E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëria, njeriu dhe sfida e tjetërsimit…



Nga Gëzim TUSHI

Nuk mund të mos jemi të shqetësuar për dukuritë sociale të shoqërisë tonë të cilat për ne janë të “reja, nga që nuk kanë qenë të njohura më parë. Në të vërtetë tashmë nga pikëpamja sociale, e dukurive të jetës shqiptare, ne mund të themi se jemi duke u ekuivalentuar me botën. Kemi të njëjtat probleme, vuajmë nga të njëjtat plagë, dridhemi nga ethet e sëmundjeve sociale që janë tashmë dukuri globale. Ne nuk jemi më shoqëri e mbyllur, e izoluar, e ndarë nga paradigmat e qytetërimit modern. Pavarësisht nga forma, intensiteti dhe tipologjia e shfaqjes së patologjive sociale, tashmë në shoqërinë shqiptare jemi përballë një situate të komplikuar, e cila duhet njohur për t’u përballuar. Kudo, në botë por edhe në vendin tonë sociologët e kohës moderne, janë të shqetësuar nga progresi i papërmbajtur i dukurisë sociale, që po merr peshë të veçantë sociale në shoqërinë bashkëkohore, siç është “tjetërsimi personal”. Kjo dukuri ka filluar të jetë në rritje, në zgjerim me përmasa drithëruese për njeriun dhe realitetin tonë social. Ajo nuk është dukuri sociale e re, “sui generis” e modernitetit, e panjohur në shoqëritë para moderne. Por në shoqërinë tonë dikur tradicionaliste, ajo ka marrë një lulëzim të veçantë, nga që jeta e njeriut modern, ka filluar të bëhet gjithnjë e më e individualizuar, e vetmuar, e pasigurt. Fenomene të tilla sociale evidente, si ekzagjerimi i prirjes së shthurjes së lidhjeve të vjetra sociale, i grupeve dhe organizimeve shoqërore, mbi të gjitha dukuritë e dobësimit të familjes, ndjenjës së humanizmit dhe kohezionit social, ftohja e solidaritetit e lidhjeve sociale, mungesa e dukshme e kapitalit social, etj, tashmë nuk janë dukuri të veçanta apo të rastit, por fenomene masive në shoqërinë shqiptare, kurba e të cilave duhet llogaritur me kujdes.
Në fakt studimit të dukurisë së “tjetërsimit”, i kanë kushtuar pjesën më të rëndësishme të veprës, duke dhënë definicione teorike, përcaktime social-psikologjike, që nga Karl Marksi deri tek Erik Fromi apo Zhan Pol Sartri. Tema e tjetërsimit, që ka filluar të shfaqet me intensitet të veçantë në shoqërinë tonë, është bërë dominante, dhe kohët e fundit e ndeshim të pasqyruar edhe në letërsinë dhe kinematografinë e kohës. Në to gjejmë artistikisht të pasqyruar atë të vërtetë që kemi në jetën e përditshme, në të cilën po kristalizohet me profil të plotë, me fizionomi të qartë, në masë, tipi i njeriut, të cilin filozofi bashkëkohor spanjoll, Ortega Y Gasset e quan, ”krijesë anonime e tregut dhe e votimit masiv”. Këtë njeri të kohës moderne disa dekada më parë, njëri nga themeluesit e shquar të filozofisë së pragmatizmit amerikan, Xhon Djui e konsideron “individ të shkëputur nga vlerat dhe besnikëritë”.
Shoqëria shqiptare po e realizon me vështirësi konceptimin dhe materializimin e shoqërisë dhe njeriut modern. Ne po ndeshemi në jetën tonë të përditshme me konceptime sempliste, pse jo, shpesh edhe me natyrë aventureske dhe anarkiste të shoqërisë moderne. Shoqëria shqiptare ende nuk ka të kristalizuar në parametrat e duhura dhe sipas standardit të shoqërisë bashkëkohore, konceptin e përbashkët që ka në themel të saj “njeriun e lirë”, si simbol i përparimit dhe lirisë.
Ndërkaq, nuk është e vështirë të konstatohet tendenca tjetër kontradiktore sipas së cilës sa më e lirë bëhet shoqëria shqiptare, duket se një pjesë njerëzish janë të trembur, të pasigurt në jetën e tyre. Tani duket se sa më e lirë po bëhet shoqëria në tërësi, aq më shumë nga ana tjetër po shtohen njerëzit që për shkaqe personale apo sociale janë nën “kthetrat” e ankthit, pasigurisë, braktisjes, margjinalizimit. Në këtë kontekst, në shoqërinë tonë po zgjerohet dukuria e tjetërsimit, sepse në situatën sociale aktuale, po shtohen përditë njerëzit e “keqpërshtatur me shoqërinë dhe vlerat morale të saj. Kanë plotësisht të drejtë studiuesit e shoqërisë moderne, që këmbëngulin “njeriu i tjetërsuar”, është bërë pjesë e pandarë e realitetit social të ditëve tona. Njeriu i tjetërsuar, i veçuar, i frikësuar, i pasigurt, timid përballë rregullave të modernitetit, është bërë figurë sunduese e analizave sociale të realitetit kontradiktor të shoqërisë shqiptare, të cilin e gjejmë jo vetëm në realitetin empirik të përditshëm, jo vetëm në familje, komunitet dhe shoqëri, por edhe në shtyp, në media, në krijimtarinë artistike të kohës sonë.
Tani në shoqërinë tonë, nuk ndeshemi vetëm me njeriun e suksesshëm, sfidant, të fuqishëm, konkurues, por edhe për njeriun e paorientuar, të paaftë , të papërshtatshëm, të pakënaqur, të çorientuar, pse jo edhe të dështuar. Gjendja kryesore e njeriut të tjetërsuar, është frika, pasiguria, ankthi, si gjendje mendore permanente. Njeriu i zhgënjyer, humbës, obsesiv, është bërë dukuri për jo pak njerëz që vuajnë “krizën e identitetit” të tyre. Ata janë njerëz që humbasin “statusin qytetar”, e kanë të vështirë të kuptojnë, të orientohen me shoqërinë që e rrethon, e kanë të vështirë të dallojnë në këtë “botë të ngatërruar”, “fajësinë” e shoqërisë nga “fajësia” individuale, përgjegjësinë personale dhe përgjegjësinë sociale, pasi “kufijtë ndarës” të përgjegjësive në shoqërinë shqiptare, si shoqëri e lirë janë bërë gjithnjë e më shumë të padukshëm, konvencional. Shoqëria jonë, tani pas dy dekadave transformimi të vrullshëm, është bërë shoqëri thellësisht tjetër, që nuk ka më “kala sigurie” ku të mbrohet njeriu i dobët, i paorientuar.
Shoqëria shqiptare nuk e ka më në koncept, idenë e vjetër të barazisë, sepse ajo është shoqëri e kompeticionit individual, në të cilën njeriu hyn me forcat e tij për të fituar ose humbur. Në jetën moderne përgjithësisht reduktohen në minimum “zgjidhjet e mesme”, pasi parimi themelor, ekzistencial i funksionimit të saj, është “lufto ose mbathja”. Ai që humbet, është i humbur dhe mbetet në fund të shoqërisë, i lodhur, i zhgënjyer, i deziluzionuar, i tjetërsuar, në pritje të “dorës sociale” të shtetit. Ai bëhet pastaj “qytetar pa status”, që ka të cenuar personalitetin shoqëror. Në këto rrethana, si pasojë e tjetërsimit që pësojnë, këta njerëz janë të “detyruar” të jenë të dobët, konformistë, të margjinalizuar, të paaftë për të gjetur forcë për t’u përballuar me faktorët e jashtëm socialë, disfavorizues. Studimet, vëzhgimet dhe përvoja ime e gjatë profesionale, me kategori të tilla sociale, me njerëz me identitet të tronditur, me aftësi të kufizuara, të papunë, të margjinalizuar, përdorues të drogës dhe alkoolit, më kanë bindur se ata vuajnë nga ndjenja e mungesës së përkatësisë, shpesh sillen si qenie pa identitet social. Këtë realitet që ndeshim sot në shoqëri e ka tipizuar në mënyrë sintetike filozofi danez Soren Kierkegard, i cili e konsideron “realitet i frikshëm i njeriut të vetmuar, të mundur brenda universit armiqësor”. Në këto rrethana, njeriu i tjetërsuar ndodhet gjithnjë në “gjendje dileme”, midis dëshirës dhe shpresës së parealizuar, ndaj zhytet në apati, mërzi dhe armiqësi, me realitetin rrethues. Individët e tjetërsuar në shoqërinë shqiptare, janë shtuar shumë për shkak se kanë humbur “piketat orientuese”, për punë dhe jetë sociale. Të varfrit, të papunët, njerëzit e pa orientuar, të alkoolizuarit, personat me mundësi të kufizuara sociale për integrim, viktimat e prostitucionit, janë individë, por tani padyshim edhe grupe sociale, që e kanë të “dëmtuar” dimensionin social, nuk e ndjejnë veten si pjesë të realitetit, madje, një pjesë prej tyre kanë humbur dëshirën për të qenë pjesë e tij.
Kjo gjendje, e shfaqur si “tjetërsim social”, si veçim dhe largim nga realiteti, padyshim duhet konsideruar jo vetëm si “plagë sociale” e lidhur me shtetin dhe shoqërinë, por duhet parë më së pari si pafuqi individuale e njeriut, për të qenë konkurrues, i suksesshëm në garën e përditshme për të siguruar jetën. Kjo gjëndje, ka filluar të jetë në në rritje, sidomos tek të rinjtë, duke filluar nga adoleshentët e deri tek universitarët. Efektet e shumta të tjetërsimit duken në mënyrën e sjelljes dhe të menduarit të tyre. Sasia e jashtëzakonshme e njerëzve në rrugë, nëpër “kafenetë e muhabeteve” dhe thashethemeve orientale, dëshmon jo vetëm vanitetin dhe parazitizmin e shtuar social, që ka kapur shoqërinë tonë, por dhe faktin që një pjesë e madhe e këtyre njerëzve që përjetojnë tjetërsimin individualisht, janë bërë pasivë, të hutuar, depresivë, të zhytur në inaktivitet. Ata e përjetojnë keq “tjetërsimin” e përkohshëm, nga që kanë humbur besimin tek vetja dhe tek të tjerët, tek individët, bashkësia, dhe komuniteti, tek vlerat e jetës së përbashkët, relacionet dhe marrëdhëniet njerëzore. Në përgjithësi, mënyra e tyre e jetesës është e mbyllur, pa marrëdhënie intensive interpersonale. Ata nuk janë aktive, madje janë kontingjenti kryesor, që nuk beson në vlerat e organizimeve qytetare. Ata qëndrojnë larg politikës, kutive të votimit. Ka nga ata që shkalla e tjetërsimit, është kaq e thellë, sa që nuk kanë marrëdhënie normale as me familjen, janë bërë të largët me të dhe relacionet brenda saj, i kanë të ftohta.
Personalisht mendoj se dukuria e tjetërsimit, do të shfaqet në përmasa gjithnjë në rritje, sepse edhe shoqëria shqiptare po përjeton një proces të “shkatërrimit të grupeve dhe vlerave tradicionale”. Fragmentarizimin e shoqërisë, izolimin e individit në botën e ngushtë personale, shumë sociologë e konsiderojneë pasojë të një dukurie që shpesh quhet, “imperializëm psikik” i modernitetit perëndimor. Rezultat i këtij “imperializmi”, është njeriu i izoluar, i paaftë për të gjetur “anëtarësi të sigurt”, njeriu i mbetur vetëm, përballë shoqërisë, forcave spontane të tregut, njeriu që ndodhet në kuotat kritike të “zeros morale dhe shpirtërore”…

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›