Mira, shfaqja e parë në Nju Jork
“Mira” filmi i regjisorit shqiptar Dhimitër Ismailaj quhet përfundimisht i mbaruar. “Dyrrachium Productions” dhe producentët e filmit njoftuan se “Mira” ka patur dje në mbrëmje projeksionin provë para se të hidhet në konkurrim në festivalet e filmit me metrazh të shkurtër.
Shfaqja është bërë tek “Producers Club”, në zemër të Manhatanit në Nju Jork, kjo për arsye se regjisori Ismailaj jeton atje.
“Mira” është historia e një gruaje të re shqiptare me të njëjtin emër që përballet me një shoqëri patriarkale. Ajo ndodhet në një dilemë morale: i duhen 10 mijë dollarë dhe nga ana tjetër është nën presionin e dëshirave të saj të fshehta. Mira përfaqëson atë pjesë të shoqërisë që përpiqet për të mbajtur gjallë vlerat tradicionale të familjes, kur është e rrethuar ndërkaq nga një shoqëri me moral të dyshimtë. Veprimet e saj janë si një hakmarrje e pavetëdijshme kundër patriarkëve që vazhdojnë të kontrollojnë jetët e të tjerëve dhe që imoralitetin dhe perversitetin e tyre ua shesin përvlerë morale dhe sociale atyre që ata drejtojnë.
Në rolet kryesore interpretojnë Rozana Radi, Ilirjan Gjini, Neritan Liçaj, Dija Tinka Kurti etj.