E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO pas samitit të Bukureshtit : akoma në kërkim të një roli?



Nga Elvis Devole

Edhe pse ka kaluar afro një muaj nga samiti i NATO-s që u
mbajt nga 2-4 prill në Bukuresht,arritjet, vendimet,objektivat por, dhe divergjencat për çështje të ndryshme që u shfaqën në këtë samit, vazhdojnë të jenë objekt analize, diskutimi e studimi i institucioneve më të specializuara në fushën e politikës ndërkombëtare, të vendeve anëtare të Aleancës transatlantike.
Ndër veprimtaritë e tilla të rëndësishme post-samit, ka qenë
edhe seminari që u organizua para pak kohësh nga Instituti i Studimeve të Politikës Ndërkombëtare- ISPI ( i krijuar në vitin 1924}në Milano. Synimi kryesor i seminarit ishte që nëpërmjet një analize të detajuar të pasqyrohej më qartë, jo vetëm suksesi i arritur në samitin e fundit të NATO-s në Bukuresht por, edhe të diskutohej mbi shkaqet e problemeve ende të pazgjidhura ose për çështje të mbetura pezull.
Personalitete dhe studiues mjaft të njohur në fushën e
kërkimeve shkencore për marrëdhëniet ndërkombëtare si: A. Ferrari, A. Colombo, A. Xh. Dobbins, R. Nevers, S. Rynning etj., nga Europa e SHBA, referuan e diskutuan mbi tema e probleme, të cilat gjenden aktualisht përballë Aleancës, me pikënisje që nga viti 2001. Pavarësisht këtyre, referuesit theksuan se, samiti i Bukureshtit në mjaft aspekte vlerësohet më pozitiv krahasuar me ata të mëparshëm.
Diskutantët paraqitën fakte konkrete se, prapa temave
themelore të axhendës së samitit, ishin tepër të lexueshme edhe ndarjet thelbësore brenda NATO-s. Të mbartura (veçanërisht në dy dekadat e fundit) që pas mbarimit të luftës së ftohtë, këto ndarje janë thelluar, duke nxjerrë në sipërfaqe çështje që kërkojnë zgjidhje imediate për aktivitetin e NATO-s përballë sfidave të reja.
Duhet theksuar se, veprimtaritë e kësaj natyre që ndihmojnë në formulimin e ideve dhe koncepteve të reja për zbatimin e reformave në strukturat politike dhe ushtarake të Aleancës, kanë
shoqëruar në vazhdimësi çdo samit të radhës.
Natyrshëm edhe në rastin e samitit të Bukureshtit, vëzhguesit pranë NATO-s, nuk mund ta imagjinonin ndryshe, hapjen natyrale të “erashkës” së sfidave politike e strategjike, pasi ato janë të mbivendosura prej kohësh në marrëdhëniet transatlantike.
Kështu që, në rrjedhën e veprimeve të debatueshme për Afganistanin dhe Kosovën (në të cilën prezenca e NATO-s është më se e domosdoshme, sidomos pas shpalljes së pavarësisë), u paraqitën
sensibilitete dhe angazhime të ndryshme nga ana e aleatëve.
Nisur nga këndvështrimi i zgjerimit rreth konsensusit
pothuajse të përsosur për hyrjen e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO, mbetet ende e paqartë e ardhmja e procesit të hyrjes së Ukrainës e Gjeorgjisë, të cilat tani kanë nisur procedurën formale të hyrjes në MAP (Membership Action Plan), veprim ky që kundërshtohet në mënyrë absolute nga Rusia.
Në këtë pikë distanca e largësisë mes SHBA dhe shumicës së
aleatëve europianë nuk është aq e madhe. Tek e fundit, edhe në drejtim të transformimit të strukturave dhe kapacitetit të aftësive, samiti ka fshehur vështirësisë e heterogjenitetit, duke nxjerrë në pah bashkëpunimin, asistencën, përpjekjet dhe patriotizmin ushtarak, mes aleatëve dhe vendeve që aderojnë për të hyrë në NATO.
Faktikisht, NATO ka hyrë në një fazë zgjerimi në marrëdhëniet transatlantike që nga mjaft vëzhgues konsiderohet jo shumë favorizuese. Lufta në Irak ka prodhuar ndarje të thella (deri tani vetëm pjesërisht të arnuara),mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre europianë.
Në përballjen me Iranin,ndërsa Europa duket e impenjuar në
rolin e mediatorit mes Uashingtonit dhe Teheranit, SHBA pajtohen me këtë gjë në një mënyrë gjithnjë e më pohuese; për të vazhduar më tej me konfliktin izraelito-palestinez ku gjenerohen pozicione kundërshtuese, të cilat në disa raste janë diametralisht të kundërta. Nga ana e saj, Kina planin e sfidave për sigurimin global e percepton në një mënyrë krejt ndryshe nga të dy skajet e Atlantikut. Edhe për sa i përket angazhimit në Afganistan, ku u regjistrua një konvergjencë të paktën në prioritetin strategjik, forcat e kontingjentit europian vazhdojnë të kritikohen nga pala amerikane.
Në sintezë, Europa këmbëngul me insistim dhe vazhdon të hulumtojë mendimin strategjik se, ku vërtiten kërkesat shumëpalëshe të SHBA-së e për rrjedhojë çfarë roli do të marrë NATO në të ardhmen.
Padyshim që, NATO aktualisht mbetet agjencia e sigurimit shumëpalëshe më e fuqishme dhe më e besueshme në sistemin ndërkombëtar. Afërsia kulturore mes SHBA-së dhe aleatëve europianë është shumë e fortë dhe mbi të gjitha, me perspektivën amerikane, madje edhe kur ajo europiane nuk paraqitet e plotë në rreshtimin ndërkombëtar, me alternativat reale të Aleancës Atlantike.
Kjo ndihmon që NATO t’i japë fund ekzistencës së fazave të zakonshme të krizave, të cilat e kanë shoqëruar gjatë dekadave të
fundit, duke filluar nga kriza e kanalit të Suezit në vitin 1956, ndarjet e zbatuara në konfliktin izraelito - palestinez në 67-ën, në konfrontimin dypolësh (perëndim-lindje) me euroraketat dhe forcat konvencionale sovjetike në Europë, e deri te ato të viteve të fundit. Nisur nga këto fakte, disa vëzhgues kanë nënvizuar se,e gjithë historiografia e NATO-s përshkohet nga një karakteristikë tipike e quajtur “sindromi i krizave”, e cila shpesh i paraprin precedentëve në mosfunksionimin normal të Aleancës.
Por, duhet theksuar pa asnjë hije dyshimi se, origjina e Aleancës është dhe do të mbetet mbrojtëse. Problemi qëndron te fakti që, fundi i luftës së ftohtë ka diktuar nevojën për një ndryshim radikal të Aleancës: për një ridimensionim rolit të ri të saj në sistemin ndërkombëtar,një revizionim të prioriteteve strategjike dhe rishikim të gjithë mjeteve për t’iu përgjigjur sfidave të reja.
Në fakt, reagimi i NATO-s në kontekstin e ri të ndjekur pas 11 shtatorit dhe në luftën kundër terrorizmit, ka nisur në samitin e Pragës në 2002 ;ka vazhduar në samitin e Stambollit në 2004; në Riga në 2006 dhe në Bukuresht në 2008,duke shoqëruar këtë qëndrim në vazhdimësi pa asnjë lloj hezitimi. Për t’u veçuar është se, në samitin e Pragës u arritën dy përfundime të rëndësishme: njëri kishte të bënte me caktimin e fillimit të thjeshtëzimit të plotë të strukturës së komandës, dhe i dyti erdhi në konceptin e formimit të një force të reagimit të shpejtë.
Po kështu,pas luftës së ftohtë mund të veçohen përsëri dy faza të këtij procesi për adaptimin me skenarin e ri ndërkombëtar: njëra fazë para periudhës së viteve 90-të, e lidhur me eksperiencën e NATO-s në Ballkan dhe faza e dytë aktualisht që është në rrugë e sipër, e stimuluar nga ngjarjet e post-11 shtatorit 2001.
Në këto vitet e fundit, thelbi i zgjerimit të ndarjeve mes SHBA-së dhe aleatëve europianë ka qenë i drejtuar në lidhje me angazhimin mbi të gjitha në Afganistan e në Ballkan,si dhe me vazhdimin e “transformimit” të strukturave ushtarake e operative të Aleancës. Jo nga shkaku i insistimit për t’u përqendruar rreth fazës së re ku ndodhet aktualisht NATO, në fakt aleanca duket se gjendet në mesin e një tranzicioni të gjatë që ka vazhduar menjëherë pas fundit të luftës së ftohtë.
Duke mbështetur realitetin se, NATO mbetet përsëri sot, agjencia multilaterale më e besueshme dhe më efikase,nuk mund të anashkalojmë zhvillimet brenda saj, ku përshkohet ritualisht nga elementë të krizës dhe tensione në marrëdhëniet e sistemit ndërkombëtar.
Rishikimi i rolit strategjik të NATO-s, fryma e sigurimit kolektiv, vargu i detyrave për zgjidhje, kërkesat dhe përgjigjet, raportet e diskutueshme mes SHBA dhe aleatëve të tjerë, mbeten gjithnjë çështje mjaft delikate. Por, pavarësisht këtyre konsensusi mes aleatëve që në samitin e radhës, NATO të kolaudohet plotësisht në rolin e kërkuar prej kohësh, është më se i mundshëm.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›