Festivali më pak patriot
DURRES- Film i të gjitha dashurive të munguara dhe i ironisë së hollë është cilësuar “I kam shërbyer Mbretit të Anglisë” (2006) i regjisorit çek Jiri Menzel, i shfaqur dy ditët e fundit të Festivalit Ndërkombëtar të Durrësit. Është historia e një njeriu ambicioz para, gjatë dhe pas pushtimit gjerman të Çekisë. Ironia dhe romantizmi janë bashkudhëtare përgjatë gjithë aksionit filmik. Në shënjestër janë fanatizmi gjerman në krahinën e Sudeteve; komunistët të cilët tokën që ua morën të pasurve ia dhanë “popullit”; nacionalizmi çek që më të madhen trimëri e shfaq kur u heq studenteve gjermanë çorapet e bardha në rrugët e Pragës. Është në natyrën e kinemasë që bën Jiri Menzel, ndërthurja e humanes me sarkazmën. Gjatë regjimit komunist në Çeki, edhe pse Menzel ishte bërë një emër i njohur ndërkombëtarisht – më 1967 filmi i tij “Closely Watched Trains”, bazuar në veprën e Bohumil Hrabal-it, fitoi Oskar si Filmi më i Mirë i Huaj-ai ka provuar censurën, madje ndalimin e qarkullimit të ndonjë filmi. Pritet që Menzel, i ftuar nga organziatorët të vijë sot në Durrës për të qenë pasdite në orën 18.00 i pranishëm në kinemanë “Aleksandër Moisiu” për një workshop, siç thuhet zakonisht në këto raste. Urojmë, që të mblidhen ca njerëz më shumë në kinema, se boll e boshatisur ka qenë gjatë ditëve të festivalit. Konferenca e shtypit e menduar për dje nuk është organizuar sepse nuk ka pasur asnjë person të stafit të filmit “I kam shërbyer mbretit të Anglisë” i cili është në konkurrim për “Gladiatorin e Artë” i cili jepet sonte në mbrëmjen ceremoniale në orën 20.30.
Kujtojmë se romani i Bohumil Hrabal-it mbi të cilin është bazuar filmi me të njëjtin titull i Menzelit, është përkthyer në gjuhën shqipe nga regjisori Piro Milkani.
Paralelisht është shfaqur dy ditët e fundit, “Ahlaam Dreams” (Ëndrrat, 2005) i regjisorit iraken Mohamed Al-Daradji, bashkëprodhim i Irakut, Britanisë dhe Hollandës. “Ëndrrat e Ahlamit” na çojnë në Irakun e viteve 1998-2003. “Kemi xhiruar në rrugët e Bagdadit me kamerë në sup dhe me kallashnikov në dorë” tha një nga producentët e filmit, Atea Al-Daradji, në konferencën e djeshme për shtyp. Është historia e tri personazheve që kanë ikur nga çmendina dhe enden rrugëve të Bagdatit, sepse shëpitë e tyre janë shkatërruar gjatë pushtimit amerikan. Çmenduaria dhe ëndrrat e tyre janë e vetmja mënyrë që ata të mbijetojnë.
“Bërja e këtij filmi ka qenë një odise më vete, për mënyrën se si janë kapërcyer vështirësitë e xhirimit e të realizimit. Ju e dini si është situata në Irak pas rënies së Sadam Huseinit. Është e vështirë që të marresh kamerën e të xhirosh normalisht diçka sado të shkurtër. Po ne, nisur nga motoja e jonë se kinemaja është jeta, nuk u stepëm”,- tha Al-Daradji.
Ai ka treguar se grupin e xhirimit e ndiqte pas edhe një kamerë që filmonte peripecitë e pararojës së “Ëndrrave”, dhe mbi këto xhirime në prapavijë u realizua edhe një dokumentar i vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare. Ekipi ka përjetuar edhe ngjarje ekstreme kur janë rrëmbyer e mbajtur peng 4 pjesëtarë të stafit realizues.
Al-Daradji ka theksuar se kinemaja irakene po hap një kapitull të ri dhe të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, përkrah kinemasë së disa vendeve nga Lindja e Mesme që po shihen si prurje interesante dhe po vlerësohen me çmime në festivale të rëndësishme të kinemasë si Kana, Venecia, Berlini. Kjo është epoka kur bashkë me rënien e regjimit të Huseinit mori fund edhe represioni ndaj kinematografisë si art skematik që duhej t’i bindej propagandës në jo pak vite, po që nga 1967-a.
Kaq për sa i përket dy filmave të fundit në konkurrim.
Një gjë nuk mund ta kalohet pa u vënë re, programi special i nostalgjisë së kinemasë shqiptare. Një ide origjinale krejtësisht e dështuar, rezultoi shfaqja e filmave fitues të festivaleve që nga viti 1975 e deri tek festivali i dymbëdhjetë, 2005.
Ky dështim varet dhe nuk varet nga organizatorët, por edhe mund të ishte shmangur salla bosh gjatë projeksioneve të filmave shqiptarë. Si?
Gjatë 8 ditëve të Festivalit Veror nuk pati asnjë artist shqiptar të ftuar. Është fjala për ata që kanë realizuar dhe kanë interpretuar tek filmat e këtij koleksioni: regjisorët Dhimitër Anagnosti (të cilit i janë shfaqur dy filma), Viktor Gjika, Kujtim Çashku, Saimir Kumbaro, Piro Milkani. Nuk janë ftuar as aktorë si Bujar Lako, Timo Flloko, Eva Alikaj, Artur Gorishti, Ndriçim Xhepa, Agim Qirjaqi, disa nga protagonistët e këtyre filmave. Ardhja e tyre posaçërisht me rastin e projeksioneve, me siguri që nuk do ta linte publikun indiferent për t’i takuar këta artistë nga afër dhe për të krijuar një debat më të gjerë mbi zhvillimet e kinemasë shqiptare dje dhe sot. përndryshe çfarë interesi do kishin njerëzit të shohin filma që televizionet i kanë shtrydhur si limoni?
Është e turpshme që pak kilometra larg Durrësit nuk ftohen dy etër të gjallë të kinemasë si Anagnosti e Gjika, sepse mendohet që ky është edhe festivali i trembëdhjetë i filmit shqiptar. Është i pari festival ndërkombëtar me kaq shumë filma shqiptarë dhe me pjesëmarrje të dobët të vendasve, publikut shqiptar. Pra është festivali më pak “patriotik”.
Organizatorët, dhe sidomos Qendra Kombëtare Kinematografike e ka parë filmin shqiptar si lëndë për të mbushur brimat e festivalit.