Ari Han: Dua lojë sulmuese me Suedinë!
Do të jetë një kombëtare ndryshe në ndeshjen e parë eliminatore me Suedinë, më 6 shtator në "Qemal Stafa". Eshtë ky premtimi i trajnerit kuqezi Ari Han, pas mbërritjes dje në Tiranë. I shoqëruar nga shefi i sektorit të jashtëm në FSHF, Denis Bastari, holandezi iu përgjigj me mirësjellje interesimit të mediave, edhe pse në orën 13:30 iu desh të duronte diellin përvëlues. Ai vazhdon të "qajë" kohën e humbur, por është i bindur se kuqezinjtë do të bëjnë më të mirën ndaj ekipit nordik. Trajneri Han premtoi një lojë sulmuese, duke theksuar se nuk do të luhet me frikë.
- Pas miqësores me Lihtenshteinin, u larguat nga Shqipëria me zhgënjimin e lojës së kuqezinjve...?
- Megjithatë, unë përgjithësisht jam i kënaqur për këtë periudhë që po drejtoj Shqipërinë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemi ynë është që nuk kemi kryer shumë seanca stërvitore dhe natyrisht ndeshje. Gjithsesi, unë kam bindjen se në vijim do të bëjmë më të mirën. Erdha më shpejt në Tiranë, me synimin për të vëzhguar dy ndeshje të kampionatit shqiptar, ku mund të gjej ndonjë element të mirë për të ardhmen.
- Keni thirrur dy sulmues si Bogdani dhe Berisha. A keni menduar ndryshime në formacion për ndeshjen me Suedinë?
- Gjithçka është e mundshme, pasi kam thirrur tre lojtarë të tjerë, por më mirë do të flasim pas seancave stërvitore. Këtu do të jetë barometri i vërtetë për të gjithë lojtarët. Unë si trajner, gjithnjë ndryshimet më të mëdha i bëj gjatë ndeshjes. Gjatë lojës do të shikoj çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon.
- Çfarë kombëtareje do të shikojmë me Suedinë?
- Do të shikojmë një skuadër tjetër. Unë jam holandez dhe pëlqej lojën sulmuese, kështu që mendoj se me Suedinë nuk do të luajmë me frikë. Do ta përgatis skuadrën për një lojë ofensive, pavarësisht se kundërshtari ka kualitete. Këtë gjë do të mundohem t'ua fus mirë në mendje futbollistëve në këto pesë ditë stërvitje që do të zhvillojmë.
- Presidenti Duka ka thënë që nuk ka më justifikime...?
- Problemi më i madh është që nuk kemi bërë shumë ndeshje. Për mua provë reale mund të quhet vetëm miqësorja me Poloninë, sepse me Lihtenshteinin nuk munda të shikoja gjë. Dëshira ime ishte që të bënim tri ndeshje me skuadra të forta, ku do të shikoja se çfarë kombëtareje kemi. Gjithsesi, do të punojmë fort për të bërë më të mirën.
Holandezi mërzitet nga Dinamo-Shkumbini
I pranishëm në "Selman Stërmasi" për të vëzhguar ndeshjen Dinamo-Shkumbini, trajneri i kombëtares Ari Han, duke parë edhe nivelin e të dyja lojës, u largua nga stadiumi 10 minuta para përfundimit. Në një ndeshje, ku lojtarët më shumë ecnin sesa vraponin, holandezin e zuri "koka", teksa shpejtoi për të shkuar te makina e vënë në dispozicion të tij nga FSHF-ja.
-----------------------------Superliga, java e dytë
Dje
Dinamo – Shkumbini3-1
Bylis – Besa2-3
Teuta – Tirana0-1
Sot
Partizani – Vllaznia
Apolonia – Lushnja
Flamurtari – Elbasani
Renditja
1. Dinamo4 pikë
2. Tirana4
3. Shkumbini3
4. Flamurtari3
5. Besa3
6. Partizani3
7. Apolonia1
8. Elbasani1
9. Vllaznia1
10. Teuta1
11. Lushnja0
12. Bylis0
-----------------------Kategoria e parë
Dje
Skënderbeu – Dajti2-1
Sopoti – Laçi0-1
Naftëtari – Bilisht-S.1-0
Gramozi – Tërbuni1-0
Turbina – Skrapari1-0
Sot
Besëlidhja – Luftëtari
Ada – Burreli
Pogradeci – Kastrioti