Pakistani nuk do të sulmojë grupin Haqqani
Ushtria e Pakistanit nuk do të ndërmerr aksion kundër grupit militant Haqqani, i cili akuzohet nga Washingtoni për sulmin kundër ambasadës amerikane në Kabul, përkundër trysnisë së shtuar të SHBA-së për ta bërë këtë, ka njoftuar një gazetë pakistaneze.
Shefi i ushtrisë së Pakistanit, gjenerali Ashfaq Kayani, ka zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm me komandantët e tij kryesor, për të diskutuar situatën e sigurisë, ka njoftuar ushtria, pas një jave të tendosjeve me SHBA-në.
SHBA-ja ka akuzuar agjencinë e spiunazhit të ushtrisë pakistaneze për bashkëpunim dhe mbështetje të grupit Haqqani, një nga nxitësit kryesor të dhunës në lindje të Afganistanit.
Javën e kaluar, një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane theksoi se rrjeti Haqqani është armë në duart e agjencisë pakistaneze të inteligjencës, ISI dhe akuzoi Pakistanit se ka mbështetur sulmin kundër misionit amerikan në Kabul, të ndërmarrë më 13 shtator.
Komandantët pakistanezë u pajtuan që t’i rezistojnë kërkesës amerikane për ndërmarrjen e një ofensive në Vaziristanin Verior, ku SHBA-ja beson se është e vendosur qendra e grupit Haqqani, ka njoftuar gazeta Express Tribune.