë se periudha 18-vjeçare e sundimit të liderit sovjetik, Leonid Brezhnjev, i cili ka shërbyer nga viti 1964 deri në vdekje, përkatësisht deri më 1982, kohë kjo që ishte bërë sinonim i stagnimit ekonomik dhe politik.
Politikanët opozitarë dhe analistët thonë se kthimi i Putinit në presidencë mund të çojë në korrupsion dhe shkatërrim socio-ekonomik.
“Për fat të keq, asgjë nuk do të ndryshojë në vendin tonë. Qytetarët duhet të vendosin nëse janë të gatshëm të tolerojnë atë që do të ndodhë në Rusi për të paktën 12 vjetët e ardhshëm. Nuk do të ketë asnjë modernizim. Do të ketë thellim të tendencës drejt stagnimit, çfarë do të çonte në krizë në të ardhmen e afërt”, thotë lideri i partisë opozitare “Yabloko”, Sergei Mitrokhin.