E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali i sapodalë nga spitali psikiatrik vret me thikë babanë

Vrasja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa policia ka mundur të gjejë trupin e pajetë të 74-vjeçarit paraditen e djeshme. Më pas është bërë i mundur arrestimi i 42-vjeçarit Aleko Rrapi

FIER Rishfaqet krimi në familje në rrethin Fier. Këtë radhë djali ka vrarë babanë e tij me thikë. Gjithçka është regjistruar si ngjarje e rëndë në orët e mesditës së martë, në shtëpinë e Koli Rrapit, 74 vjeç , në lagjen Mbrostar Ferko, Fier, i cili është edhe viktima. Autori i dyshuar dhe arrestuar prej policisë është djali i tij, me probleme mendore, Aleko Rrapi 42 vjeç.

Vrasja

Në fakt krimi mendohet të ketë ndodhur shumë orë përpara brenda ambienteve të shtëpisë, ku jetonte babai dhe djali i tij, një ndërtesë përdhese në lagjen e sipërpërmendur, disa kilometra larg qendrës së qytetit Fier. Gjithçka ka ndodhur për motive të dobëta. Pasi ka qëlluar babanë dhe e ka lënë të vdekur, autori është strehuar në ambiente të tjera të shtëpisë. Ndërsa në ditën e djeshme është larguar prej saj sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në orët e mesditës në këtë banesë ka shkuar njëri prej nipërve të viktimës. Ai është futur brenda ambienteve të oborrit, ka thirrur, por nuk ka dëgjuar asnjë përgjigje nga i moshuari. Përballë këtij fakti ai është futur brenda shtëpisë në dhomën ku qëndronte i moshuari dhe ka gjetur atje pa jetë mes gjakut 74-vjeçarin e pajetë. Pasi ka njoftuar të afërmit për këtë ngjarje të rëndë, nipi i tij ka lajmëruar më pas policisë. Kjo e fundit ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kryer veprimet e para hetimore. Burime paraprake të policisë thanë se “vdekja ka ardhur si pasoj e goditjes me mjete të mprehta e të moshuarit, dhe ka ndodhur shumë orë përpara. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mbledhja e fakteve policia arriti në përfundimin paraprak se ky ishte një krim brenda familjes”. Për këtë arsye blutë kryen dhe ndalimin e djalit të tij, 42-vjeçarit Aleko Rrapi.

Autori

Sipas banorëve të lagjes autori vuan nga çrregullime mendore. Ai ka jetuar si emigrant në SHBA dhe është kthyer para disa vitesh në Shqipëri. Që në kthimin e tij, shkaqet nuk dihen, ai është shfaqur agresiv, duke dhënë para banorëve të lagjes dhe prindërve të tij simptoma të sëmundjes mendore. Për këtë arsye babai i tij kishin kërkuar edhe ndihmën e policisë. Djali ushtronte ndaj tyre dhunë psikologjike, madje ndonjëherë edhe fizike. Policia e ka shoqëruar autorin disa herë në komisariat, ndërsa prej kohësh ai mjekohej në spitalin psikiatrik të qytetit bregdetar të Vlorës. Burime nga ky spital kanë pohuar se autori mjekohej pranë këtij institucioni të shëndetit mendor, ndërsa kanë shtuar se ai ka dalë që andej para rreth shtatë ditësh. Kështu mbrëmjen e dy ditëve më parë, pas një grindjeje me babanë e tij, ai e ka qëlluar këtë të fundit me thikë duke e lënë të pajetë.

Sipas burimeve jo zyrtare policore 42-vjeçari njihej edhe si përdorues i lëndëve narkotike. Policia ende nuk ka dhënë një motiv të krimit Deri tani sipas këtij kontakti me zëdhënësen e policisë mendohet se vrasja ka ndodhur në momente depresioni dhe çrregullimi mendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›