E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali-talent që ka pikturuar që katër vjeç

Klevi Kurti cilësohet si fëmija më i rrallë në komunitetin rom

Matilda Arapi

Është vetëm shtatë vjeç dhe e ka zgjedhur profesionin e tij të ardhshëm. “Unë do të bëhem piktor”, janë këto fjalët e Klevi Kurtit nxënësit të klasës së parë që dallon mes shokëve të klasës. Ai ka filluar të pikturojë që në moshën tre vjeçare dhe ende vazhdon ta ruajë pasionin për pikturën. Ishte vetëm katër vjeç kur edukatorja e kopshtit përzgjodhi pikturat e tij për konkursin “Piktori i vogël” dhe Klevi fitoi. U shpall piktori i vogël më i mirë në rrethin e Tiranës, mes shumë bashkëmoshatarësh. Do të ishte pikërisht kjo fitore që do të kthente vëmendjen e prindërve të tij nga djali-talent. Tashmë është në klasë të parë dhe ndryshe nga shumë fëmijë të tjerë rom që detyrohen të rrinë rrugëve duke lypur Klevi mëson e studion. Prindërit e tij i kanë dhënë mundësi të barabarta me të bashkëmoshatarëve dhe Klevi i ka shfrytëzuar përsosmërish mirë.
Djali-talent
Me sytë e zinj që shkëlqejnë dhe duart e vogla që lëvizin shkumësin në tabelën e klasës ai fillon të pikturojë. Shokët dhe shoqet kanë lidhur duart dhe shikojnë më habi tek Klevi pikturon macen, qukapikun, globin madje edhe mësuesen e tij. Nuk ndalet derisa shikon që tabela është e mbushur plot e përplot me vizatime. Ai ka pushtuar vëmendjen e gjithë shkollës “28 Nëntori” dhe të gjithë tashmë e tregojnë me gisht “Ja ai është fëmija mrekulli”. Buzëqësh i palodhur, dhe tregon që shtëpinë e tij e ka mbushur plot me pikturat e veta, edhe pse do donte të kishte një dhomë të tijën, ku të mund të ilustronte gjithçka. Kohën e tij të lirë dëshiron ta kalojë duke pikturuar por frika e së ëmës, se mos lë mbrapa mësimet e ka bërë Klevin të heqë dorë përkohësisht. Mira, mamaja e 7-vjeçarit, tepër e përkushtuar, tregon se ka bërë të pamundurën për ta dërguar Klevin tek një piktor. “Vetëm ai, do mund të na thoshte a duhet ta mbështesnim Klevin në pikturë apo jo”, na tregon e ëma duke mos e fshehur dot dyzimin që ka të ardhmen e të birit. Klevi i vëmendshëm dëgjon fjalët e së ëmës dhe si një çamarok i vërtetë thotë “Kur isha tek xhaxhi piktori ai më thoshte të pikturoja çfarë të doja, ndërsa tani mami nuk më lë më dhe unë nuk e kuptoj përse”. Me sa duket urdhri i fundit i prindërve është kthyer në shqetësimin më të madh të Klevit. Sipas të ëmës, piktori i ka këshilluar që Klevi duhet të vazhdojë të pikturojë kur ta ketë kaluar moshën 10-vjeçare. “Mami me babin zihen në shtëpi se babi do që unë të pikturoj akoma”, thotë Klevi me shkathtësi.
Ndryshe
Klevi është një fëmijë i mbushur me humor, shokëve të klasës iu tregon barsoleta, këndon e imiton këngë të ndryshme, aq sa fëmijët e tjerë mbajnë radhën për tu ulur në bankën e tij. Mësuesja e tij, Trebeshina Brati, shprehet se i ka ndodhur rrallë në profesionin e saj të shikojë një nxënës kaq të mirë me mësime që i përket komunitetit rom, dhe aq më i rrallë i duket fakti se prindërit e Klevit bëjnë të pamundurën që ai të ecë sa më mirë me mësime. Kjo për arsye se janë të pakta familjet rome që i kushtojnë rëndësi arsimimit. Sipas statistikave, në vendin tonë rreth 64 për qind e romëve nga mosha 7- 20 vjeç janë analfabetë. Por, Klevi është ndër nxënësit më të mirë në klasë ku e meta më e madhe e tij qëndron vetëm në të qenurit pak i ngadaltë. Mësuesja dhe e ëma kanë bërë pakt që Klevit ti lihet më shumë kohë në dispozicion. Si një fëmijë më dhunti të veçanta prej piktori ai i trajton edhe detyrat si pikturë. Mësuesja e tij shpjegon: “Klevi i dorëzon detyrat 20 minuta me vonesë por kjo nuk më shqetëson pasi tek ai shoh temperamentin e një piktori të lindur që çdo gjëje i kushton rëndësinë e duhur”. Ajo na siguron se prindërit e tij, veçanërisht e ëma është shumë e përkushtuar ndaj Klevit. “Ne do bëjmë të pamundurën që djalin ta dërgojmë në një kurs pikture, pasi sytë nga ai i kemi. Në fisin tonë nuk ka dalë ndonjë piktor po ndoshta është dhunti nga zoti. E dimë rëndësinë e shkollës dhe duam që ai të jetë sa më mirë me mësime, se as unë as im shoq nuk kemi bërë më shumë se tetë klasë shkollë po për Klevin do të sakrifikojmë shumë”, shprehet mamaja e tij.

Familja
E ëma e Klevit punon si pastruese në një lokal në Tiranë ndërsa i shoqi ushtrohet si mekanik dhe mundohen që fëmijëve të tyre të mos u mungojë asgjë. Për Mira dhe Miri Kurtin jeta nuk është e lehtë,fakti që i përkasin komunitetit rom, ua vështirëson edhe më shumë mundësinë për të gjetur punë të tjera. Ata jetojnë në Laprakë, në një shtëpi të përbashkët me vëllanë e Mirit, dhe janë aq të lidhur me njëri tjetrin, sa Klevi kushurinjtë dhe kushuruirat e para i ngatërron me vëllain e tij. Miri punon që nga mëngjesi dhe në darkë nuk sjell më shumë se 5 mijë lekë në shtëpi, ndërsa Mira punon në dy punë si pastruese dhe rroga e saj është 20 mijë lekë të reja. Prindërit e Klevit e pranojnë që për ta nuk është e lehtë mbijetesa, por për dy djemtë e tyre duan më të mirën, duan që të paktën Klevit ti jepet mundësia për të vazhduar më vonë shkollën e pikturës. Dhurata më e mirë që kanë është pikërisht Klevi, djali i dashur dhe i talentuar. Një artist i vogël dhe i vëmendshëm, që pikturon çdo gjë që i del përpara, mjafton ta shikojë vetëm një herë. Në klasë dhe në shkollë njihet tashme si piktori i vogël, që përkohësisht e ka të ndaluar të pikturojë por Klevi gjen hapësira dhe tregon se s’mund të bëjë pa pikturën. Në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve në Shqipëri është krijuar që në vitin 1990 Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Në projektet e tij kanë qenë të fokusuara edhe komuniteti rom e ai egjiptian. Ky Komitet mbron të drejtat e tyre dhe nxit vazhdimisht qeverinë Shqiptare të marrë masa për të mbështetur këto komunitete, edhe pse në një studim të tyre romët dhe egjiptianët janë identifikuar si grupet më të varfra dhe më të pambrojtura.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›