Djali i Remzi Hoxhës: Japim shpërblim për eshtrat e babait
Shtyhet seanca
Avokatët kërkojnë më shumë kohë për konkluzionet përfundimtare

Ardian Hoxha djali i Remzi Hoxha – Unë e kam miratimin nga familja që po të na i gjejnë eshtrat edhe ua falim gjakun, në të kundërt na mbetet që neve ta zbatojmë ligjin vetë, ndaj të gjithëve këtyre që kanë të përfshirë, nga Sali Berisha
Duam të dimë vetëm ku gjenden eshtrat e babait tim dhe ofrojmë një shpërblim për këdo që na tregon se ku gjenden eshtrat e tij, duke ruajtur anonimatin. Kështu është shprehur dje djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, sapo ka përfunduar seanca gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila ka qenë e shkurtër, pasi togat e zeza e kanë shtyrë për një datë tjetër. Mësohet se shkaku i shtyrjes së seancës gjyqësore ka ardhur pas kërkesës së palës mbrojtëse, e cila pretendon se i duhet ende kohë për të dhënë konkluzionet e saj përfundimtare rreth çështjes. Ndërkaq, djali i biznesmenit të zhdukur, Adrian Hoxha, ka kërkuar kthimin e eshtrave të babait të tij. Ai ka deklaruar përpara kamerave së është i gatshëm që ta mbyllë këtë çështje dhe të ofrojë shpërblim nëse dikush i tregon për vendndodhjen e eshtrave të Remzi Hoxhës. Pas daljes nga seanca gjyqësore, i biri i të zhdukurit është shprehur mjaft i zemëruar me drejtësinë shqiptare, duke thënë se ajo nuk po funksionin ashtu siç duhet. Ndërkaq, Prokuroria e Krimeve të Rënda, me përfaqësuesen Elisabeta Imeraj, një seancë më parë ka kërkuar pushimin e çështjes për të pandehurit Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini, të cilët kohë më parë kanë qenë punonjës të SHIK-ut. Ata u akuzuan fillimisht se kanë qenë autorët e torturës dhe zhdukjes së biznesmenit, së bashku me Ilir Kumbaron, edhe ky ish-punonjësi i SHIK-ut. Vendimi për pushimin e çështjes së dy personave të lartpërmendur, nga prokuroria është bërë sepse ndaj tyre, nuk është arritur që të gjendet asnjë provë bindëse për akuzat e ngritura vite më parë. Ndërkaq, Imeraj kërkoi shpalljen fajtor me 13 vjet burg për ish-punonjësin e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Ilir Kumbaro, që aktualisht është në kërkim dhe që prej vitit 2011 i është arratisur drejtësisë britanike. S. M.
Djali i Remzi Hoxhës: Japim shpërblim për eshtrat e babait burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip