E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Të hjekim dorë nga çdo ndryshk zemre

Anton Harapi

Sod në këtë krizë të tmerrshme besimtarëvet të të tre elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë të hjekim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi-shoqit e të vëllaznohemi në njatë Zot qi besojmë e në njatë Shqipni qi e duem me gjithë zemër. E po e patën detyrë besimtarët nji herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohet dora-doras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’i a shpëtue shqiptarit besimin në nji Zot, shpresën në nji Shqipni. A sod a kurr të mobilizohemi për fe e atdhe! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia qi po na zhduket ndër duer. Bashkimi i tri klereve në ketë drejtim e veprim, asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sod as Xhamija pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena as tjetra pa Shqipni. Të ngrehemi në kambë. Për nji Zot të vërtetë e për nji Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!

Korrik 1944

Dukë e kenë

Due të shoh ma kjartë, “Mehr Licht” kshtu thote Goethe, si të dote me kerkue dishka në msheftsin e jetës, e kshtu edhe që do shqyptari qi e merr çashtjen e Shqypnis pernjimend, do të thojë kundrejt atij nderlikim mendimesh e pikpamjesh qi kemi në boten tonë ideale.

Matemi, epemi e duem: e kaluemja nuk na mjafton, e tashmja nuk na pelqen, e ardhmja na shfaqet në mejgullinë! Duem, e dume njimend, por ene nuk e shohim të kjartë ata shka duem. Ku e ban nana at djalë shqyptari, i cilli me kjartsin e kristalit e me sigurin e Arkimedit të dajë ata shka ban e shka nuk e ban per ne, ta ngulë me vend e mirë boshtin e jetës shqyptar! Hominem quaero!

Jemi sternipat e asaj plakë, e cilla, si u dogj kungujsh, i fryni kosit. Shkeptik shqyptari? Sigurisht jo per natyrë, por lodhë prej vuetjesh, don ta veje njeherë kamen dyst, e prej se nuk din shka qet e nesermja, nuk sheh ku ta ngulë. Në lamen ideale mandej, sa shkon tue marrë haptë lamshi i jetës me perparim e kulturë, aq nderlikueshem vjen e tëhollohet nder fije të para, në vemen e ides themelore.

Formula e zakonshme me te cillen sod shfaqet ideologjija shqyptare asht kjo: Shqyptari tash e mrapa do të besojë vetem në fuqin e vet ideale e në komb!

Qellimi per t’a çue në vend asht: ndertimi i Shqypnis së lirë e ideale, qi per qyshk të domosdoshem ka fjalen e ditës: religio delenda- vizë çë do besimit.

Kjo ideologji, xanë me gjithnduer tharmi, mru me gjithfarë duersh e pjekë me turli qellimesh, jo vetem e mson të dam besimin prej atmje, dieje e gjytetnimi, por edhe në kundershtim flagrant me kto ideale…

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›