Humbin jetën dy vetë në aksident
Një 16-vjeçare në fshatin Fushë-Mamurras dhe një 55-vjeçar kanë humbur jetën si pasojë aksidenteve automobilistike
Një vajzë 16-vjeçare ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në rrugën Fushë-Krujë-Milot, në afërsi të fshatit Fushë-Mamurras. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se një makinë me targa të Kosovës, fuoristradë, ka përplasur për vdekje një 16-vjeçare të identifikuar me inicialet M.A., e cila ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spitalin e Laçit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, automjeti drejtohej nga Pirol Pirana, i cili pas aksidentit nuk ka lëvizur nga vendi i ngjarjes, duke u arrestuar më pas edhe nga ana e policisë së Kurbinit. Sipas hetimeve në vendin e ngjarjes, shkak për këtë aksident tragjik është bërë shpejtësia e madhe më të cilën po lëvizte automjeti që goditi 16-vjeçaren, e cila po kalonte superstradën, për të vajtur te shtëpia e saj, të cilën e kishte në anë të superstradës. Aksidenti, sipas policisë, ka ndodhur ditën e djeshme rreth orëve të mesit të natës. Ndërsa trupi pa jetë i 16-vjeçares është tërhequr nga ana e familjarëve në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme nga morgu i spitalit të Laçit.
Aksident me vdekje në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas në afërsi të qytezës Përrenjas. Novruz Toromani 55 vjeç, me banim në këtë qytet, mbeti i vdekur si pasojë e përplasjes nga një kamion mallrash me targë të Tiranës TR 0959 M. Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ekspertët. Sipas të dhënave paraprake, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë prerja e rrugës nga viktima automjetit me targë të Tiranës, i cili ndodhej në gjendje të dehur. 55-vjeçari shoqërohej nga djali i tij, i cili i është shmangur përplasjes me automjetin. Policia ka shoqëruar për në komisarit drejtuesin e automjetit.